Gjërat tona/ “Lufta” Çopja – Alibej që përgjaku Elbasanin, zbulohen bisedat në SKY për planifikimin e vrasjeve

schedule20:55 - 6 Tetor, 2024

schedule 20:55 - 6 Tetor, 2024

“Lufta” Çopja – Alibej që përgjaku Elbasanin

 Zbulohet bisedat në SKY për planifikimin e vrasjeve

Deklarata e ish-ministrit të Brendshmë, Fatmir Xhafaj, 26 dhjetor 2017

Xhafaj: Qoftë ata që i quani ju, Çapja, apo si quheshin ata të tjerët… Çelajt, nuk mundet të simbolizojnë këtë qytet apo këtë komunitet njerëzish me vlera siç është Elbasani. Ata dhe të tjerë që janë përfshirë në veprimtari kriminale, të jeni të sigurt që në momentin më të përshtatshëm do marrin ndëshkimin e merituar.

Nëse te gjithë e morën apo jo ndëshkimin e merituar, kjo as sot, 7 vjet pas kësaj deklarate, nuk mund të thuhet me siguri.

Por e sigurt tashmë është, që vërtetë Çapjat dhe Çelajt nuk e simbolizonin Elbasanin. Kur e gjithë vëmendja ishte përqendruar tek këto dy grupe, një tjetër betejë e përgjakshme kishte nisur mes dy grupeve të tjera, që siç doli nga hetimet e SPAK ishin fuqizuar në hije dhe ishin të gatshëm të paguanin deri në 4 milionë euro për një vrasje. Ishin grupet Çopja dhe Alibej ata që nga viti 2018 e në vazhdim po dominonin skenën e krimit të organizuar. Të angazhuar maksimalisht për të vrarë kundërshtarët, klani Çopja ishte gati të bënte gjithçka. Madje të hidhte në erë edhe gjithë Drejtorinë e Policisë së Elbasanit. Dhe në fund askush nuk frikësohej nga asgjë. Madje pasi vrisnin shkonin edhe për ngushëllim e në fund qeshnin me njëri-tjetrin teksa bisedonin për bëmat e tyre në SKY. Por ashtu si çdo gjë tjetër, as planet e grupit Çopja nuk mund të zgjasnin pafundësisht. Në fillim u dekonspiruan nga bashkëpunëtorët e drejtësisë e në fund nga SKY, ku kishin biseduar lirshëm nën iluzionin e fshehtësisë së plotë.

Nga hetimi i zhvilluar nga Prokuroria e Posaçme ka rezultuar se, vëllezërit Franc dhe Hajdar Çopja, kanë krijuar një formë të veçantë të bashkëpunimit, atë të organizatës kriminale duke rekrutuar e bërë pjesë të saj të hetuarit: Mikael Qosja (Kamami), i cili ka rolin e organizatorit, Talo Çela, Altin Ndoci, Eljo Bitri, Arzen Mema, etj. Hetimi ka evidentuar se organizata kriminale e vëllezërve Çopja ka kryer një serë veprash penale të drejtuara kundër jetës, shëndetit dhe pasurisë, dhe cenuar jo vetëm të drejtat themelore të shtetasve sikur është e drejta për të jetuar, por edhe duke cenuar rendin dhe sigurinë publike. Prokuroria e Posaçme ka arritur të dokumentojë 33 fakte penale dhe të përcaktojë mbi bazën e provave rolin që ka pasur secili prej të hetuarve në secilin prej episodeve. SPAK ka administruar prova në lidhje me një serë ngjarjesh të rënda të shtrira kryesisht në qytetin e Elbasanit, por edhe në qytete të tjera si Rrogozhinë, Fier, etj.

Nga tërësia e hetimeve krijohet dyshimi i bazuar në prova se të gjitha ngjarjet e rënda kriminale janë një përballje e grupit kriminal “Çopja” kundër atij të Erion Alibej, që në biseda i referohen si “Krymi”. Organizata kriminale “Çopja” duket se e kthen në synim të vetin asgjësimin e grupit të Erion Alibejt duke financuar vrasje dhe sigurim të kushteve e mjeteve për të kryer vrasje ndaj vetë Erion Alibejt e njerëzve të afërt të tij, siç ishin: Vëllai  tij, Endrit Alibej, daja i tij, Qani Alibej, djali i dajës së tij, Andi Zylyfi, Arben Spahiu, etj.

Organizata kriminale “Çopja” ka synuar të vendosë hegjemoninë kriminale dhe ekonomikë të tyre, duke zhvilluar paralelisht me aktivitetin e vrasjeve apo planeve për të vrarë, edhe atë të pastrimit të produkteve të veprës penale. Hetimi ka provuar se kjo organizatë kriminale ka pasur ndihmën e punonjësve të Policisë së Shtetit, të cilët jo vetëm ishin në dijeni të aktivitetit të paligjshëm, por edhe duke e ditur këtë fakt kanë siguruar informacion që i shërbente dhe janë përfshirë në aktivitete të tjera të saj. Po kështu, si rezultat i hetimit është konkluduar se kësaj organizate i kanë shërbyer edhe eksponentë të sistemit të drejtësisë. Nga mekanizmi i provuar duket se ka punonjës policie dhe të sistemit të drejtësisë, që vihen në shërbim, jo vetëm të lehtësojnë organizatën kriminale “Çopja”, por edhe të dëmtojnë rivalët e tyre duke biseduar për ngritjen e kurtheve me qëllim pastrimin e territorit të veprimit të kësaj organizate. Organizata kriminale “Çopja” duket se punon edhe për imazhin e saj duke dashur të mos ketë lajme negative më media, si dhe mos të kenë probleme me OFL.

Gjykata vlerëson se në zbardhjen e një serë ngjarjesh të rënda kriminale, kanë rëndësi deklarimet e Nuredin Dumanit dhe Erion Alibejt, të cilët kanë marrë statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë dhe kanë dhënë shpjegime lidhur me ngjarjet e hetuara nga SPAK. Deklarimet e marra nga Dumani e Alibej, përputhen me të dhënat e administruara nga komunikimet e personave të përfshirë në veprimtari kriminale nëpërmjet aplikacionit SKY.

