Gjërat tona/ Trafikantët shqiptarë në Brazil

schedule20:46 - 17 Nëntor, 2024

schedule 20:46 - 17 Nëntor, 2024

Këto janë pamjet e vrasjes së një shtetasi shqiptar në Brazil, më 1 dhjetor të vitit 2020. Edhe sot, kjo ngjarje vijon të jetë e pazbardhur.

Dy vite pas ngjarjes, mediat braziliane publikuan detaje të reja nga ekzekutimi i shqiptarit Ilir Zelka në Sao Paulo. Në videon e publikuar duket momenti kur shqiptari 47-vjeçar futet për të konsumuar mëngjesin, ndërsa disa sekonda më pas vjen autori. I veshur me kostum rozë, po ashtu edhe me kokore, të cilën ai e heq vetëm në një moment, autori afrohet pranë vendit ku ishte ulur shqiptari dhe e qëllon nga jashtë xhamit. Zelka rrëzohet nga karrigia dhe tenton që të fshihet. Më pas autori largohet me shpejtësi me motor duke humbur gjurmët.

Në investigimin e publikuar nga mediat në Brazil në vitin 2022, thuhet se Ilir Zelka, nga Tirana, ka qenë në shoqërinë e një gruaja, e cila e ndihmonte me përkthimin. Në investigim thuhej se nga hetimet Ilir Zelka kishte mbërritur në Brazil për të ndihmuar një shqiptar që të dilte nga burgu. Mësohet se shqiptari i arrestuar atje quhej Dritan dhe ishte kapur në Rio de Janiero në vitin 2017 për trafik ndërkombëtar droge. Ai ishte martuar me një shtetase braziliane të quajtur Aline. Kjo e fundit thuhet se është takuar me Ilir Zelkën, i cili ishte prezantuar si daja i Dritanit. Ai kishte thënë se me një shumë prej 15 mijë eurosh do të pajtonte një avokat që të ndiqte çështjen e burgosjes së Dritanit.

Aline komunikonte me mesazhe me Dritanin në burg. Kur Ilir Zelka u vra, ajo i shfaqi shqetësimin e saj Dritanit. Gjithashtu ajo është kapur duke folur me shqiptarin. Komunikimet mes Dritanit në burg dhe Ilir Zelkës bëheshin nëpërmjet aplikacionit SKY, një aplikacion i përdorur gjerësisht nga bota e krimit, i cili sot po përdoret gjerësisht si provë e rëndësishme në duart e autoriteteve ligjzbatuese, duke zbuluar emra trafikantësh që nuk kishin dalë në skenë kurrë më parë.

Ilir Zelka nuk ishte shqiptari i parë që ekzekutohej në Amerikën e Jugut. Disa ngjarje të ngjashme kishin ndodhur më herët në Ekuador. Edhe në Brazil, nuk ishte e para, pasi në vitin 2019, një tjetër shqiptar, kishte humbur jetën në një sulm me armë. Por një ekzekutim i kësaj natyre, tipike mafioze, mori vëmendjen e autoriteteve dhe mediave në Amerikën e Jugut, por edhe në Shqipëri.

Vitet e fundit, kryefjala e raportimeve për trafikun ndërkombëtar të drogës nga kontinenti i largët, ishte Ekuadori. Arsyet ishin të shumta, që nga lehtësia e kalimit të kufijve, te korrupsioni i strukturave përgjegjëse, pozicioni gjeostrategjik i porteve të këtij shteti e deri te zotërimi i një ekonomie pa mekanizma kundër pastrimit të parave. Për më tepër, prania e një peizazhi kriminal të decentralizuar, ndryshe nga Kolumbia, Brazili apo Meksika, u lejon grupeve të huaja kriminale një shkallë mjaft të lartë autonomie.

Por nga fundi i vitit 2023 dhe deri ditët e fundit, vëmendja është kthyer edhe në Brazil. Të paktën në dy dosjet e fundit që SPAK ka në hetim, bisedat e zhvilluara në aplikacionin SKY, që tashmë ka nxjerrë zbuluar shumë trafikantë droge, flitet për linja që nisin nga Brazili.

E duket se ky është edhe motivi i vizitës së fundit që drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, i shoqëruar edhe nga prokurorë të tjerë, zhvilluan në Brazil.

