Etleva Delia
Çdo vit, miliarda dollarë lëndë narkotike rrethojnë globin, të nxitur nga kërkesa e miliona përdoruesve.
Në çdo hap, autoritetet përpiqen të kapin drogën dhe ata që furnizojnë shpërndarësit.
Në përgjigje të kësaj, trafikantët kanë shpikur lloj lloj mënyrash, për të fshehur ngarkesat e tyre.
Autoritetet ligjzbatuese në mbarë botën, vit pas viti zbulojnë mënyrat e trafikantëve, që arrijnë ta fshehin drogën mes gëlqeres, apo produkteve të tjera bujqësore dhe ushqimore. Por fshehja në ushqime nuk është e vetmja mënyrë.
Në janar të vitit 2016, agjentët në Teksas zbuluan një ngarkesë marijuane të mbështjellë me shirit portokalli, të fshehur brenda një ngarkese me karrota. Autoritetet zbuluan aty një ton marijuanë me vlerë gjysmë milioni dollarë.
Kokainë e fshehur brenda arrave të kokosit, apo brenda trupit të një peshkaqeni të ngrirë, në banane të rreme, apo në produkte të tjera ushqimore, është zbuluar shpesh kryesisht nga autoritetet amerikan. E ashtu siç testojnë mënyra për t’i fshehur lëndët narkotike, trafikantët testojnë edhe linjat e reja.
Produkte të ngrënshme të ndërtuara me lëndë narkotike, dronë, nëndetëse, apo edhe stomaku i njërit, kjo është një listë jo shteruese e mënyrave të zgjedhura nga trafikantët e drogës. Ata kanë përzier biznesin e ligjshëm me aktivitetet e tyre të paligjshme, në mënyrë që e para të mund të fshehë të dytën. Edhe Joakin Guzman, i njohur si “El Chapo”, nuk bënte përjashtim.
Ai hapi një fabrikë konservash në Guadalahara dhe filloi të prodhonte mijëra kanaçe me stampimin ‘La Comadre’, të cilat i mbushi me kokainë. Më pas i mbyllte me vakum dhe i dërgonte në dyqanet ushqimore në pronësi të meksikanëve në Kaliforni.
Sipas një gjykate në San Diego, 1400 kuti me speca të konservuar, të mbushura me qindra kilogramë kokainë, u kapën në kufi.
El Chapo
Joakin Guzman përfundoi vetëm tre vitet e para të arsimit bazë, por krijimtaria, inteligjenca dhe ambicia e tij e pozicionuan atë si një nga kriminelët më të fuqishëm dhe më novatorë në historinë e trafikut meksikan të drogës. Ish-udhëheqësi i kartelit Sinaloa, krijoi teknika të pafundme për të transportuar drogë në Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera edhe para themelimit të organizatës së tij kriminale.
Në Meksikë, prodhimi dhe shpërndarja e lëndëve narkotike ka lënë pas qindra histori kriminelësh si Pedro Avilés Pérez, i konsideruar si trafikanti i parë i madh meksikan i drogës; Ismael ‘El Mayo’ Zambada, bosi që nuk ka shkelur kurrë në burg; Amado Carrillo Fuentes, i cili përdori një flotë avionësh për të trafikuar lëndë narkotike përmes ajrit.
Në listë spikat edhe Guzmán Loera, i cili përveçse njihet se ka realizuar në arratisje të denjë për filma nga dy burgje të sigurisë së lartë, njihet edhe si një nga njerëzit që revolucionalizoi biznesin e drogës përmes metodave gjeniale që u praktikuan për vite me radhë, pa e kuptuar autoritetet.
Për shkak të planifikimit dhe investimit të tij, më i dalluari është përdorimi i tuneleve kufitare, por ka të tjerë që ishin më ekonomikë dhe që dhanë të njëjtat rezultate pozitive gjatë viteve ’90: Epoka, në të cilën “El Chapo” filloi të pozicionohej si një nga trafikantët më të njohur të drogës në vend.
Shembull i kësaj ishte ‘La Comadre’, një markë specash të konservuar, përmes së cilës ish-trafikanti i drogës dhe organizata e tij e sapolindur, karteli Sinaloa, trafikuan tonelata kokainë në veriun fqinj.
