Pas vizitës që zhvilloi disa ditë më parë në Shqipëri, ministri i Punëve të Jashtme i Greqisë, Nikos Dendias shkon sot në Kosovë.
Kryediplomati grek do të pritet nga presidentja Vjosa Osmani pasdite në takim.
Zyra e Presidencës përmes një komunikate për media bëri të ditur se takimi do të fillojë në orën 15:00.
Kjo do të jetë vizita e tretë e Dendias në Kosovë brenda tri vitesh.
Dendias e pati vizituar Prishtinën edhe në qershor të vitit të kaluar, ku u prit nga presidentja Osmani.
Dendias e përshkroi atë takim si konstruktiv për bashkëpunimin mes dy shteteve dhe për zhvillimet në Ballkanin Perëndimor.
Kryediplomati grek ishte pritur edhe nga ish-kryeministri Avdullah Hoti në tetor të vitit 2020.
Çfarë tha Dendias herën e fundit kur shkoi në Prishtinë?
Ministri i Punëve të Jashtme i Greqisë, Nikos Dendias më 4 qershor 2021 tha në Prishtinë se e përkrah liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës dhe dialogun me Serbinë, pas një takimi që e kishte zhvilluar me ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë, Donika Gërvalla.
“Ne mbështesim vazhdimin e dialogut mes Prishtinës dhe Beograedit dhe u bëj thirrje të gjtha palëve që të rrisin përpjekjet për të arritur një zgjidhje detyruese ligjore dhe të qëndrueshme. Kjo zgjidhje do të stabilizojë mbarë rajonin dhe do të sjellë rajonin më afër familjes evropiane”, kishte deklaruar Dendias.
Ai pati përmendur mes tjerash edhe se Greqia është duke thelluar marrëdhëniet ekonomike me Kosovën, derisa e kishte theksuar edhe integrimin europian të Ballkanit Perëndimor.
“Ne besojmë që Ballkani Perëndimor i takon Europës dhe duhet të jetë pjesë integrale e BE-së, në këtë drejtim kemi qenë në favor të libralizimit të vizave, meqë keni përmbushur kriteret. Për këtë ne kemi mbajtur qëndrim në Këshillin e ministrave dhe do të vazhdojmë të mbështesim në drejtim të kësaj çështjeje”, kishte deklaruar ai. /express