Flamurtari shkarkon trajnerin Dritan Sadedini pas humbjes ndaj Vllaznisë. Në vend të tij mendohet të emërohet Artan Sakaj, ndërsa skuadra vlonjate rrezikon seriozisht të bjerë nga Superiorja.
Ajo që do të ndodhte ishte e qartë që përpara ndeshjes, por për njeriun e stolit dukej sikur nuk kishte ndodhur asgjë. Dritan Sadedini, i shkarkuar këtë të enjte nga administratori I Flamurtarit, Sinan Idrizi, po mendonte për ndeshjen e radhës.
Paralajmërimi për shkarkimin e Sadedinit ishte bërë prej ditësh, dhe u përsërit nga Idrizi edhe pas ndeshjes së mesjavës, ndërsa kandidati i përfolur si pasardhës është Artan Sakaj. Ish-trajneri i Orikumit, i larguar prej një jave, u shpreh për Abc News se nuk ka pasur deri tani asnjë kontakt zyrtar me klubin.
Sadedini do të jetë sërish pjesë e stafit teknik, ndërsa shkarkimi i tij u bë për shkak të rezultateve të dobëta, pasi Flamurtari ka marrë vetëm 2 barazime në 9 javë, duke qenë i distancuar në vend të fundit e duke u dukur si i paracaktuar për të rënë në Kategorinë e Parë.
Gjithsesi, kriza sportive tek vlonjatët mund të quhet edhe krizë financiare, pasi prej më shumë se një viti lojtarët kanë akuzuar klubin për moskorrektesë në pagesa. Shkatërrimi nisi në janar, ndërsa skuadra ishte ende me pretendime dhe drejtohej nga Ilir Daja.
Lojtarët kryesor dhanë ultimatume njëri pas tjetrit, duke u larguar në numër të madh. Administratori Idrizi bën me faj paketën ligjore në Shqipëri, që nuk nxit biznesmenët të investojnë në sport. /ABC NEWS 24/7