Midis viteve 2018 dhe 2019, gjatë gjyqit kundër Guzmán Loera, të mbajtur në gjykatën federale të Manhatan, Nju Jork, autoritetet amerikane zbuluan mënyrën e funksionimit të “El Chapo”. Pjesa më e madhe e këtyre të dhënave u siguruan nga dëshmitarët e mbrojtur.
Njeriu që dikur filloi trafikun e drogës si pilot dhe u bë një nga njerëzit më të afërt me bosin, teksa rrëfehej në gjyq, tregoi se magazina ‘La Comadre’ ndodhej në Mexico City, ku punëtorët e kartelit nga Sinaloa e fshihnin drogën në kanaçe dhe më vonë i përzien me shishe që përmbanin spec djegës për t’u transportuar në anën tjetër të kufirit. Dëshmitari i mbrojtur, tregoi se punëtorët, të cilët zakonisht përfundonin “të dehur” kur paketonin kokainën, e mbyllnin javën me deri në 3 mijë kanaçe të paketuara. Vlerësohet se përmes kësaj metode ‘El Chapo’ arrinte të transportonte 25 apo 30 ton drogë në vit, vlera e së cilës vlerësohej nga 400 deri në 500 milionë dollarë.
Kokaina fillimisht transportohej me kamionë në Tijuana, nga ku më pas avionët privatë të Guzmán Loera merrnin mallin dhe e transportonin drejt në Los Angeles.
Megjithatë, nga fundi i viteve 1980 deri në vitin 2015, “El Chapo” përdori metoda të tjera si anije peshkimi, nëndetëse, aeroplanë me fibër karboni, trena me ndarje sekrete dhe produkte të tilla si qumësht pluhur, fruta dhe perime të gatuara për të transportuar lëndë narkotike. Tashmë ai po vuan dënimin me burgim të përjetshëm në ADX Florence, burgu i sigurisë maksimale të Shteteve të Bashkuara.
TRAFIKU NËPËRMJET PAKOVE POSTARE
Kishte vetëm disa javë që kishte nisur viti 2006. Një metodë e re e trafikut të drogës, nisi të dalë në skenë. Ekspertët e kontrollit të drogës në SHBA paralajmëruan se sistemet e postës, po ktheheshin në rrjetet kryesore të trafikimit të drogës. Presidenti i Bordit Ndërkombëtar të Kontrollit të Narkotikëve, prezantoi në atë kohë raportin e bordit të vitit 2005, duke thënë se 10 milionë pako që përmbajnë lëndë narkotike kishin kaluar në një vit përmes sistemit ndërkombëtar të postës së Shteteve të Bashkuara.
Kjo mund të kishte ndodhur edhe më parë atje, por duket se viti 2005 e vulosi trafikimin e drogës me postë, si një metodë të re që po përdorej masivisht, e ndihmuar edhe nga interneti.
Prej 19 vitesh tashmë, kjo formë e re trafikimi, ndonëse disi e kufizuar në sasi, nuk kufizohej më në territore. Trafiku i drogës nëpërmjet pakove postare, nisi të përdorej gjerësisht duke gjetur terren kudo. Sot edhe në Shqipëri. Vetëm në Tiranë, gjatë vitit 2024 janë zbuluar tri pako postare që vinin nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Konkretisht, nga Çikago, Atlanta dhe Kaliforni. Megjithatë nuk kanë munguar edhe rastet e mbërritjes me postë të farave të kanabisit, nga Anglia, Belgjika dhe Spanja.
Ndërsa vite më parë janë identifikuar edhe pako postare me kokainë, që vinin nga Panamaja dhe Peruja.
Dritan Sula, shefi i Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në Policinë e Tiranës, tregon rastin e parë të zbuluar gjatë vitit 2024.
Dritan Sula: Rasti i parë i trafikimit të lëndëve narkotike nëpërmjet postës ka qenë në janar të këtij viti, ku u kapën dy pako me rreth 5 kg lëndë narkotike kanabis sativa. Vinin nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në emër të personave të ndryshëm dhe të moshave të ndryshme.