29 dhjetor 2018

Vrasja e trefishtë në Bradashesh

Pasditen e 29 dhjetorit të vitit 2018, Endrit Alibej, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij dhe e të vëllait, fëmijët e disa të afërm, kanë drekuar në shtëpinë e gjyshit të tyre, Petrit Zylyfi. Më pas, janë larguar nga aty, për të shkuar në shtëpinë e dajës së tyre, ku do të darkonin, në fshatin Përparim të Peqinit. Me ta ka qenë edhe shtetasi turk, Erdal Duranay. Rreth orës 20:00 kanë dalë nga aty dhe janë nisur drejt Elbasanit. Endrit Alibej është nisur i pari, me një automjet “Land Rover”, me targa rumune. Bashkë me të në makinë kanë qenë edhe shtetasi turk, në vendin e parë dhe mbrapa ka qenë  ulur Arben Dylgjeri. Menjëherë pas tij është nisur bashkëjetuesja e Erion Alibejt, bashkë me bashkëshorten rumune të Endrit Alibejt, vjehrra e tyre dhe vajza e vogël e Erionit. Me një tjetër makinë, një “Ford Kuga” është nisur motra e vëllezërve Alibej bashkë me disa të afërm të tjerë. Endrit Alibej është shkëputur nga të tjerët, duke ecur më shpejt. Familjarët e tij që ishin pas, kur janë afruar tek rrethrrotullimi i Bradasheshit kanë parë makinën Land Rover të ndaluar dhe në fillim kanë menduar se ishte aksidentuar duke lajmëruar Policinë. Por kur janë afruar kanë parë xhamin e pasmë të thyer dhe kanë kuptuar se makina ishte qëlluar pasi kishte shumë vrima.

Vetëm pak ditë pas ngjarjes, konkretisht më 18 janar 2019 është pyetur në cilësinë e personit që ka dijeni për ngjarjen, Hajdar Bako. Policia kishte marrë informacione në rrugë operative për një konflikt të ashpër mes tij e viktimës, Endrit Alibej dhe vëllait të tij, Erionit.  Ndërsa më herët, më 30 dhjetor 2018 ishte pyetur edhe Talo Çela, po ashtu si person që kishte dijeni. Megjithatë, të dy kanë mohuar të kishin dijeni, paçka se hetimet më pas zbuluan të kundërtën. Madje zbuluan se ishin të përfshirë direkt në ngjarje.

Fillimisht ai që hodhi dritë rreth vrasjes së trefishtë, që u quajt “Masakra e Bradasheshit”, ishte bashkëpunëtori i drejtësisë, Nuredin Dumani. Më 17 qershor të vitit 2022, në cilësinë e bashkëpunëtorit të drejtësisë, Dumani ka deklaruar se, financues të kësaj ngjarjeje ishin vëllezërit Hajdar e Franc Çopja, organizator ishte Kel Kamami, ndërsa ekzekutorë Altin Ndoci e Mir Haxhia. Ndërsa sipas tij, makinën e ekzekutorëve e drejtonte Talo Çela.

Nuredin Dumani

Eljo Bitri është i përfshirë te vrasja e trefishtë. Këtë ma ka thënë vetë Eljo. Financues kanë qenë vëllezërit Hajdar e Franc Çopja, organizator ishte Kel Kamami, i cili ka pasur edhe rolin e vëzhguesit, ndërsa ekzekutorë Altin Ndoci e Mir Haxhia. Drejtuesi i mjetit të ekzekutorëve ka qenë Talo Çela. Ndërsa Eljo Bitri ka qenë informator dhe vëzhgues. Nga diskutimet me Talon dhe Altin Ndocin më kanë treguar për vrasjen e trefishtë në Bradashesh, me viktimë Endrit Alibejn, Arben Dylgjerin dhe shtetasin turk, Erdal Duranay. Flisnin për Erionin dhe Arjanin që duhej të vriteshin. Më kërkuan që të marr edhe unë pjesë.

Nga vëllai im, Dashnor Dumani, kam mësuar se vrasja e Endrit Alibejt është tentuar të behej edhe ditë të tjera, 5-6 ditë para ngjarjes. Dashi më ka treguar se atë natë ka qenë në makinën e atentatorëve bashkë me Altin Ndocin, Talo Çelën dhe Miri Haxhinë. Për këtë kam biseduar me një telefon SKY, por më ka thënë se ai vetë nuk kishte qëlluar sepse ngjarja kishte ndodhur shumë shpejt dhe ishte hutuar. Nga ai kam marrë vesh se në atentat kishin marrë pjesë dy makina.

Ndërsa Erion Alibej, më 15 dhjetor 2022 ka dhënë shpjegime në cilësinë e personit ndaj të cilit zhvillohen hetime dhe ka dhënë dëshminë e tij edhe për vrasjen e të vëllait në masakrën e Bradasheshit.

Erion Alibej

Në takimin e parë që kam bërë me Nuredin Dumanin, fillova të plas për të gjitha ngjarjet që i kanë ndodhur familjes time, që Nuredini kishte dijeni. Për secilën prej ngjarjeve unë kisha mbledhur shumë informacione përpara se të flisja me Nuredinin. Bisedat me të më shërbyen për rikonfirmuar ato që dija. Një nga personat që unë kisha informacion se ishte përfshirë në vrasjen e vëllait tim, ishte Dashnor Dumani, vëllai i Nuredinit. I thashë Nuredinit se Dashnori, vëllai yt ka qenë ekzekutor në ngjarjen e Endritit, ndërsa ti ke qenë në burg në Francë. Ai nuk e pranoi këtë gjë, por me tha se nuk i kishte marrëdhëniet mirë me vëllain e vet. Pas rreth 2 orë e gjysmë diskutim, krijova një mendim për Nuredinin, që më korrespondonte me të gjitha ato informacione që unë kisha mbledhur deri ditën e takimit me të. Por nga Nuredini mësova edhe për persona dhe ngjarje të tjera që unë nuk kisha pasur dijeni.

Erion Alibej gjatë deklarimeve që ka dhënë para prokurorëve në cilësinë e bashkëpunëtorit të drejtësisë, më 17 korrik 2023, ka treguar se është shkëmbyer me ekzekutorët e vëllait të tij, Endritit natën e vrasjes. Alibej deklaron se rrugës për në vendin e ngjarjes i ka dalë përballë mjeti “BMW X6”, e bardhë, që në atë periudhë ka qenë në pronësi të Mikael Qoses. Alibej madje e ka pyetur nëse kanë pasur armë me vete, ndërsa personat në mjet mes të cilëve ka qenë edhe Ervis Çopja, e kanë pyetur se çfarë kishte.

Erion Alibej

Atë ditë që ndodhi ngjarja kanë qenë Franc Çopja, Hajdar Çopja, Mikael Qosja dhe ky Elvis Çopja. Kanë qenë në momentin kur unë u përballa me Kelin. Ishin në makinën X6. Kanë qenë çunat e Dine Çamit, të cilët Mikael Qosja i ka djem tezeje. Në të njëjtën ditë, ky grup thoshin “Ua ka bërë Suel Çela. Ju ka vra Suel Çela, ju ka vra Kamber Mehja, por shiko se Sueli nuk ka njeri tjetër”.

