“Pas vrasjes, babain e zëvendësoi me Krishtin”, studiuesi: Nënë Tereza dinte shqip, i premtoi të ëmës se nuk do të fliste shqip pa e ritakuar

schedule10:18 - 13 Shtator, 2024

schedule 10:18 - 13 Shtator, 2024

Studiuesi Gëzim Alpion, gjatë intervistës për emisionin “Pas mesnate”, ai rrëfeu edhe lidhjen e fortë që Nënë Tereza kishte me të atin. Sipas tij, besohet se emrin Gonxhe ia ka vendosur i ati. Nënë Tereza pësoi traumë nga vdekja e të atit dhe e zëvendësoi figurën e tij të fortë me atë të Krishtit.

“Nënë Tereza pati traumën e humbjes së babait në moshën 9 vjecare E ka pasur idhull. Ky është momenti ku kam argumentuar se ajo zëvendësoi babain biologjik me një baba hyjnor. Dhe Krishti luajti atë rol të rëndësishëm në jetën e Nënë Terezës. Hallka e dytë ishte që me gripin spanjoll, ajo humbi 6 anëtarë të familjes. Mbijetoi, më pas vdiq edhe gjyshja. Nga mosha 9 vjeç deri në 12 vjeç, vdekja ishte gjithmonë prezente në jetën e Nënë Terezës dhe unë kam argumentuar që këtu fillon edhe nata e errët e shpirtit të saj, kaq shumë e adhuronte babain. Jam i sigurt që emrin Goxhe ia vendosi babai.

Unë gjatë vizitës në Kalkuta gjeta disa variante të një skripti të një filmi dhe pata fatin që të jem në kontakt me një studiues kanadez, me të cilin kam qenë në kontakt që në 2005 dhe më tha që ishte shok i Nënë Terezës. Aty pashë se Nënë Tereza kishte bërë një poezi për babain dhe po ta përkthesh në shqip del se kjo vajza e traumatizuar nga vdekja e babait, sidomos kur mendonte se ishte më i përkushtuar ndaj vajzës së madhe, dhe sensibiliteti i saj, mendonte se ndoshta babai preferonte më tepër motrën e madhe. Pengu i saj ishte se babai, i suksesshëm si biznesmen, ishte anëtar i vetëm katolik i këshillit të qytetit të Shkupit, mendohet se u vra nga nacionalistët serbë dhe bullgarë.”, tha ai.

Ai thotë se Nënë Tereza dinte shqip por i kishte premtuar të ëmës se nuk do të fliste kurrë shqip derisa sa ta takonte.

“Kam lexuar letra në Melburn që ajo ua dërgonte kushërinjve, fillonte në shqip dhe më pas kalonte në anglisht. Mendoj që me vrasjen e babait të saj që adhuronte, u distancua pak në aspektin që po të duash Shqipërinë dhe gjuhën shqipe përfundon i vdekur dhe bëri një betim kur u largua nga Shkupi, kur u nda për herë të fundit me nënë e vet. Dhe i tha se nuk do të flas kurrë shqip derisa të takohem përsëri. Ajo nuk e takoi më nënën e saj por kushërinjtë e saj thoshin gjithmonë ‘teze Gonxhe’. Ajo ishte e famshme në atë kohë, por për pjesëtarët e familjes në Australi ishte thjesht teze Gonxhe. Kur ftohej te kushërinjtë e saj fillonin në shqip dhe më pas e kalonte në anglisht. Shprehej më lirisht në anglisht por që ajo dinte shqip. ëndërronte të bëhej shkrimtare, shkruante poezi, i binte violinës. Pra kishte botuar në një revistë katolike para se të shkonte në Irlandën e Veriut. Ishte një vajza e sofistikuar, e edukuar që kishte një qëllim për të cilin vajti në Kalkuta.”, u shpreh studiuesi./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!