KANABISI ME PERQINDJE TE LARTE THC
Një operacion i koduar “Çikago”, që u zhvillua më 14 janar 2024, startoi në Tiranë zbulimin e rasteve të trafikut të kanabisit me postë, që vinte nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dy persona u arrestuan dhe një tjetër u shpall në kërkim. Operacioni u realizua nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në Policinë e Tiranës, Drejtorinë e Hetimit Doganor në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës. Në pranga ra një 16-vjeçar dhe 23-vjeçari Gledis Dikellari.
Lënda narkotike ishte mbështjellë me disa shtresa qesesh për të evituar kapjen nga kontrollet dhe skanerat, ndërsa ishte paketuar si një porosi normale. Policia tha se brenda në pakon e mbërritur me postë ishin futur 5 kg kanabis sativa, me vlerë tregu 250 mijë dollarë.
Dritan Sula: Kemi pasur persona të moshave të ndryshme, përfshirë edhe persona të mitur, apo edhe të niveleve të ndryshme ekonomike dhe sociale. Në rastin e parë që kemi hasur, në janar të këtij viti, pritësi ishte një person i cili kishte ndërruar jetë disa kohë më përpara dhe trafikantët kishin përdorur kartën e identitetit të këtij shtetasi.
Më 20 mars 2024, një tjetër sasi kanabisi që kishte mbërritur me postë nga Amerika, u zbulua nga Policia e Tiranës. Gjatë operacionit të koduar “Atlanta”, si vendi nga ku ishte nisur droga, u sekuestrua 1.6 kg kanabis. Një person u arrestua dhe një tjetër u shpall në kërkim. I arrestuari është Ilir Sefa, 27 vjeç, në emër të të cilit kishte ardhur edhe pakoja me postë nga SHBA. Në kutinë prej kartoni, e futur në disa qese plastike me synim kamuflimin që të mos kapej nga skanerët e postës, Antidroga gjeti 1 kg e 600 gramë kanabis sativa, me një përqindje të lartë THC.
Dritan Sula: Kemi arritur në sajë të inteligjencës policore, në sajë të informacioneve që disponon Policia, por edhe nga bashkëpunimi me Hetimin Doganor, në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, që kanë hasur dhe kanë kontrolluar pakot të ndryshme, ku kanë dyshuar dhe menjëherë kanë bërë njoftimin e organeve kompetente, siç është Policia në të tilla raste.
Dritan Sula: Nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës janë bërë veprime hetimore, me metodat speciale të hetimit dhe deri në këto momente kemi pasur rezultate shumë të mira.
Pak ditë më pas, më 29 mars, një tjetër rast i trafikut të drogës me postë dhe që kishte pikënisjen po nga Amerika, kësaj here nga Kalifornia, u zbulua sërish në Tiranë. Policia sekuestroi 3.2 kg kanabis sativa dhe vuri në pranga dy persona. Droga ishte porositur në Kalifornia dhe kishte përqindje të lartë THC. Të arrestuarit, Skënder Vata, 27 vjeç dhe Jurgest Luzi, 24 vjeç, të dy banues në Kamzë, janë personat që kanë marrë pakon me lëndë narkotike. Organizatori dyshohet të ketë qenë Skender Vata, i cili kishte përfshirë edhe 24-vjeçarin Luzi, i cili kishte tërhequr pakon nga posta. Në fakt pakoja postare ishte dërguar në emër të një personi tjetër me origjinë nga Korça.
Kanabisi me përmbajtje të lartë THC që vjen nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës është shumë më i kushtueshëm se kanabisi i zakonshëm. Lënda narkotike blihet me çmim të ulët në SHBA, me 10 mijë dollarë kilogrami, por kur sillet në vendin tonë shitet me vlerë 5 herë më të lartë, që shkon në 50 mijë dollarë kilogrami.
Sjellja e kanabisit me përmbajtje të lartë THC nga SHBA është bërë fenomen në muajt e fundit dhe një shqetësim i vazhdueshëm për autoritetet, të cilat kanë shtuar kontrollet nëpër posta. Duket si një lloj testimi nga ana e trafikantëve për këtë formë trafikimi, që gjithsesi Policia e Tiranës nuk e konsideron si një rrugë të konsoliduar.