Gjatë kësaj periudhe unë komunikova me Suelin nëpërmjet një telefoni të kriptuar që ma sjell njeriu i tij. Fjalët e Suelit kanë qenë këto: “Unë nuk të kam hak e hile. Bahu i fortë dhe ki durim se çdo gja ka për të dalë. Nuk e di se sa mund të zgjasë, por çdo gja ka për të dalë. Unë po mundohem që edhe unë të zbuloj. M’ke në mbështetje, m’ke në krah. Vetëm bëj durim, nuk jam unë, nuk është Xhoni, nuk është askush nga këto llafe që po flasin nga ana ime. Në qoftë se ty të del një fjalë, vetëm një fjalë që e vërteton këtë fakt që është Xhoni, unë do ta sjell me duart e mia pranë teje dhe masakroje. Por të jesh i qartë që, në qoftë se del Xhoni, ai nuk bën asnjë gjë pa mua”. Këto kanë qenë fjalët e Suelit.

Për një periudhë të gjatë, Erion Alibej është interesuar nëpërmjet lidhjeve shoqërore të tij e të vëllait të vrarë, Endritit, për të gjetur informacione për personat e përfshirë në atentat. Në një periudhë ka nisur të përflitet se vrasjen e kishin bërë vëllezërit Hajdar dhe Franc Çopja. Në këtë kohë, Erion Alibej deklaron se ka shkuar në Holandë për të takuar Suel Çelën. Ai ka qëndruar gjatë kësaj kohe në Roterdam, ndërsa Suel Çela ndodhej në Den Haag, në Hagë, aty ku edhe e ka takuar, në shtëpinë e tij. Alibej tregon bisedën që ka bërë me Suel Çelën. Gjatë asaj bisede ka dalë edhe emri i Talo Çelës, që sipas Erion Alibejt, nuk e kishte njohur as ai, as i vëllai, edhe pse fliste gjithë qyteti për të.

Suel Çela: Ta ka bërë Franc Çopja me Talon. Franci me Talon, me Kelin me Darin.

Erion Alibej: Po arsyeja, pse ma kanë bërë këta…

Suel Çela: Flitet për 50 kile që kanë humb në Angli… dhe sikur ia keni marrë ju… 50 kile drogë.

Erion Alibej: Po mirë ti si mendon? Kjo qëndron? Mu beto që s’ke lidhje fare.

Suel Çela: Po të flas dhe po të them që nuk ekziston. Ti na njeh se kush jemi, si jemi, qysh jemi. Jena rrit bashkë, ia dimë njëri-tjetrit, ku je ti, ku jam unë, si je ti, si jam unë. Të betohem për Marion, kur ka dalë fjala, unë kam mendu që juve ia keni bërë dhe kam thënë, mirë ua kanë bërë atyre pisave.

Erion Alibej: Po Çapjat? Më kanë ardhe kshu, kshu më kanë thënë…

Suel Çela: Normalisht që ata do thonë, do flasin Sueli, Sueli, se ashtu u intereson. Por që të kenë gisht Çapjat me ty, me Endritin, unë nuk e besoj. Ata me sa di unë nuk kanë lidhje me Francin, me Darin. Unë s’e besoj.

Erion Alibej: E di që flet e gjithë Shqipëria për ty? E kam marrë mundimin të vij se dua të të shoh në sy, edhe sikur jeta ime të përfundojë këtu. Të paktën të vdes një herë e mirë, mos të vdes nga pak.

Suel Çela: Unë të kam si Marion. Nuk ka pse unë të arrij deri në këtë pikë, aq më tepër për Endritin. Endriti s’më ka bërë asgjë. Në lidhje me Xhonin, Xhonit ti i gjujte, s’i gjujti Endriti. Nuk shkon kjo që unë t’i gjuj Endritit prej Xhonit, se plagose ti Xhonin. Nuk shkon. Në qoftë se do arrinte ta bënte Xhoni këtë që i ndodhi Endritit, nuk do ta bënte kurrë pa mbështetjen time. Xhoni nuk gjen dot një armë, jo më të bëjë një masakër. Ajo ishte një masakër, nuk ishte vrasje. Në qoftë se, aq më tepër, në qoftë se ty të del Xhoni, ore një fakt, dua ta dish që jam unë mbrapa dhe unë ta bi kokën e Xhonit në tepsi. Më ke mbështetje, më ke në krah. Po mundohem, jam mundu dhe po mundohem me shpirt që të të jap gjëra të faktuara, jo vetëm fjalë. Por po të them që e ke nga ata. S’ka asnjë tjetër që ta kenë bërë.

Personi me emrin Xhoni që përmendet në bisedën mes Suel Çelës dhe Erion Alibejn, ëhstë Xhoni Rusta, i cili ka qenë person i dyshuar për plagosjen e Qani Alibejt, dajës së vëllezërve Alibej, ngjarje e ndodhur më 29 mars të vitit 2016. Më vonë, në vitin 2018, Rusta, në atë kohë 22 vjeç, u plagos nga Erion Alibej, në rrugën “5 Maji” në Elbasan. Për këtë ngjarje Alibej u dënua me 2 vjet burg.

Në lidhje me vrasjen e 3-fishtë në Bradashesh, Prokuroria e Posaçme i ka kërkuar ndihmë juridike autoriteteve gjyqësore të Francës, të dhëna mbi disa shtetas shqiptarë që përdornin aplikacionin SKY. Përgjigja nga Franca ka ardhur me e-mail, në gusht të vitit 2023, nëpërmjet Eurojust. Nga bisedat e zhvilluara në SKY, kanë rezultuar komunikime konkrete të zhvilluara në lidhje me këtë ngjarje, mes Franc Çopjas, Mikael Kamamit, Talo Çelës dhe Nuredin Dumanit.

Mikael Kamami – Franc Çopja

Mikael Kamami: Nuk kanë asnjë provë ku të bazohen. Duhet të merren kamerat për provë mbrojtje.

Mikael Kamami: I kemi dhënë katnarit (Talo Çelës) 460 mijë euro dhe 100 mijë paund. Nuk ka ku ta mbajë pjesën tjetër. Talos do t’i kaloj vetëm vlerën e punës poshtë. Duhet t’i zbresësh nga llogaria vlerën e 30 bukëve (dyshohet lëndë narkotike).

Mikael Kamami: Ishalla nuk ka gisht Dashi (Dashnor Dumani) te ngjarjet e Durrësit (vrasja e Dorian Shkozës, Anxhelo Avdisë dhe vëllezërve Haxhia.