PROKURORËT E SPAK NË BRAZIL

Drejtuesi i SPAK, Altin Dumani kryesoi një delegacion që udhëtoi në Brazilia dhe Sao Paulo, Brazil për të forcuar bashkëpunimin me partnerë të rëndësishëm të fushës së zbatimit të ligjit në çmontimin e rrjeteve ndërkombëtare të krimit të organizuar.

I shoqëruar nga Arben Kraja, Adnan Xholi, Vladimir Mara dhe Elida Kaçkini, kreu i SPAK bisedoi me homologët brazilianë lidhur me grupet shqiptare të cilat trafikojnë kokainë nga Amerika e Jugut në Europë. Lajmin për vizitën e kryeprokurorit e ka bërë me dije Ambasada Amerikane më 5 nëntor 2024.

Ambasada amerikane

Kreu i SPAK dhe kolegët e tij u angazhuan me zyrtarë dhe Prokurorë të Policisë braziliane të nivelit më të lartë dhe shkëmbyen informacion për fuqinë dhe rolin e jashtëzakonshëm që grupet e krimit të organizuar shqiptar kanë në transportimin e sasive të mëdha të kokainës nga Amerika e Jugut në Europë. Zyra tejoqeanike për Zhvillimin, Ndihmën dhe Trajnimin e Prokurorisë (OPDAT) mundësoi vizitën, e cila u financua nga Byroja Ndërkombëtare për Narkotikët dhe Çështjet e Zbatimit të Ligjit (INL) e Departamentit të Shtetit të SHBA. Dumanit iu bashkuan katër prokurorë të tjerë të SPAK-ut, këshilltari ligjor i SPAK-ut, një hetues i BKH-së, si dhe këshilltari ligjor amerikan dhe një agjent i FBI-së të vendosur pranë SPAK-ut.

Prokurorët e posaçëm kanë udhëtuar drejt Brazilit pasi një grup i përbashkët hetimor po heton përfshirjen e disa dhjetëra shqiptarëve në linjat e trafikut të kokainës nga Brazili në drejtim të Evropës.

ALTIN DUMANI

Vizita në Brazil nënvizoi rolin jetik të bashkëpunimit të Shqipërisë me agjencitë e zbatimit të ligjit në shkatërrimin e rrjeteve të krimit ndërkombëtar. Forcimi i partneritetit të SPAK dhe krijimi i kanaleve të drejtpërdrejta të komunikimit me homologët tanë në Brazil është jetik për gjurmimin dhe ndërprerjen e aktiviteteve kriminale që prekin dy vendet tona. Së bashku, po bëjmë hapa të rëndësishëm në luftën kundër rrugëve të trafikut të kokainës që kërcënojnë sigurinë e Shqipërisë dhe BE-së. 

Delegacioni u informua nga Drejtori dhe Zëvendësdrejtori i Brazilit për Zbatimin e Ligjit për Narkotikët dhe Armatimet, Drejtori për Bashkëpunimin Policor Ndërkombëtar, Drejtori për Bashkëpunimin Ligjor Ndërkombëtar, Drejtori dhe Zëvendësdrejtori për Hetimin Financiar, dhe Prokurori i Përgjithshëm që lufton grupin kriminal Primeiro Comando do Capital që kontrollon shumicën e rrjetit të shpërndarjes së kokainës në Brazil. Delegacioni gjithashtu u takua me agjentë dhe analistë të agjencive të tjera amerikane të fushës së zbatimit të ligjit në Brazil, përfshirë Byronë Federale të Hetimit, DEA-n  dhe Agjencinë e Sigurisë Kombëtare.

Zyrtarët brazilianë mirëpritën drejtuesin e SPAK dhe kolegët e tij, duke e vlerësuar arritjet e SPAK-ut dhe duke theksuar rolin e rëndësishëm që Prokurorisë e Posaçme mund të luajë në nivel ndërkombëtar në uljen e ndikimit të rrezikshëm të grupeve shqiptare të krimit të organizuar në Brazil dhe në rajon. Autoritetet e SPAK dhe ato braziliane ranë dakord të ndihmojnë njëri-tjetrin në ndarjen e informacioneve dhe gjetjen e personave në kërkim ndërkombëtar, duke vendosur kanale jetike komunikimi ndërmjet zbatuesve të ligjit dhe prokurorëve dhe duke rritur aftësinë e SPAK për të luftuar efektivisht grupet shqiptare të krimit të organizuar që veprojnë në Brazil dhe vendet fqinje.