Dritan Sula: Nuk mund të quhet një rrugë e konsoliduar, por një rrugë formale që trafikantët po mundohen të fusin këtë lloj kanabisi, i cili ndryshon nga kanabisi i zakonshëm pasi ka një nivel THC-je shumë më të lartë. Ka më shumë efekt tek personat që e përdorin, por edhe çmimi është rreth 10 herë më i lartë se i kanabisit të zakonshëm. Çmimi i tregut që shitet një kilogram, shkon rreth 50 mijë dollarë. Një dozë, 1 gram – 1.5 gram, shitet 50 euro. Pak a shumë i ngjason çmimit të kokainës por efektet janë të ndryshme.
Por çfarë është kanabisi me nivel të lartë THC-je. Vetë THC, shkurtimi i delta-tetrahidrokanabinoli, është komponimi kimik kryesor psikoaktiv në përbërjen e bimës narkotike. Marijuana ka efekte psikoaktive dhe fiziologjike kur konsumohet. Sasia minimale e THC, që shkakton efekt të dukshëm psikoaktiv, është rreth 10 mikrogramë për kilogram të peshës trupore. Përveç ndryshimit subjektiv në perceptim dhe humor, efektet e tjera më të shpeshta afat-shkurtra fizike dhe neurologjike përfshijnë rrahje më të shpeshta të zemrës, presion të ulur të gjakut, dobësim të memories afat-shkurtër, koordinimit të lëvizjeve, dhe koncentrimit.
Kanabisi me fuqi të lartë, që tani duket se është i disponueshëm kudo, mund të rrisë rrezikun e psikozës dhe të varësisë. Fuqia e kanabisit, e matur nga sasia e THC që gjendet në produkt, është rritur për gati gjysmë shekulli, duke u shtuar me rreth 0.29% çdo vit nga 1970. Ekspertët thonë se ky ndryshim mund të ketë implikime të rëndësishme për shëndetin publik.
Ky lloj kanabisi, është futur në vendin tonë në të paktën 3 raste, që janë zbuluar nga Policia e Tiranës. Megjithatë duket se përdoruesit e kanabisit në vendin tonë, vijojnë në konsumojnë, atë lloj që konsiderohet i zakonshëm.
Dritan Sula: Zakonisht përdoret kanabisi i zakonshëm sepse edhe çmimi i kanabisit që vjen nga Amerika është shumë më i lartë.
Por, me gjithë rastet e zbuluara dhe të sekuestruara nga Policia, nuk përjashtohet mundësia që në ndonjë rast tjetër, pakot postare me lëndë narkotike, mund të kenë kaluar pa u vënë re.
Dritan Sula: Mund të ketë ndodhur që të ketë kaluar, por ne jemi të angazhuar maksimalisht që ta godasim si fenomen, sidomos në doganë apo në vendet e hyrjes në territorin e Republikës së Shqipërisë.
Duket se në rastet e trafikimit me postë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, janë zbuluar nga një bashkëpunim i brendshëm i Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në Policinë e Tiranës, në bashkëpunim me Hetimin Doganor. Por tashmë ka nisur edhe një bashkëpunim me partnerët ndërkombëtar për ta goditur këtë metodë trafikimi, në mënyrë që të mos kthehet në një fenomen.
Dritan Sula: Rastet janë konstatuar nga Policia Shqiptare, por kemi edhe një bashkëpunim të ngushtë me partnerët ndërkombëtar të Policisë.
Por deri tani, Policia është në fazën e arrestimit të pritësve, ende nuk është arritur identifikimi i personave që e kanë nisur me postë nga SHBA.
TRAFIKU I FARAVE TË KANABISIT
Risia e këtij viti për drogën që trafikohet nëpërmjet postës, është vetëm lloji i kanabisit, i cili është me nivel të lartë THC dhe vjen nga SHBA. Por kjo metodë e trafikimit të lëndëve narkotike nuk ndodh për herë të parë. Nëpërmjet postës ka mbërritur në vendin tonë edhe kokaina nga vendet e Amerikës së Jugut, por edhe farat e kanabisit nga disa vende të Europës.
