Lëvizja Socialiste për Integrim ka dorëzuar në KQZ propozimet e saj për anëtarët e KZAZ-ve për zgjedhjet e pjesshme vendore në 6 bashki të vendit që do të zhvillohen më 6 mars.
Po ditën e sotme, edhe Partia Socialiste ka dorëzuar emrat e saj për anëtarë të KZAZ-ve. Kryeministri Edi Rama ka kërkuar që në fushatë të angazhohen vetëm deputetët e qarqeve ku ka bashki pa kryetarë dhe drejtuesit e qarqeve.
Me dorëzimin e emrave të anëtarëve të KZAZ-ve, LSI konfirmon pjesëmarrjen në këto zgjedhje të pjesshme, pasi zgjedhjet e fundit i bojkotoi së bashku me partitë e tjera opozitare. Ndërkohë në PS vijojnë takimet e kryeministrit Edi Rama me drejtuesit e qarqeve dhe deputetët në bashkitë që do të kenë zgjedhje më 6 mars. Kurse në kampin demokrat akoma nuk dihet se si do të paraqiten në këto zgjedhje, pasi partia është e ndarë mes Bashës dhe Berishës.
Partitë Politike kanë kohë deri më 9 Shkurt për të dorëzuar kandidaturat në KQZ. Zgjedhjet do të zhvillohen në Shkodër, Dibër, Durrës, Vorë, Rrogozhinë dhe Lushnjë. /abcnews.al