Nga bisedat që kanë zhvilluar në SKY Mikael Kamami me Talo Çelën dhe nga deklarimet e bashkëpunëtorit të drejtësisë, Nuredin Dumani, rezulton se Dashnor Dumani është konfliktuar me Altin Ndocin lidhur me një pagesë që ata kanë marrë në formë kapari për ekzekutimin e një personi. Kjo vrasje nuk është realizuar dhe Altin Ndoci nuk ka pranuar të kthejë shumën e parave që porositësi kishte paguar, pasi sipas tij, sigurimi i kushteve dhe mjeteve e justifikon vlerën monetare të dhënë si kapar. Kapari dyshohet se ka qenë 10 mijë euro. Në lidhje me ketë ngjarje Altin Ndoci dhe Dashnor Dumani kanë pasur një konflikt në autostradën Tiranë – Durrës, ku Ndoci i ka goditur xhamin e makinës dhe ka nxjerrë pistoletën duke tentuar ta qëllojë.

Në lidhje me vrasjen e trefishtë në Bradashesh, SPAK evidenton edhe një bisedë të zhvilluar në SKY mes Franc Çopjas dhe Renato Musaku, të cilit i shprehet se u kishte shkuar edhe për ngushëllim familjes Alibej, pas vrasjes së Endritit.

 Franc Çopja – Renato Musaku

Franc Çopja: U zbuluan ata të gjithë. Po çfarë t’i bëj Talos unë që fluturon me bisht në b… se ata ishin ajrore. S’dinin gjë nga po i vinte. Po Talo b… iku në një vend aty, doli pastaj gaboi. Iku nga mendja e vet Talo si p… tha e njoh unë këtë, shkoj i them. Kjo punë s’do trima budallenj. Unë ua thashë live atyre. Mbajeni mend u thashë. Ata thanë … këtij kalamanit. Kur re ti në burg u zhduka unë, s’dilja më lirshëm, s’ikja më as në Shqipëri. Bëra ca lekë edhe ec babe. Ç’a t’i bëja. Ika i piva edhe një kafe, i hodha 50 euro, të rroni vetë, t’ju rrojnë të dashurit i thashë…

Franc Çopja: Qante ajo nusja e atij Endritit. Endirit jubira mia… se e ka rumune.

Renato Musaku: T’ja … rumunët.

Franc Çopja: Legena, turp me i thënë armik. Po u hallakatën pastaj këta të tjerët. S’kishin shkuar kështu gjërat. S’i pata planifikuar kështu…

Renato Musaku: Të degjeneruar fare.

Franc Çopja: Po ngritur hunda përpjetë.

Renato Musaku: Po duhesh me u mbajt pak nën kontroll. Po hajde na duhet të shohim si t’i vëmë në vijë prapë.

Më pas Franc Çopja shkruan mesazhe në një grup çati me dy persona të paidentifikuar të cilëve u shprehet:

Franc Çopja: Shoku, jam i vogël në moshë, por kam 10 vjet pa pushim, sidomos këtë 5-vjeçarin e fundit, as familje asgjë s’po shijoj. Mall, intriga, lekë, vrit e prit. Më ikën petlla. 

Më pas në të njëjtin grup flitet për disa atentate që kanë ndodhur në qytetin e Durrësit. Në biseda flitet për Dashnor Dumanin, për të cilin Çopja shprehet se gjuan, kryen vrasje me pagesë dhe jeton në Gjermani. Ai tregon se kanë qenë të gjithë bashkë dhe raportet mes tyre janë prishur për shkak të një makine dhe gjithçka ka nisur nga Klevis Alla, që e quan “mostra e vogël”, një tjetër i penduar që pranoi të bashkëpunojë. Pas vrasjes së vëllezërve Besmir dhe Viktor Haxhia, Klevis Alla ka pranuar të bashkëpunojë me drejtësinë dhe nga deklarimi i tij është arrestuar Altin Ndoci, i cili është një nga personat, pjesë e grupit Çopja.

Franc Çopja:  Kanë qenë me mua bashkë të gjithë. Për një makinë të qelbur ka nis gjithë puna, prej atij mostrës së vogël. Na mori në qafë, na prishi punë shumë.

Në interes për hetimet ka qenë edhe një bisedë e zhvilluar në SKY mes Nuredin Dumanit dhe vëllait të tij Dashnor Dumani, ku përveç vrasjeve të kryera, flitet edhe për shuma të majme që ofroheshin për vrasjen e Talo Çelës por edhe të Erion Alibejt.

Nuredin Dumani – Dashnor Dumani

Nuredin Dumani: Duhet t’i kishin shfarosur Kelin (Mikael Qosen), Talon dhe të tjerët, pasi ata mund të më kishin vrarë mua dhe ty po të kishe qenë në Shqipëri.

Nuredin Dumani: Duhet të më ndihmosh të gjej Talo Çelën, se ai është bukëshkelur dhe do ja marr shpirtin. Policia mund të të arrestojë ty pas deklaratave që Talo Çela ka bërë në media.

Nuredin Dumani: Nuk kam qenë me Talon dhe Altinin në vrasjet e Durrësit, por mekaniku (Klevis Alla) ka përfshirë Talon dhe Altin Ndocin.

Nuredin Dumani: Pas vrasjes së Besmir Haxhisë, kam biseduar me Kelin dhe i kam kërkuar të më japë Talo Çelën. Ai më ka ofruar 2 milionë euro dhe Talon në këmbim të vrasjes së “krymit” (Erion Alibejt). Unë pranova dhe u kërkova 1 milionë euro dhe pasi te jepja prova që mund ta kapte “krymin”, ai duhej të më jepte Talo Çelën, në të kundërt nuk bëhej. Nuk ramë dakord dhe pastaj ai më pyeti pse i kisha vrarë njerëzit e tij. Kelit i kam vrarë dy njerëz, djalin e hallës me 25 thika dhe shokun më të ngushtë, Ilin që ka pasur servis.

Në një nga mesazhet që Nuredin Dumani i dërgon vëllait të tij, Dashnor Dumani, shprehet për një diskutim që kanë pasur për Erion Alibejn, për të cilin është planifikuar të derdhet vaj në rrugë, me qëllim eliminimin e tij gjatë ecjes me makinë. Ky mesazh përputhet edhe me deklarimet që Dumani ka dhënë në cilësinë e bashkëpunëtorit të drejtësisë, ku ndër të tjera ka shpjeguar se grupi i vëllezërve Franc dhe Hajdar Çopja, ku bëjnë pjesë Mikael Qosja dhe Talo Çela e persona të tjerë, kanë planifikuar eliminimin e Erion Alibejt gjatë ecjes me makinë. Ndalimi i makinës së tij do të realizohej me hedhjen e vajit të djegur në rrugë, me qëllim që makina të dilte nga rruga.

