Pas vizitës në Ukrainë, kryeministri hungarez Viktor Orban do të udhëtojë të premten në Rusi për t’u takuar me presidentin rus Vladimir Putin. Takimi do të zhvillohet pesë ditë pasi Hungaria mori kryesimin e këshillit të BE-së. Ministri i Jashtëm Peter Szijjártó do të shoqërojë Orbanin në Kremlin.
Pas raportimeve të enjten për një takim të mundshëm Orban-Putin në Moskë, presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, shkroi në X: “Presidenca e rradhës së BE-së nuk ka mandat të angazhohet me Rusinë në emër të BE-së. Këshilli Evropian është i qartë: Rusia është agresori, Ukraina është viktima. Asnjë diskutim për Ukrainën nuk mund të bëhet pa Ukrainën”.
Valérie Hayer, presidente e grupit liberal, Reneë Europe në Parlamentin Evropian, denoncoi gjithashtu vizitën. “Kryeministri Orbán po vepron pa mandat dhe jo në interes të BE-së,” shkroi ajo në X . “Nëse këto thashetheme konfirmohen, ne e dënojmë këtë përpjekje solo kombëtare. Bashkimi Evropian është i bashkuar pas Ukrainës, jo Viktor Orban me axhendën e tij të fshehur.”
Orbán bëri një vizitë të papritur në Kiev të martën, ku u takua me presidentin e Ukrainës Volodymyr Zelenskyy. Udhëheqësi hungarez i propozoi një armëpushim të menjëhershëm Zelenskyy, por presidenti nuk e komentoi publikisht planin./abcnews.al