Pas Putinit, Parlamenti Europian kërkon arrestimin e Lukashenkos

schedule10:26 - 19 Korrik, 2023

schedule 10:26 - 19 Korrik, 2023

Komiteti i Punëve të Jashtme të Parlamentit Europian i ka kërkuar Gjykatës Ndërkombëtare Penale (ICC) të shqyrtojë një urdhër arresti për presidentin e Bjellorusisë, Aleksandër Lukashenko, lidhur me rolin e vendit në luftën kundër Ukrainës.

Në një raport të ri, komiteti i bëri thirrje gjithashtu regjimit bjellorus që të lirojë të gjithë të burgosurit politikë dhe shprehu shqetësimin për vartësinë e vendit ndaj Moskës.

“Bjellorusia është përgjegjëse për dëmet e shkaktuara dhe krimet e kryera në Ukrainë, duke përfshirë rolin e regjimit në deportimet e paligjshme të fëmijëve,” thanë ligjvënësit e BE-së.

Raporti gjithashtu u bën thirrje institucioneve të BE-së dhe vendeve anëtare të ndërmarrin të gjitha hapat e nevojshëm në nivel ndërkombëtar për të mundësuar ndjekjen penale të atyre udhëheqësve politikë dhe ushtarakë bjellorusë përgjegjës për krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidit.

ICC-ja në mars lëshoi ​​një urdhër arresti për presidentin rus Vladimir Putin dhe zyrtaren ruse Maria Lvova-Belova për dëbimin e fëmijëve ukrainas në Rusi.

/abcnews.al

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!