Nuredin Dumani

Në vitin 2019, kohë kur unë kisha dalë nga burgu në Francë dhe ndodhesha në Shqipëri, takohesha shpesh me Talo Çelën edhe pse ai ishte në kërkim. Gjatë diskutimeve Talo më tha: “Kemi një punë që duhet ta bëjmë por na duhet të marrim vaj makinash të djegur që ta hedhim në rrugë pasi personi që ne do të vrasim ecën shumë shpejt me makinë të blinduar. Është shumë e vështirë ta eliminosh prandaj duhet fillimisht ta nxjerrim nga rruga duke hedhur vaj dhe më pas kur ai t’i afrohet zonës ku ne do hedhim vajin, do e godasim me kamion për ta nxjerrë jashtë rruge dhe më pas do ta godasim me automatik deri kur plumbat të futeshin brenda në xham”.

Unë nuk e dija kush ishte ky person. Kjo nuk u realizua pasi në atë kohë personit që i referoheshin me pseudonimin “krymi” sapo i ishte vrarë vëllai i tij dhe sipas Talos nuk ndodhej në Shqipëri, por ishte në Holandë. Talo më kërkoi që të shkoja në Holandë dhe ta vrisja atje. Vrasja do të kruhej në një berberhane, vend ku ai shkonte të qethej. Shuma që paguhej ishte 300 mijë euro. Në këtë ngjarje do merrja pjesë unë dhe një person tjetër që do të ngiste motorin. Organizimi i vrasjes në Holandë bëhej nga Kel Kamami, i cili e kishte marrë këtë punë nga Franc Çopja dhe Hajdar Çopja. Unë nuk e pranova këtë pasi në atë kohë kisha ekspuls nga Europa për 3 vite.

Nga bisedat që Dumani ka zhvilluar me vëllain e tij, kuptohet se grupi i vëllezërve Çopja, po tentonin çdo lloj forme për të eliminuar Erion Alibejn, për të cilin paguanin deri në 2 milionë euro. Madje flasin edhe për një mundësi ruajtjeje me snajper, por sipas tyre kjo është e pamundur pasi ai ruhet shumë dhe është e pamundur që ta mbajnë në objektiv. Ai nuk del kurrë dhe askush nuk mund ta shohë apo të dijë se kur ikën dhe kur vjen. Sipas tyre ai ka blinduar gjithë qytetin me kamera dhe në këtë formë lodhen kot. Flasin edhe për një mbledhje që kanë pasur për të planifikuar vrasjen e Alibejt.

Nga të gjitha veprimet, konteksti i bisedave në SKY e provave të tjera që i mbështesin, Gjykata ka arritur në përfundimin se vrasja e Endrit Alibejt, Arben Dylgjerit dhe Erdal Duranay është kryer në bashkëpunim nga: Franc Çopja e Hajdar Çopja që kanë pasur rolin e financuesit dhe porositësit, Mikael Qosja, në rolin e organizatorit dhe vëzhguesit, Talo Çela, organizator dhe shofer i mjetit të autorëve, Altin Ndoci në rolin e ekzekutorit, Dashnor Dumani, si pjesëmarrës në ngjarje, Besmir Haxhia, në rolin e ekzekutorit, Emiljano Ramazani në rolin e vëzhguesit dhe informatorit, Eljo Bitri në rolin e vëzhguesit dhe informatorit. Për Besmir Haxhinë dhe Emiljano Ramazanin nuk mund të fillohet procedim pasi janë vrarë.

9 prill 2019

Grabitja në Aeroportin e Rinasit

Mesditën e 9 prillit të vitit 2019, në pistën e avionëve në Aeroportin e Rinasit, persona të armatosur me armë luftarake dhe të maskuar, grabisin afro 4.6 milionë euro që do të eksportoheshin me linjën e avionit Tiranë – Vjenë.

Për ngjarjen Gjykata e Posaçme dha vendimin në muajin tetor të vitit 2023 duke dënuar me 122 vite burgim 7 të pandehurit e grupit kriminal. Ai që konsiderohej numri dy i këtij grupi grabitësish, Klement Çala do të qëndrojë pas hekurave për 20 vite, ndërsa për gjashtë të tjerët të arrestuar për grabitjen: Oltion Veseli, Renaldo Sulaj, Saimir Çela, Oltion Pikli, Alkon Bengasi dhe Eldi Çala, janë dënuar me nga 17 vite burg për secili. Dënimet janë më të ulëta se ato të pretenduara nga Prokuroria e Posaçme, e cila për Klement Çalën kërkoi 24 vite burg, ndërsa për gjashtë të pandehurit e tjerë nga 19 vite. Ndërsa i akuzuar si pjesë e bandës është edhe Talo Çela, por gjykimi për të vijon të jetë i ndarë sepse ai është ende në arrati, duke u zhvilluar në mungesë.

Nga identifikimi i autorit të ngjarjes, personit që mbeti i vrarë, Admir Murataj, provave shkencore të përftuara në lidhje me automjetin e përdorur në vendin e ngjarjes për të realizuar vjedhjen me armë, shpjegime që janë konfirmuar edhe nga i pandehuri Alkond Bengasi, është bërë e mundur zbulimi i disa prej anëtarëve të grupit kriminal.

Ndërkohë nga analizimi i bisedave të zhvilluara në SKY, rezultoi se përveç autorëve që ishin të identifikuar dhe të vënë nën akuzë, në këtë ngjarje kanë marrë pjesë edhe Altin Ndoci, Dashnor Dumani, Dorian Shkoza, i cili është vrarë dhe persona të tjerë. Edhe për këtë ngjarje ka dhënë sqarime në cilësinë e bashkëpunëtorit të drejtësisë, Nuredin Dumani, i cili ka deklaruar se i vëllai ka marrë nga Talo Çela 30 mijë euro, ndërsa vetë Talo ka marrë 600 mijë euro.

SPAK ka administruar ndër të tjera edhe një bisedë të zhvilluar në SKY mes Talo Çelës dhe Franc Çopjas, ku i flet për raportin që ka me Altin Ndocin dhe për provat që mund të ketë Prokuroria për këtë ngjarje.

Talo Çela – Franc Çopja

Talo Çela: Për mua Altinin jemi shokë me to, të përbashkët, kaq. Pastaj Rinas, grabitje, gjëra, të gjitha bashkë. I lidhin me Rinasit kot mendoj, për t’i bërë lëmsh, s’e di…

Talo Çela: Ishalla s’ka prova të tjera për Rinasin, ia hodha unë.