Drejtuesi i SPAK, Altin Dumani gjithashtu theksoi mbështetjen e çmuar nga Shtetet e Bashkuara, veçanërisht nga OPDAT, lehtësimi i të cilit i mundësoi ekipit të prokurorëve shqiptarë të krijonte këto lidhje të rëndësishme.

ALTIN DUMANI

Mbështetja e partnerëve tanë amerikanë ka qenë e paçmueshme në fuqizimin e SPAK për të përballuar krimin ndërkombëtar kompleks dhe në pajisjen tonë me mjetet dhe aleancat e nevojshme për të përballuar krimin e organizuar në shkallë globale.

Kësaj vizite në Brazil, i parapriu një tjetër lajm i rëndësishëm, që u komunikua nga SPAK në muajin shtator, se DEA do të hapë një zyrë në Tiranë. Njoftimi u dha pas një takimi që Altin Dumani zhvilloi me administratoren e DEA-s, Anne Milgram.

Fakti që DEA vjen në Tiranë, duket se shpjegon edhe faktin se sa të rëndësishme dhe të rrezikshme janë bërë grupet shqiptare në linjat e trafikut të drogës. Në një kohë që agjencia amerikanë Kundër Narkotikëve është prezentë në Evropë me 16 zyra të saj, dy prej të cilave në Ballkan, në Bullgari dhe Greqi, prezenca e saj edhe në Shqipëri tregon se hetimet e SPAK kundër krimit të organizuar dhe specifikisht kundër trafikut ndërkombëtar të drogës janë emergjente dhe thelbësore. Në vitin 2022 mbërriti në Tiranë agjenti special të DEA-s Brendan Leddy e pas, në vitin 2023, përmes Ambasadës Amerikane, DEA vendosi kontakt të drejtpërdrejtë me qytetarët, duke i ftuar që të denoncojnë dhe të bashkëpunojnë pa frikë për të luftuar trafikun e drogës. Zyra amerikane Kundër Narkotikëve, vendosi në dispozicion të qytetarëve një adresë e-mail-i dhe një numër për komunikime në WhatsApp, për çdo raportim.

Ajo çfarë sot dihet me siguri, është fakti se grupet kriminale shqiptare tashmë janë prezentë e madje janë fuqizuar në Amerikën e Jugut, duke u kthyer në faktorë të rëndësishëm në linjat e trafikut të drogës, drejt Evropës, Britanisë së Madhe e Ballkanit Perëndimor. Prezenca e DEA-s në Tiranë, ngre dyshime edhe për ndonjë linjë të mundshme nga Amerika e Jugut drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në raportin vjetor për vitin 2023, SPAK theksonte se grupet kriminale janë pozicionuar në Amerikën e Jugut, ku më pas, përmes lidhjeve me grupet kriminale shqiptare të aktivizuara në tregjet kriminale të BE-së, Britanisë së Madhe dhe Ballkanit Perëndimor, arrijnë të eksportojnë sasi të konsiderueshme të narkotikëve dhe të një cilësie të lartë për grupet shqiptare, por edhe ato të kombësive të tjera.

Raporti i SPAK

Këto grupe kriminale kanë arritur të pozicionohet mjaft mirë në disa shtete të Amerikës së Jugut dhe me shumë sukses po konkurrojnë edhe organizatat kriminale vendase. Vihet re se grupet kriminale shqiptare kanë arritur të korruptojnë dhe të kenë akses në nivele të larta qeverisëse, të korruptojnë segmente të agjencive ligjzbatuese dhe të krijojnë mekanizma mbrojtës efektiv.

Por duket se ky është vetëm fillim, pasi zbërthimi i bisedave të SKY dëshmoi se grupet shqiptare të trafikut të drogës janë fuqizuar aq shumë sa kanë rekrutuar  përmes korrupsionit edhe zyrtarë të Policisë vendase dhe njerëz të drejtësisë. SPAK thotë në raport se vetëm për një vit ka sekuestruar pasuri në vlerën e afro 40 milionë eurove, si asete të përftuara nga aktiviteti i krimit të organizuar.