Dritan Sula: Kjo ndodh pasi në këto vende është edhe e legalizuar lënda narkotike, kryesisht kanabisi dhe e kanë më të thjeshtë kultivimin atje. Për këtë arsye i sjellin edhe farat që të kultivohen këtu, në vendin tonë.
Më 16 maj të vitit 2020, një 30-vjeçar është arrestuar në momentin që mori në dorëzim pakon me 11 mijë fara kanabisi të ardhura nga Spanja në kuadër të operacionit të koduar “Kostumi”. I arrestuari ishte Olsi Caushaj. Pakoja me 11 mijë fara kanabisi ishte nisur nga Spanja me postë private.
Pas informacioneve të marra më datë 14 maj 2020, u bë e mundur që në Degën Doganore Tiranë të konstatohej një pako postare me përmbajtje të dyshimtë, e ardhur nga Spanja, me destinacion qytetin e Vlorës. Specialistët e Njësisë për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve në Drejtorinë Hetimore Qendrore e referuan në Prokurorinë e Tiranës, për fillimin e ndjekjes penale, për veprën penale “Trafikim ndërkombëtar i lëndëve narkotike” dhe nën drejtimin e Prokurorisë prej disa ditësh u ndoq me metoda speciale të hetimit.
Më datë 16 maj, nga ana e strukturave të Drejtorisë Hetimore Qendrore, në kuadër të dorëzimit të kontrolluar, në momentin e tërheqjes së pakos postare në qytetin e Vlorës, është bërë arrestimi në flagrancë i 30-vjeçarit Olsi Caushaj. Në pako ishin dy qese që përmbanin fara kanabisi, njëra 7000 fara të cilësisë së lartë për kultivim me llamba elektrike dhe 4000 fara për mbjellje në natyrë.
Më 30 qershor 2022, u finalizua një tjetër operacion i ngjashëm, i koduar “Green mail”. Operacioni u realizua nga Drejtoria Hetimore në Departamentin e Policisë Kriminale, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale në Tiranë. Në pranga ra 34-vjeçari Ardit Gjoni, që dyshohet se kishte trafikuar nga Anglia, nëpërmjet postës, pako me lëndë të dyshuar narkotike, si dhe bashkëpunëtorja e tij, ish-punonjëse e postës, Hava Fuxha, 64 vjeçe, e cila kishte tërhequr pakon. Brenda saj ndodheshin dy pako me kanabis sativa, me një peshë totale prej 1.3 kg.
Rasti i dytë i trafikut të drogës me postë nga Anglia, u godit më 18 gusht të vitit 2022 në Durrës. Dy 18-vjeçarë, Mariglen Vata dhe David Shehu u arrestuan në kuadër të operacionit “Green mail 2”. Dy 18-vjeçarët janë arrestuar pasi akuzohen se kanë sjellë lënë narkotike me anë të postës nga Anglia në Shqipëri. Në vendin e quajtur “Rrethrrotullimi”, në Plepa, Durrës, shërbimet e Policisë kanë ushtruar kontroll në taksinë, me të cilën udhëtonte drejt Tiranës, David Shehu. Si rezultat i kontrollit, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 2 pako kartoni, brenda të cilave ndodheshin 5 qese me lëndë narkotike kanabis sativa, me peshë totale rreth 340 gramë.
Nga veprimet hetimore ka rezultuar se pakot kanë ardhur me postë nga Mbretëria e Bashkuar në Shqipëri dhe se porositësi i tyre ishte Mariglen Vata, i cili kishte dërguar David Shehun për t’i marrë pakot nga vendi i mbërritjes në Durrës dhe t’u dërgonte më pas në Tiranë.
Ndërsa më 2 shtator të vitit 2022, dy të rinj u arrestuan po nga Policia e Durrësit pasi u kapën në flagrancë duke tërhequr pako me kanabis të ardhur nga Belgjika në degën postare. Të arrestuarit ishin Endi Hoxha, 22 vjeç dhe Elimon Hasa, 28 vjeç, të dy banues në Durrës. Ata u kapën në flagrancë sapo tërhoqën pakon nga posta, brenda të cilës kishte kanabis në formë çokollate.
