Një ngjarje tragjike ndodhi pas mesnate në Greqi , ku si pasojë e përplasjes së dy trenave, 38 persona kanë humbur jetën dhe mbi dhjetëra janë plagosur. Një tren, i cili u përplas kokë më kokë në një tren mallrash po transportonte 350 persona nga Athina në Selanik.
Të shumta kanë qenë dëshmitë e të mbijetuarve të cilët kanë treguar tmerrin gjatë përplasjes.
Pasagjerët thanë se treni ishte kryesisht me të rinj, me gjasë për faktin se Selaniku është shtëpia e mijëra studentëve që mund të ishin kthyer pas një fundjave në shtëpi.
“Fëmija im nuk po më përgjigjet,” tha një grua teksa priste në një stacion treni në Selanik.
Një grua tjetër vrapoi për të përqafuar vajzën e saj teksa ajo zbriste nga një autobus me të mbijetuarit. Një burrë që po udhëtonte në një nga vagonët e fundit tha se ndjeu se treni dridhej.
“Unë arrita të dal dhe shkova në pjesën e përparme, treni ishte i përkulur në një kënd 90 gradë, gjysma e tij ishte varur”, tha ai.
“Ishin pesë persona të plagosur pikërisht aty ku qëndroja unë”.
Një gazetar që ishte në skenën e përplasjes shkatërruese të natës së kaluar ka përshkruar se si të mbijetuarit thyen dritaret me valixhet e tyre për të shpëtuar.
Alexia Kalaitzi e kaloi natën në Selanik duke biseduar me të mbijetuarit. Gazetari tha për BBC-së se një 20-vjeçar, doli nga një vrimë kur vagoni i tij i trenit u anua dhe papritmas u shemb.
“Njerëz të tjerë përshkruan se duhej të përdornin bagazhet e tyre për të thyer dritaren dhe për të shpëtuar,” tha ajo.
“Ata panë dy vagonët e parë në flakë dhe tymin që ishte përhapur kudo, dhe njerëzit ishin në panik dhe vetëm ulërinin.” Një tjetër i mbijetuar tha për mediat lokale se “dritaret po thyheshin dhe njerëzit po bërtisnin” ndërsa përpiqeshin të shpëtonin.
/abcnews.al