Më pas Talo Çela komunikon për të njëjtën çështje me Mikael Kamamin.

Talo Çela – Mikael Kamami

Mikael Kamami: Mos kanë përgjuar të shtëpisë së atij dhe mos ka dalë emri jot dhe i Altin Ndocit te shtëpia. Edhe mos mendojnë që ka qenë edhe Altini.

Mikael Kamami: Nuk ka thënë ai që strehonim një të Rinasit, kjo ka dalë nga bisedat e familjarëve.

Mikael Kamami: Eljo u bë xheloz kur bërë Rinasin dhe këtë ta tha në sy.

Mikael Kamami: E mbyllim këtë të Rinasit se për të tjerat s’ka asnjë provë.

Mikael Kamami: Me llafe s’të dënon kush në Gjykatë, se për këtë punë i kemi lekët, s’i kemi për me i mbajt poshtë jastëkut.

Talo Çela: Po kam frikë tjetër unë se gjithmonë s’ka provë, s’ka provë, por kam hall mos e ka vrarë dajën gabimisht një nga këta, si greku i vogël për shembull, që s’e takonte vëllain e dajës. Pse nuk e takonte ai? S’ka gjë të keqe edhe gabimisht tha ai, po s’ka gjë, robi e takon. Dhe dosja mbahet sekret dhe shpërthen në gjyqe ekspertiza për dajën e mbase del distancë e afërt, 2-4 metra distancë, gabimisht nga kallashi. I bie nga shokët. Se të zinjtë kanë pasë armë Bereta automatike, kanë gjuajtur nga mbi 50 metra larg. Nuk mund ta shpojë kokën tej e tej, por s’e di tani, ishalla. I kanë gjuajtur të zinjtë, mos të ngeli nga ana jonë, se vëllai i tij thotë është vrarë nga shokët gabimisht. Kjo është e keqe për të gjithë pastaj. Armët janë djegur me furgonat.

Me “greku” ata i referohen vëllezërve Çala, ndërsa me “spiuni”, Alkond Bengasit. Nga konteksti i bisedave rezulton që Talo Çela ka qenë shofer i automjetit të grabitjes në Rinas.

Talo Çela, i cili sot është një nga njerëzit më të kërkuar të Policisë së Shtetit, besohet se është larguar nga Shqipëria, duke u vendosur në një vend të Amerikës Latine, me identitet të ndryshuar. Çela që mes anëtarëve të grupit thirrej me nofkat “Moma”, “Katnari” e “Dhelpra”, del në komunikimet e SKY se po përgatiste largimin e tij nga vendi, duke shfaqur mendim se do vendosej në Brazil me emër tjetër.

Talo Çela: Do iki në Brazil, andej me emër tjetër. Po doli prova këtu për Rinasin, s’kam ku rri më kot këtu në Shqipëri. Këtu merr 20 vjet, plus dhe këto vrasjet e leshit…

Shtator 2020

Plani për vrasjen e Erion Alibejt

Në shtator të vitit 2020, klani Çopja angazhohet maksimalisht për të eliminuar Erion Alibejn, për të cilin ofroheshin 4 milionë euro. Grupi ishte angazhuar duke planifikuar vrasjen e tij me anë të shpërthimit, duke vendosur eksploziv në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Elbasanit. Ndërsa informacionet për vendqëndrimin e saktë të tij në ambientet e Policisë, pas arrestimit, do ua jepte Martin Musaj.

Në lidhje me këtë ngjarje, SPAK ka regjistruar procedim penal më 14 prill të vitit 2022. Ndërsa në nëntor të vitit 2023 kanë marrë përgjigjen e kërkuar nga autoritetet franceze, në lidhje me komunikimet në SKY të anëtarëve të grupit.

Siç rezulton nga komunikimet, Mikael Kamami, në bashkëpunim me Arzen Memën dhe Martin Musajn, kanë bërë një plan që nëse kapej Erion Elibej, t’i vendosnin një bombë në dhomë. Kamerat që monitoronin pjesën e jashtme të Drejtorisë së Policisë ishin jashtë funksionit, ndërsa plani ishte që dikush të hipte nga mbrapa shkallëve dhe t’i shpjegohej se ku do të vendosej lënda plasëse. Ata kishin mësuar se po të futeshin nga mbrapa, ku nuk kishte kamera, dilej direkt te dhoma. Fillimisht ishte diskutuar që të vendosej 100 gramë tritol tek muri i dhomës ku ai qëndron dhe mund ta shpërthenin. Ndërkohë, Mikael Kamami propozon që për vrasjen e Erion Alibejt, duhej të vendosej 5 kg tritol. Por Arzen Mema i ka thënë se një sasi e tillë është shumë dhe mund btë vritej edhe ndonjë polic. Ndërsa për realizimin e atentatit diskutonin që e kanë të thjeshtë, pasi njihnin personin që do t’i dërgonte ushqimin në dhomë.

Më datë 18 shtator 2020, Arzen Mema informon Mikael Kamamin se kishin arrestuar Erion Alibejn dhe se ndodhej në katin e tretë të Drejtorisë së Policisë, i veshur me një bluze të zezë. Ndërsa më vonë e informojnë se tek dera ku po mbahej i ndaluar Alibej, po qëndronin 2 punonjës të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë.

Mikael Kamami – Arzen Mema

Mikael Kamami: Bisedo me Martinin për ta vendosur tritolin se është gati çdo gjë.

Arzen Mema: Martini nuk po e gjen dot dhomën ku po qëndron Erioni, pasi brenda janë 4 vetë dhe nuk e di nëse janë bashkë apo veç e veç.

Mikael Kamami: A e di dhomën personi që do t’i çojë ushqimin?

Arzen Mema: Martini nuk ka alibi si të shkojë të gjejë dhomën, pasi ushqimin Eionit ia çon një oficer Policie.

Mikael Kamami: Vendosni lëndë plasëse në çdo dhomë, por mund të vriten edhe njerëz të tjerë të pafajshëm.

Mikael Kamami: E gjetët dhomën ku po qëndron?

Arzen Mema: Për momentin nuk kam informacion.

Nga hetimi ka rezultuar se organizata kriminale e vëllezërve Çopja, kanë pasur për qëllim vrasjen e Erion Alibejt dhe njerëzve të tij. Organizator ka qenë Mikael Qosja, i cili sipas Prokurorisë është pika kyçe e organizatës dhe vendos lidhjet me hallkat e tjera sikurse janë ekzekutorët dhe ndihmësit. Rezulton se punonjësi i Policisë, Martin Musaj ka qenë në dijeni të qëllimit të organizatës dhe i ka ndihmuar me informacione, me qëllim ekzekutimin e Alibej.