Në shtator të vitit 2023, Policia e Shtetit organizoi një operacion kombëtar që e kodoi “Tempulli”, që në ditët e para kur u zhvillua çoi në pranga 300 persona. Policia goditi 23 grupe, në 5 qarqe të ndryshme të vendit, Tiranë, Durrës, Korçë, Vlorë dhe Elbasan.
“Tempulli” sekuestroi lëndë narkotike pothuajse të të gjitha llojeve. Por zbuloi edhe një lloj droge që nuk ishte ndeshur më parë në vendin tonë. Bëhet fjalë për një lloj kanabisi në forme xhelatine, në dukje si karamele me shije të ndryshme, por me efekt shumë të fortë. që dyshohet se është prodhur e trafikuar nga Kanadaja nëpërmjet postës.
Kjo lloj droge konsiderohet si “bari” më i frikshëm që ekziston”.
Të paktën kështu e përshkruan korrieri Elgert Gjoni, në përgjimet e dosjes së Prokurorisë. Gjoni është një nga dhjetëra të arrestuarit në kuadër të operacionit “Tempulli” në Tiranë. Ai ishte vënë në përgjim për një kohë të gjatë nga grupi hetimor. Aktiviteti i tij shtrihej kryesisht në zonën e “Unazës së Re”.
Në një prej bisedave që ai ka bërë me nje përdorues me emrin Enea në rrjetin social Instagram, diskutohet për cilësi, efekte kënaqësie, por edhe për çmimin që është 300 euro. Fillimisht blerësi i kanabisit trembet, por pas një shpjegimi më të detajuar të Elgert Gjinit, bindet për ta blerë.
Elgert Gjoni: Nga cila?
Enea: Nga ato pra.
Elgert Gjoni: Nga ato konservat? Enea: Konservat e peshkut.
Elgert Gjoni: Po të folim me atë bosin tjetër o xhi.
Enea: Jo më të paktën naj 30 tshe ça me the ti mu?
Elgert Gjoni: Si 30 tshe konserva? Ato jan do pako të zeze
Enea: Ato që më tregove në foto o burr ça kishte apo…
Elgert Gjoni: Po e di o xhi, që kush është 30 tshja o xhi.
Enea: Po dhe kjo e mirë ishte.
Elgert Gjoni: Është 3.5 gramë 30 tshja vlla se nuk i kam hy kot këtij muhabeti për 300 euro.
Enea: 300 euro?
Elgert Gjoni: Po.
Enea: Ça është kjo?
Elgert Gjoni: Rabi më i frikshëm që ekzisto
Enea: Jo mor shok se s’du me vdek unë.
Elgert Gjoni: Jo nuk vdes se ta jep do lloj efektesh që ni 30 tshe o xhi, është 3.5 gramshe dhe ajo …. e pëlqe
Enea: Atë do mor unë me kismet nga e premtja..
Elgert Gjoni është mbajtur për muaj me radhë në vëzhgim nga agjentët e antidrogës dhe në fund është bërë blerje e simuluar nga ana e agjentit në mbulim për të provuar shpërndarjen e kësaj droge të re që zbulohet për herë të parë në Shqipëri. Gjoni arrinte të kamuflonte më së miri lëndën narkotike, të fshehur në kuti konservash apo plastike, me ambalazhim si lodra për fëmijë.
Episode të tilla shitjesh të lëndëve narkotike, të llojeve të ndryshme, ka me dhjetëra në dosjet e Prokurorive. Ato janë të ndara sipas qarqeve ku u kryen arrestimet dhe pritet që të bashkohen në një dosje të vetme. Megjithatë duket se “Tempulli” do të vazhdojë gjatë. Gjatë javës që përkoi edhe me ditët e para të sezonit të ri shkollor, operacioni u koordinua në të gjithë Shqipërinë. Në ambiente pranë shkollave, në bare e lokale nate. Në parqe e rrugica lagjesh. Në parkingje e objekte të braktisura. Madje Policia vëzhgoi edhe nga ajri me helikopter. U monitorua gjithçka nga afro 3 mijë efektivë Policie që morën pjesë në operacion.
