Është shpallur sëfundmi fituesi i ri i Lotit I të Unazës së Re pas skandalit të falsifikimit të dokumentacionit vitin e shkuar.
Sipas dokumenteve të publikuara nga Agjencia e Prokurimit publik, fitues i tenderit për këtë lot shumë problematik është bashkimi i kompanive “Salillari” dhe “Bajrami N” me vlerën 1.77 miliard lekë me një fond limit prej 2.25 miliard lekë.
Rezulton se kompanitë kanë marrë përsipër të kryejnë punimet sipas kërkesave të autoriteteve me 78.6 për qind të fondit limit të përcaktuar për këtë vepër.
Segmenti në fjalë ka kaluar përmes një kalvari të gjatë skandalesh dhe debatesh të shkaktuara nga zbulimi se fituesi në atë kohë u shpall me dokumente të falsifikuara.
Vitin e shkuar, për këtë segment të rrugës u shpall fitues bashkimi i kompanive “Dh Albania” dhe “Biba X”, por zbulimi i falsifikimit të dokumentacionit bëri që AKP të anulonte tenderin duke e rihapur procedurën.
Ndërkohë, që prej vitit të shkuar banorë të Unazës së Re protestojnë kundër projektit të paraqitur nga qeveria duke theksuar se bëhet fjalë për një veprim korruptiv që synon prishjen e shtëpive të tyre për të ndërtuar pallate të njerëzve pranë pushtetit. /abcnews.al
VENDIMI I APP