Një tjetër plan për vrasjen e Erion Alibejt ishte bërë edhe më herët, në periudhën nëntor 2019 – janar 2020. Ky plan ishte organizuar nga vëllezërit Franc dhe Hajdar Çopja, Mikael Kamai, Altin Ndoci dhe Flobenc Meçja, të cilët rezulton të kenë kryer veprime konkrete për vrasjen e Alibejt. Për këtë ngjarje janë zhvilluar biseda konkrete mes Franc Çopjas dhe Mikael Kamamit. Më pas Kamami ka biseduar me Altin Ndocin dhe Flobenc Meçes. Referuar bisedave, Altin Ndoci informonte Kamamin se Flobenc Meçja do të nxirrte në pritë Erion Alibejn dhe kur të dilte do ta ekzekutonte. Në kohën që është zhvilluar kjo bisedë, Erion Alibej ndodhej në burg. Kamami informonte se shuma për vrasjen e tij varionte nga 500 mijë deri në 1 milion euro. Është diskutuar që ta qëllojnë me snajper, por më pas kanë dalë në përfundimin se ka vështirësi, pasi plumbat nuk mund të depërtojnë duke qenë se janë godinat që e mbrojnë.

Në shkurt të vitit 2020, Kamami bisedon me Ervis Dakën, i cili shpreh dëshirën për ta vrarë Erion Alibejn, duke thënë se ishte i gatshëm të bëhej kurban. Ndërsa e pyet Mikael Kamamin nëse njihte njeri tek pallati i Alibejt, me qëllim që të ndizte një zjarr dhe më pas ai të futej si zjarrfikës dhe ta ekzekutonte. Këto mesazhe Kamami ia ka kaluar për t’i lexuar edhe Franc Çopjas.

Ndërsa në mars, Kamami bisedon me Besmir Haxhinë për të kryer ekzekutimin me dron. Ndërsa Haxhia i ka thënë se këtë ngjarje do e realizojë grupi i tyre dhe se nuk do që të angazhojë përsona të tjerë, pasi ky veprim do t’i ekspozonte. Kamami e informon edhe Franc Çopjan, të cilit i thotë se snajperi dhe dronët do të jenë gati për të ekzekutuar Erion Alibejn. Në dron të ketë minimumi 15 kg tritol që do të shpërthejë sipër shtëpisë së Alibejt.

Mikael Kamami – Franc Çopja

Mikael Kamami: Të fundit pra o plako, me e shkri komplet. Pak dëme edhe poshtë do të ketë. O plako, s’janë ekspertë shembjesh. 6 copë do bëhen, po 3 copë do plasën në të njëjtën kohë.

2019  – 2020

Planet për vrasjen e Arjan Spahiut

Organizata kriminale e vëllezërve Çopja, në periudha të ndryshme gjatë vitit 2019 e 2020, është angazhuar maksimalisht për ekzekutimin e Arjan Spahiut, i cili ishte pjesë e klanit Alibej. Madje në një rast ata kanë tentuar që përveç Arjanit të vrisnin edhe vëllain e tij, Arbenin, duke dashur që të eliminonin edhe miqtë e tyre, të gjithë që ishin afër vëllezërve Alibej. Në atë periudhë Arjan Spahiu ndodhej në Elbasan. Në një rast, Talo Çela është angazhuar maksimalisht duke ndjekur me një makinë me fenelina policie automjetin që supozohej se ndodhej Arjan Spahiu, por pasi e kanë ndaluar, kanë parë që në makinë ndodhej dikush tjetër. Grupi kishte marrë direktiva se në rast se eliminohej Spahiu, 85 për qind e luftës ishte e fituar. Madje në korrik të vitit 2020, ditën kur u vra Emiljano Ramazani, i cili ishte pjesë e grupit Çopja, është bërë plani për vrasjen e të btre vëllezërve Spahiu, Arjanit, Arbenit dhe Rigersit. Planet vijojnë njëri pas tjetrit, duke dështuar derisa në një bisedë të datës 28 nentor 2020, që Franc Çopja zhvillon me Mikael Kamamin, shprehet se tani janë të kompletuar dhe kanë hyrë përsëri në linjë. Në të njëjtën kohë kur zhvillohet kjo bisedë, më datë 27 nëntor 2020, është ekzekutuar Arjan Spahiu, në Molenbeek, në Belgjikë. Për vrasjen e tij, organizata kriminale Çopja, kishte rekrutuar dhe paguar Elio Bitrin dhe Flobenc Meçen, si ekzekutorë. Më pas Franc Çopja i thotë Kamamit se tani do të shfrytëzonin Elbasanin, që nënkuptohen vrasjet që kishin planifikuar atje, ekzekutimin e Arben Spahiut dhe Everest Çakës. Në disa biseda, Franç Çopja kërkon që detyra t’i ngarkohet Elio Bitrit, pasi nuk kishin më besim te Talo Çela.

Në të njëjtën ditë që është vrarë Arjan Spahiu në Belgjikë, Talo Çela dhe dy persona të tjerë kanë shkuar që të shohin vëllezërit e tij, Arben dhe Rigers Spahiun, me qëllim për t’i vrarë. Por këtë gjë e kanë bërë edhe në ditët në vijim, kur është bërë ceremonia mortore për Arjan Spahiun.

Franc Çopja – Mikael Kamami

Franc Çopja: Talo Çelën mos e përziej më në asnjë punë.

Franc Çopja: Se jemi të kompletuar tani dhe u futëm prapë në linjë. Të heqim këta që janë për t’u heqë. Nuk na prishin punë këto zgjebsat. Po të heqim dhe nja dy të tjerë tani që janë të domosdoshëm.

Biseda bëhet për të vrarë Arben Spahiun, që është kunati i Erion Alibejt dhe Everest Çakën, i cili është lidhje familjare e vëllezërve Spahiu, por edhe vëllain tjetër, Rigers Spahiu.

Bashkëpunimi me punonjës Policie e të Gjykatës

SPAK ka marrë në hetim si pjesë e grupit Çopja, edhe punonjësin e Policisë së Durrësit, Agustin Çinari, i cili në raste të përsëritura gjatë vitit 2020, ka kryer kontrolle në sistemet e Policisë së Shtetit për llogari të Franc Çopjas.