Por duket se Policia është e vendosur dhe “Tempulli i drogës” nuk do ta mposhtë “Tempullin e dijes”. Ky ishte edhe kuptimi i emrit që u kodua operacioni.
TRAFIKU I KOKAINËS
Kokaina që ka si vend origjine Amerikën e Jugut, duket se është synimi kryesor i trafikantëve gjatë viteve të fundit. Të paktën kur flasim për sasi të mëdha, siç ishin dërgesat me banane të mbërritura në vendin tonë me konteinerë. Apo edhe më herët, në vitin 1998, ku u zbuluan rastet e para të trafikun të kokainës me tonelata. Megjithatë, ndryshe nga ata që konsiderohen trafikantë të mëdhenj të drogës, shumë të tjerë ndër vite kanë zgjedhur ta trafikojnë në sasi të vogël dhe pa infrastrukturë e shpenzime të mëdha. Me postë.
Në vitin 2010, Gjykata e Krimeve të Rënda, dënoi dy persona që u akuzuan si pritës të një sasie prej 2.5 kilogramësh kokaine, të mbërritur në Tiranë nga Panamaja nëpërmjet postës. Bëhej fjalë për Armand Gavellin dhe Daniel Shimën. Në mesin e muajit nëntor, Prokuroria e Krimeve të Rënda filloi hetimet për një skemë të trafikut të drogës me postë nga jashtë vendit në drejtim të Shqipërisë. Hetimi u bazua fillimisht në një informacion të marrë, sipas të cilit me një prej kompanive të dërgesave drejt Shqipërisë ishte nisur një ngarkesë prej 2.5 kg lëndë narkotike kokainë. Droga ishte fshehur brenda një pakoje ku ndodhej një motorrino automjeti. Pas marrjes së këtij informacioni, Prokuroria shqiptare ka hyrë në komunikim me autoritetet e gjithë shteteve ku do të kalonte ngarkesa dhe ka organizuar më pas edhe procedurën e “dorëzimit të kontrolluar”. Pikërisht me anë të kësaj procedure, lënda narkotike është dorëzuar në aeroportin e Rinasit, në datën 19 nëntor 2010. Sipas hetimeve të Prokurorisë, tek dërgesa në fjalë ishin përdorur emra të rremë si për dërguesin, ashtu edhe për pritësin e lëndës në fjalë. Ndërkohë, nga ana e Prokurorisë janë kryer hetime dhe është realizuar më pas identifikimi i dërguesit të vërtetë të drogës që qëndronte në Holandë. Pas dorëzimit të drogës në doganën e Tiranës, Prokuroria dhe Policia shqiptare kanë ndjekur pritësit e lëndës narkotike, në të cilën ishte vendosur edhe një pajisje GPS, duke ndjekur kështu lëvizjen e saj edhe me anë të pajisjeve elektronike. Arrestimi i personave të implikuar në këtë çështje është bërë në datën 22 nëntor 2010 në Tiranë. Sipas Prokurorisë, nga hetimet e kryera pritës i pjesës më të madhe të lëndës narkotike është personi që thirrej me emrin “Adi”, i identifikuar si Adnan Shalqizi ose Daniel Shima. Po kështu, sasia tjetër e lëndës narkotike kokainë ishte porositur në pjesë më të vogla nga persona të tjerë, banues në Tiranë.