 

GRUPET SHQIPTARE NË BRAZIL

Kryeprokurori Romës: Françesko Levoi

Është e vërtetuar edhe prania e kriminalitetit mafioz italian në Shqipëri dhe e kundërta, që bashkëpunojnë në mënyrë të afërt. Por bashkë, edhe me komunitetet e tjera që jetojnë në Itali. Ne duhet të ndjekim metodën e tyre. Nëse ata bashkëpunojnë, edhe ne duhet të bashkëpunojmë.

Ky ishte propozimi i kryeprokurorit të Romës në vjeshtën e vitit 2022, gjatë një konferencë të përbashkët mes SPAK-ut dhe Antimafias Italiane. Aty u kërkua me doemos bashkëpunim ndërkombëtar për të goditur krimin e organizuar.  Në konferencë u arrit në përfundimin se bashkëpunimit ndërkombëtar të krimit të organizuar, duhet t’i përgjigjemi me bashkëpunim ndërkombëtar të institucioneve ligjzbatuese. Pasi siç tha kryeprokurori i Romës, kur ata grupet kriminale kanë pasur rezultat duke bashkëpunuar, edhe Prokuroria mund të ketë rezultat në të njëjtën formë.

E duket se ky propozim u vu në jetë shumë shpejt nga Prokuroria e Posaçme, duke e nisur bashkëpunimin në Amerikën e Jugut. Aty ku tashmë hetimet, por posaçërisht SKY, zbuluan se krimi i organizuar është zhvendosur dhe po bashkëpunon me grupet vendase për të organizuar trafikun e kokainës.

 Nëntorin e vitit 2023, pas një hetimi që zgjati 7 muaj, Prokuroria e Posaçme zbërtheu veprimtarinë e një grupi kriminal që vepronte në Brazil, në qendër të të cilit ishte në personazh i njohur për Policinë Shqiptare, Ervin Mata.

SPAK ka ngriti akuza dhe kërkoi masa sigurimi në Gjykatën e Posaçme për 11 persona, të dyshuar si grup i strukturuar kriminal. Përveç Erzen Breçanit dhe Dedan Gjonit, mbrëmjen e 20 nëntorit të vitit 2023 u arrestuan edhe Bujar Ajeti, i njohur edhe me mbiemrin Gërmizi, si dhe Besmir Murati. Ndërsa iu komunikua masa e “detyrimit për t’u paraqitur pranë policisë gjyqësore”, Jonida Babametos, oficere e Kufirit dhe Migracionit në Policinë e Shtetit. Ajo akuzohet për kohën kur ishte oficere në Interpol – Tirana, dhe ka dyshime se përcille informacione tek grupi kriminal.

Pjesë e këtij grupi të strukturuar kriminal, dyshohet të jetë edhe djali i Erzen Breçanit, Eralb Breçani, i cili nga ana tjetër është i fejuar me motrën e Ervin Matës. Gjithashtu edhe Artan Sulejmani, Albert Prenga e Bujar Grabova, për të cilët po ashtu janë vendosur masat e arrestit me burg.

Ervin Mata, i cili dyshohet se ndodhet jashtë vendit, akuzohet për grup të strukturuar kriminal, trafik narkotikësh dhe kryerje e veprimeve nga organizata kriminale. Po ashtu masë sigurie është vendosur edhe për Ismail Zenelin që veç akuzave që ka Mata, ka gjithashtu edhe veprën e sigurimit të kushteve për të kryer vrasje. Bujar Ajeti, nga Kukësi ka të njëjtat akuza si Zeneli. Ndërkohë që Dedan Gjoni, shef i krimeve në Komisariatin nr.6, dyshohet të ketë siguruar kushtet për të kryer një vrasje në bashkëpunim me grupin kriminal.

Djali i Erzen Breçanit, dyshohet dhe për trafik ndërkombëtar droge dhe pastrim parash. Ish-zyrtari i lartë i Policie, Erzen Breçani akuzohet për veprën penale të pastrimit të parave dhe përkrahje të autorit të krimit.

SPAK ka dyshime të arsyeshme se ky grup i strukturuar kriminal, në përbërje të të cilit janë policë e ish-policë, trafikonte kokainë nga Ekuadori, Kolumbia dhe Brazili, drejt vendeve të Bashkimit Europian.