Rezulton se Çinari ka informuar Franc Çopjan për hyrje daljet e Erion Alibejt, familjarëve të tij dhe Arjan Spahiut, duke aksesuar në sistemin TIMS. Gjithashtu ka kontrolluar për automjete dhe targa nëpërmjet sistemit E-Gjoba. Ka informuar Franc Çopjan lidhur me disa ngjarje kriminale, si dhe kontrollet që kryenin forcat e Policisë së Shtetit. Nga ana tjetër, Agustin Çinari është përfshirë në veprimtari kriminale të trafikut të lëndëve narkotike, nisu nga një bisedë që ka bërë me Franc Çopjan, të cilit i kërkon kokainë për vetë dhe për lidhjet e tij në Shqipëri e Itali. Ndërsa në disa raste të përsëritura, Çinari, me porosi të Çopjas ka marrë dhe transportuar vlera monetare, të cilat më pas i ka dërguar në destinacionet përkatëse, sipas udhëzimeve dhe orientimeve të marra nga Franc Çopja. Nga aplikacioni SKY janë përftuar disa biseda që Agustin Çinari ka zhvilluar me Franc Çopjan.

Franc Çopja – Agustin Çinari

Franc Çopja: Po vrasim, po tresim e prapë nuk i dilet.

Franc Çopja: Nga totali për vlerën e mallit (73 kg kokainë e shitur në Itali), 34 500 euro do i mbash ti.

Agustin Çinari: Në Port të ndihmoj unë nëse je i interesuar për të sjellë gjë në Shqipëri. Çdo e-mail që më vjen, marr numrin e kontejnerit dhe e veçoj. Pastaj ndonjë nga njerëzit vjen e merr mallin dhe e nxjerr nga Porti.

Franc Çopja: A ke njeri që të marrë përsipër vrasjen e Nuredin Dumanit. Më ka krijuar shumë probleme. Unë hallin e kam me tarzanin (Endrit Alibejn). Ofroj 1 milion euro.

Agustin Çinari: Vetëm mund ta arrestoj Nuredinin, por për këtë punë nuk më ke.

Nga hetimet dhe analizimi i të gjitha provave, rezulton se Agustin Çinari ka qenë i rekrutuar nga organizata Çopja me rolin e ndihmësit, duke përdorur aksesin e dhënë për shkak të funksionit në data bazat e Policisë së Shtetit, ku është loguar dhe ka kryer veprime në sistemet TIMS dhe E-Gjoba, për llogari të Franc Çopjas.

Ish-gjyqtarja e Elbasanit Pajtime Fetahu është po ashtu një nga njerëzit e drejtësisë që akuzohet nga SPAK për korrupsion në shumën 11 mijë euro plus një monedhë flori që dyshohet se ka marrë nga Mikael Kamami dhe bashkëpunëtori i tij, Arzen Mema. Vetë gjyqtarja Fetahu, e cila thirrej me nofkën “Komshia” nga anëtarët e grupit, nuk del në asnjë komunikim të drejtpërdrejtë me anëtarët e kësaj organizate, as rezulton të jetë përdoruese e aplikacionit SKY. Por SPAK i kanë mjaftuar disa komunikimi të bëra në SKY mes Arzen Mema, sekretares Denada Toda dhe Mikael Kamamit, që të çojë në “arrest shtëpi” ish-gjyqtaren e Elbasanit, Pajtime Fetahu. SPAK thotë se ka evidentuar dy raste ku Pajtime Fetah ka marrë nga Mikael Kamami, nëpërmjet Arzen Memës, në një rast 10 mijë euro, 1 mijë euro në rastin e dytë dhe një monedhë floriri në rastin e tretë, në shenjë dhurate për nder të lindjes së mbesës së saj, pasi ishte bërë gjyshe.

Çfarë rezulton nga dosja voluminoze e SPAK, është fuqia dhe agresiviteti i një organizate kriminale, që për shumë vite nuk përmendej nga askush. Vëllezërit Çopja kishin arritur të depërtonin kudo dhe të kishin informacion për gjithçka që u nevojitej. Të betuar për të vrarë çdo njeri që qëndronte afër armiqve të tyre, vëllezërve Alibej, ata kishin arritur që të paktën për 4 vjet të finalizonin disa atentate. Disa të tjera kishin dështuar, ashtu sikurse vrasjen e Erion Alibejt, të cilin e kishin tentuar me çdo mënyrë. SKY zbuloi vetëm disa prej krimeve të tyre, të paktën për ato vite që anëtarët e klanit Çopja kanë përdorur këtë aplikacion. Nga zbërthimi i të gjithë këtyre ngjarjeve, Elbasani shfaqet ashtu sikurse përflitej pak kohë më parë. Madje edhe nga vetë përfaqësuesit më të lartë të drejtësisë. Një qytet, që siç e konsideronte kryeprokurori Olsian Çela, në një takim në Prokurorinë e Elbasanit më 5 tetor 2020, ishte kthyer në një skenë lufte mes bandave.

Kryeprokurori Olsian Çela, në një takim në Prokurorinë e Elbasanit, 5 tetor 2020

Olsian Çela: Në Elbasan po vihen re shenja të qarta të kontrollit të elementëve kriminalë mbi territorin. Këto janë tipare të qarta të krimit të organizuar, të cilat kërkojnë një vëmendje të veçantë dhe kërkojnë një përgjigje ekzemplare. Nuk mundet të tolerohet që një qytet të kthehet në skenë të luftës mes bandave.

Sot, ato grupe që dominonin Elbasanin janë goditur, pothuajse të gjitha. Të parët Çapjat, më pas Alibej e së fundmi Çopjat, edhe pse jo plotësisht, pasi një pjesë e madhe e anëtarëve nuk janë arrestuar. I vetmi që vijon arratinë, edhe pse duket që ka dijeni për gjithçka që ndodh, siç e tregon edhe kjo dosje e SPAK, është Suel Çela.

Por ajo çfarë nxori në dritë hetimi për grupin Çopja, ishte fakti se për shumë kohë ky klan, që më pas rezultoi një organizatë e fuqishme dhe e pamëshirshme, ishte lenë në hije. Falë aftësisë së tyre për t’u fshehur, por falë edhe lidhjeve të duhura që ata kishin në Polici e drejtësi, ia kishin dalë që të mos u hynte gjemb në këmbë edhe pse ngado ku kalonin, linin pas gëzhoja e viktima. Atëherë kur të gjithë merreshin me Çapjat e Çelajt, lufta e vërtetë në fakt po zhvillohej mes klanit Çopja dhe Alibej. SPAK numëron 14 atentate, por sa e sa të tjera mund të mos jenë realizuar për shumë e shumë arsye, kjo mbetet të zbulohet, ndoshta nga ndonjë aplikacion tjetër, apo edhe ndonjë i penduar që historia ka treguar se grupe të tilla i kanë me shumicë./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!