Ndërsa më 27 qershor të vitit 2013, Policia e Tiranës, në bashkëpunim me Prokurorinë për Krime të Rënda, kanë arritur të identifikojnë personin që ka postuar një pako me rreth 1 kilogramë kokainë nga Peruja. Ndërsa personi që do e priste në Tiranë, të cilit edhe i ishte adresuar kjo pako, nuk u arrit të zbulohej. Pakoja me drogë, që vinte nëpërmjet postës nga Peruja është zbuluar nga oficerët e Antidrogës në fillim të muajit qershor 2013, duke bërë që të nisin një procedim penal në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda për zbulimin e një rrjeti trafiku ndërkombëtar. Nëpërmjet një pakoje postare, të mbërritur në Shqipëri me një postë private të shpejtë, ishte arritur të futej më shumë se 1 kg kokainë. Adresa e shënuar në pako, që si rregull duhej të ishte e saktë për të shkuar në destinacion tek personi priste këtë “porosi” nga vendi i largët i Amerikës së Jugut, ka rezultuar e rreme. Bëhet fjalë për një apartament në zonën e ish-Bllokut, që pasi u verifikua rezultoi që nuk kishte lidhje me pakon me drogë. Madje edhe emri i personit që shënohej në pako rezultoi fiktiv. Nga verifikimet rezultoi që në Shqipëri nuk ekzistonte asnjë person me atë emër.
Ekspertët e kontrollit të drogës po paralajmërojnë se sistemet konvencionale të postës po bëhen pa dashje rrjetet kryesore të kontrabandës së drogës. Megjithëse marijuana konsiderohet e ligjshme në disa shtete në të gjithë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dërgimi me postë i një pakete që përmban drogë është një shkelje e rëndë. Në fakt, edhe pse marijuana është e ligjshme ose e dekriminalizuar në shumë shtete, nëse kapeni duke e postuar atë përmes postës, ajo do të konsiderohet trafik droge.
Shërbimi Postar i Shteteve të Bashkuara është një ent federal. Kjo do të thotë që nëse kryhet një veprim i paligjshëm përmes sistemit postar, ai klasifikohet si krim. Si dërguesi ashtu edhe marrësi i drogës do të përballen me ndëshkime. Nëse marrësi ka qenë në dijeni se paketa përmban substanca të paligjshme, atëherë ata konsiderohen po aq fajtorë sa edhe personi që e ka dërguar me postë. Në disa raste, marrësi mund të akuzohet edhe për trafik droge, si në shtetin nga i cili është dërguar droga, ashtu edhe nga shteti në të cilin është marrë.
Në Shqipëri, të paktën për 3 rastet e dokumentuara nga Policia, që droga vinte nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, deri tani janë identifikuar e arrestuar vetëm pritësit. Sa për ata që e kanë nisur hetimet janë ende në proces.
Dritan Sula: Në rastet që ne kemi hasur, emrat pritësve nuk janë trafikantët, por janë thjeshtë persona që nga hetimet e deritanishme janë gjetur kartat e tyre dhe është bërë porosia në emër të tyre. Deri në këto momente, nga hetimet e bëra, ne kemi arritur tek pritësit e lëndës narkotike. Ndërsa për porositësit nuk mund të jepen detaje pasi janë ende duke u kryer hetime nga Prokuroria dhe nga Policia.
Gjithçka e ka një fund, por droga duket se do jetë gjithmonë një sfidë për Policinë por edhe për vetë shoqërinë.
Një në 17 njerëz sot ne botë, rezulton të ketë përdorur lëndë narkotike. Raporti i vitit 2023 që OKB publikoi për drogën, flet për shifra gjithnjë e në rritje. Statistikat botërore tregojnë se vetëm për një ditë qarkullojnë miliarda dollarë nga droga. Vetëm 30 – 40 % e kokainës apo llojeve të tjera të narkotikëve arrin të kapet nga autoritetet. Por rikuperohet vetëm 1 % ose më pak e parave që përfitohet nga trafiku apo shitja e drogës.
E duket se kjo është lufta e vërtetë e agjencive kundër narkotikëve. Bllokimi i parave.
Lufta me drogën do të jetë gjithmonë e humbur nëse nuk fitohen disa beteja kryesore me paratë. Ekspertët janë të bindur që trafikantët do ta gjejnë gjithmonë një rrugë, për aq kohë sa paratë e tyre pastrohen dhe nuk arrihet të konfiskohen. Nëse ata varfërohen, vetëm atëherë ekziston një mundësi, edhe pse shumë e vogël, që të dorëzohen. Megjithëse për aq kohë sa me miliardat e tyre ata arrijnë të korruptojnë këdo, duket se lufta me agjencitë kundër drogës do të vazhdojë përjetësisht./abcnews.al