Është një mëngjes i ftohtë janari, temperaturat bien me shpejtësi disa gradë nën zero sapo kalon tunelin në rrugën e kombit. Dëbora ka mbuluar malet përreth dhe dy anët e rrugës, duke krijuar panorama si ato të përrallave të Andersenit.
Po shkojmë drejt kufirit midis Shqipërisë dhe Kosovës, në Morinë. Kufiri ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë shtrihet për një total prej 113.551 km. Shënjohet nga Alpet dhe Malet e Koritnikut e Gjallicës.
Vendkalimi i Morinës në rrethin e Kukësit shërben si shteg kalimi natyror midis Kosovës dhe Shqipërisë. Është vendkalimi më i rëndësishëm me Kosovën për qarkullimin e njerëzve dhe mallrave.
Në vitet 2000 është rikonstruktuar plotësisht dhe ofron çdo shërbim doganor si për udhëtarë ashtu edhe për automjete. Në këtë vendkalim kalon edhe aksi i rëndësishëm rrugor Durrës-Kukës-Prishtinë-Merdare-Nish.
Vendkalimi kufitar kalon nga Morina në anën e Shqipërisë dhe Vërmica në anën e Kosovës. Nga ana shqiptare vendkalimi ndodhet në territorin e Bashkisë së Kukësit ndërsa në anën e Kosovës në territorin e Komunës së Prizrenit.
Vendkalimi kufitar ndodhet në jug-perëndim të Kosovës dhe veri-lindje të Shqipërisë në luginën e Drinit të Bardhë midis dy maleve Koritnik në jug dhe Pashtrikut në veri në komunën e Prizrenit. Pika kufitare lidh Autostradën A1 në Shqipëri dhe Autostradën R 7 në Kosovë.
Vendkalimi kufitar mban emrin e fshatrave Vërmicë në Kosovë dhe Morinë në Shqipëri, të cilat janë pikërisht në kufi.
Gjatë Luftës së Kosovës, dhjetëra mijëra refugjatë shqiptarë kalonin kufirin në Vërmicë, pothuajse për çdo ditë. Në atë kohë Vërmica ishte pika e vetme kufitare midis Kosovës dhe Shqipërisë. Në datën 13 qershor 1999, trupat e ushtrisë gjermane kaluan kufirin e Morinës.
Gjenerali gjerman Helmut Harff, nga shtabi i NATO-s në Durrës, përgatiti hyrjen e trupave gjermane në Kosovë, përmes rrugëve të Shqipërisë veriore. Harff komandoi trupat gjermane, të cilat hynë në Kosovë në qershor 1999, pasi NATO kishte bombarduar Serbinë 78 ditë me radhë dhe e kishte detyruar të largonte forcat e saj. Gjenerali gjerman ishte I prerë, duke treguar orën, I bëri të qartë një komandanti të ushtrisë serbe se kishin vetëm 30 minuta për t’u larguar. Serbët refuzonin. «Ky është fundi i bisedës. Keni edhe 28 minuta». Këto ishin fjalët e tij. Serbët u tërhoqën.
Pas ndërtimit të Rrugës së Kombit lidhja e parë rrugore e shpejtë midis Kosovës dhe Shqipërisë, kjo pikë kufitare mori rëndësi të veçantë. Pjesa më e madhe e transportit të njerëzve dhe mallrave midis Shqipërisë dhe Kosovës kalon përmes Vërmicës. Shqiptarët lëvizin lirshëm përmes kësaj pike kufitare. Martesa, biznes, lidhje familjare, dhe mbi të gjitha, lidhja e gjakut, që mbeti e njëjtë, edhe në kohët më të këqija, kur ky kufi, vriste dhe ndante me një tra të hekurt./abcnews.al