Në bjeshkët e Kelmendit, ndodhet një pikë e vogël kufitare, e hapur në vitin 2021. E futur mes bjeshkëve që zgjaten si thikë drejt qiellit, dhe në anë të lumit Cem, pika kufitare e Grabomit në Malësinë e Madhe, është një tjetër nyje e rëndësishme që lehtëson lëvizjen e lirë të njerëzve, kapitalit, mallrave dhe shërbimeve. Hapja e kësaj pike të mbështetur me fonde nga Bashkimi Europian lehtëson jetën dhe lëvizjet e banorëve në të dyja anët e kufirit.
Krijon gjithashtu një dinamikë tjetër në zhvillimin ekonomik e sidomos të sektorit të turizmit. Kjo pikë kufitare lehtëson kalimin e turistëve që shkojnë përmes Bjeshkëve të Namuna duke ndikuar në zhvillimin e zonës së Kelmendit. Në dimër, kjo pikë kufitare bëhet edhe më e rëndësishme sepse bora mbulon bjeshkët dhe vështirëson qarkullimin. Banorët në të dyja anët e kufirit, mund të kalojnë përmes kësaj pike, kur akset rrugore bllokohen nga bora, veçanërisht në zonën e Tamarës.
Hapja e Pikës kufitare të Grabomit shkurtoi me 3 herë më pak gjatësinë e rrugës lidhëse së dy trevave të banuar me shqiptarë në Malin e Zi, Komuna e Tuzit dhe Plava e Gucia, duke e bërë nga 270 km sa ishte në 90 km. Prek Frangaj, në Rapsht të Kelmendit na tregon për klonin që kalonte mes përmes tokës së tij. Nga Rapshi mund të kalohej vetëm me leje të posaçme dhe madje ishte zonë kufitare me germen A në pahaportë që tregonte se ishte zonë kufitare e rëndësisë prioritare.
Më tej Tamara, dikur zonë e ndaluar, tani vendi I bujtinave dhe turizmit. Hana Qosaj në Tamarë na thotë se është vend shumë i bukur dhe se “është gjynah mos me e vizitu”. Ndërsa Dile Vacaj, është mësuesja që vesh vajzat bukuroshe të Kelmendit me xhubletën 4 mijë vjeçare. Anjeza Bikaj, një nga vajzat, thotë se është krenari për ta veshur, se është shumë e veçantë. Shkojmë drejt pikës kufitare të Grabomit dhe fshatrave te Tuzit.
Angjelin Dedvukaj në Tuz, na thotë se janë në kufi me shtetin amë ndërsa Besar Gjokaj është nip nga Shqipëria. Ecim drejt Cetinjës, aty ku Knjaz Nikolla ishte i obsesionuar me Shkodrën dhe e donte me çdo kusht. Federik Fistani në Shkodër na tregon se Pllumas të Postribes gjenden varret slave. Ndërsa Lorenc Kuçulini na thotë se Shkodra është perla e veriut, që I ka të gjitha. Shkodrën e shpëtuan nderkombëtarët, na thotë.
Por historitë ballkanike janë të ngaterruara. Në Cetinje ndodhet ndërtesa ku dikur pas luftës së parë botërore gjendej një bankë serbo shqiptare. Ecim drejt lumit Cem te Trieshit që i shkon mes për mes luginës, drejt Dinoshës. Në Dinoshë takojmë Muhamet Gjokaj dhe familjen e tij, që na thonë se zemrat iu rrahin nga shteti amë. “Ishim para asimilimit, hapja e kufirit na ruajti, ne dhe gjuhën,” na thotë. Dinosha është histori e ilirëve dhe Mbretëreshës Teuta.
Beteja e fundit e Mbretereshës me romakët u zhvillua 5 kilometra nga Dinosha. Aty gjenden edhe varrezat ilire, ku siç na thotë Gjokaj, flinte Zeusi me Herën.