“N’kufi”/ Qafë Bota, në brigjet e Jonit. Vendkalimi më jugor i Shqipërisë

schedule18:35 - 15 Dhjetor, 2024

schedule 18:35 - 15 Dhjetor, 2024

Kalimi Kufitar i Qafë Botës është vendkalimi më jugor i Shqipërisë qe lidh Greqine me Shqipërinë. Në pjesën greke pika kufitare quhet Sagiada, ose në shqip, Sajadha. Mund të shkosh nga dy drejtime për në këtë pikë kufitare, para Sarandës apo nga Butrinti. Rruga është plotësisht e asfaltuar në të dyja drejtimet.

Ne do të kalojmë nga Butrinti, një qytet dhe peshkopatë e lashtë ilire dhe më vonë arbërore. Butrinti popullohej nga fisi I kaonëve, më pas u bë koloni romake dhe peshkopatë. Gjatë periudhës së luftërave civile, Butrinti përmendet nga Çezari në veprën e tij, si një nga bazat kryesore të furnizimeve dhe pikë strategjike për zotërimin e kanalit të Korfuzit.

Për herë të parë Butrinti preu monedha bronzi në kohën e Augustit. Në njërën prej tyre paraqitet perandori nga një anë e në tjetrëm një ujësjellës. Butrinti pëson rënie në Antikitetin e Vonë, para se të braktisej gjatë Mesjetës, pasi një tërmet i madh përmbyti pjesën më të madhe të qytetit. Parku arkeologjik është një mrekulli më vete.

Gjendet rreth 14 kilometra në jug të Sarandës dhe pranë kufirit me Greqinë. Ndodhet në një kodër me pamje nga kanali i Vivarit dhe është pjesë e Parkut Kombëtar të Butrintit. Këtu gjendet edhe kalaja e Ali Pashës. Parku Kombëtar Arkeologjik i Butrintit ka një sipërfaqe prej 15 hektarësh dhe ndodhet në lartësitë 30-50 metra mbi nivelin e detit. Ai është ngritur në këndin juglindor të gadishullit të Ksamilit.

Angjele Maliqi na thotë këtu se vendi “bëhet me rininë” dhe dëshiron që Shqipëria të ecë para. Shkojmë në Butrint, ku Erjon Xhemalaj na thotë të njëjtën gjë: “Në vend tënd më mirë, nuk diskutohet”.

Këtu takojmë edhe turistë italianë, që shpejt e thjeshtë na thonë: “La piu bella e Albania”, “ka edhe gra të bukura”. Aleksander Balili, i cili ka biznesin e tij këtu në Butrint, ka nënën minoritare dhe babain shqiptar. “Njerëzit të kthehen në Shqiperi, vendi ynë është ky këtu”, na thotë.

Ecim drejt Mursisë. Sotiraq Theodhori Tavon a shpjegon simbolikën e dy flamujve këtu, shqiptar dhe grek. “Kjo tregon bashkejetesen qe ka populli shqiptar dhe populli grek”, na thotë. Ndërsa Odisea Qesku shpjegon sesi banorët këtu kanë ndihmuar çamët e dëbuar nga Napoleon Zerva. “Perse duhet t’i kem inat shqiptarët?”, na thotë me zemërim.

Shkojmë drejt pikës kufitare të Qafë Botës.

Rruga të shpie në drejtim të Igumenicës, apo Gumenica, siç është emri shqip i këtij qytet). Igumenica është porta e Greqisë veriore dhe veriperëndimore për ekonominë dhe turizmin. Në portin e këtij qyteti ankorohen çdo ditë anijet që vijnë nga Ancona, Brindisi, Bari dhe Venecia.

Igumenica është një nga portet më të mëdha të Greqisë, që lidh Greqinë veriperëndimore kontinentale me Ishujt e Jonit dhe Italinë. Qyteti është ndërtuar në skajin më lindor të gjirit të Igumenicës në detin Jon dhe aspektet kryesore të ekonomisë janë deti, transporti, shërbimet, bujqësia dhe turizmi.

Autostrada Egnatia 670 km e gjatë, e cila i shërben Greqisë veriore, përfundon në Igumenicë, duke e bërë atë një pikënisje popullore për turistët që vijnë nga Evropa. Në Plataria takojmë Despina Smiroglu, e cila na shpjegon se shqiptarët këtu janë të integruar.

“Shoqerohen me femijët tanë, rriten bashkë, jemi shumë mirë”. Takojmë emigrantët tanë që jetojnë dhe punojnë këtu. Esmeralda Çala na thotë se janë krenarë që janë shqiptarë. Fëmijët e saj flasin shqip dhe në shtëpi, prindërit dhe gjyshja iu flasin në gjuhën shqipe. Ardian Salihu, një emigrant tjetër shqiptar punon në bujqësi.

“Fëmijet e mi do të flasin shqip”, na thotë me vendosmëri. Dimitris Karas, një nga banorët e zonës na flet për shqiptarët që jetojnë e punojnë këtu duke thënë: “Të gjithë njerëzit janë njësoj, bashkëpunojmë shumë mirë”. Këtu, ujërat blu të kristalta të detit të ndjellin pas në kohë, duke të sjellë një ndjesi trishtimi dhe përhumbjeje./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!