Konkretisht bëhet fjalë për 4 dërgesa me kokainë të kapura në vitin 2021 në Holandë, Brazil, Gjermani dhe Spanjë. Këto kanë qenë objekt i hetimit, fillimisht të Evropl e më pas edhe të SPAK, ndaj anëtarëve të grupit të Ervin Matës.

Është një sasi totale prej 931 kg kokainë që është kapur në katër shtete, dhe që padyshim SPAK ka provuar se organizatorë të dërgimit të kokainës nga vendet e Amerikës Jugut në Evropë, ishin pikërisht shqiptarët, që drejtoheshin nga Ervin Mata.

Por përveç akuzave të trafikut ndërkombëtar të drogës, ky grup dyshohet se po planifikonte edhe krime më të rënda, siç janë vrasjet. Ata akuzohet për planifikimin e vrasjes së kundërshtarëve, në periudha të ndryshme mes vitit 2019 – 2021, në Shqipëri dhe Angli.

Komunikimet në SKY të mbërritura nga autoritet franceze dhe belge, kanë hedhur dritë mbi këtë situatë. Në planet për vrasje ishin dy vëllezër shqiptarë që jetonin në Angli. Ajeti, nga Kukësi, që është një personazh me precedentë të mëparshëm kriminal, ka komunikime për plane vrasjesh edhe me Nuredin Dumanin.

Njoftimi i SPAK

Në kuadër të këtij procedimi penal, Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në bashkëpunim intensiv me Eurojust, Europol dhe agjencitë ligjzbatuese holandeze, belge, gjermane, braziliane, kolumbiane dhe franceze, ka zhvilluar hetime lidhur me disa shtetas shqiptarë të përfshirë në aktivitete kriminale në Shqipëri, në Amerikën e Jugut si dhe në disa vende të tjera në Evropë. Po ashtu është hetuar dhe lidhur me disa ngjarje kriminale të mëparshme të ndodhura në Shqipëri.

Gjatë hetimeve intensive të kryera nga hetuesit e BKH-së, nën drejtimin e prokurorëve të posaçëm, është bërë e mundur dokumentimi i aktivitetit kriminal të personave të dyshuar, si dhe identifikimi i disa prej autorëve të ngjarjeve kriminale dhe të kryerjes së veprave penale, që janë kryer në bashkëpunim, në formë e grupit të strukturuar kriminal, si më poshtë:

– Sekuestrimi i sasisë prej 446 kg kokainë në Holandë në datën 05.01.2021

– Sekuestrimi i sasisë prej 69 kg kokainë në Brazil në datën 18.02.2021

– Sekuestrimi i 166 kg marijuanë në Erwitte, e nisur nga Spanja për në Gjermani

– Sekuestrimi i një sasie prej 250 kg lëndë narkotike kokainë, të nisur nga Brazili për në aeroportin e Frankfurt, Gjermani

– Identifikimi i autorëve të dyshuar për sigurimin e kushteve për vrasjen e dy shtetasve në Republikën e Shqipërisë

– Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale në Republikën e Shqipërisë

Po vazhdohet me dokumentimin e episodeve të tjera të trafikimit të lëndëve narkotike nga Brazili, Kolumbia, Ekuadori dhe vende të tjera të Amerikës Latine në drejtim të vendeve të Bashkimit Evropian. Gjithashtu janë dokumentuar pasuri, të cilat janë produkt i kësaj veprimtarie kriminale, për të cilat është kërkuar sekuestrimi i tyre. Janë dokumentuar gjithashtu vepra penale të kryera nga zyrtarë publikë, punonjës të policisë së shtetit në nivel të lartë, të cilat cenonin funksionimin e rregullt të shtetit ligjor dhe sundimin e ligjit. Është dokumentuar përfshirja e punonjësve të policisë në grupe kriminale.

Por si nisi hetimi për këtë grup të strukturuar kriminal?

Grupi po hetohej nga agjencitë evropiane të zbatimit të ligjit, në Holandë, Belgjikë, Francë dhe Gjermani. Edhe në këtë rast bëhej fjalë për një rrjet të mirëorganizuar shqiptarësh, që trafikonin kokainë nga Amerika e Jugut, kryesisht nga Ekuadori dhe nga Brazili. Në kohën që bëhej verifikimi i PIN-eve që ata përdornin në aplikacionin SKY, hyn në lojë edhe SPAK.

Dosja e SPAK me komunikimet e fshehta të zhvilluara në SKY

Emrat e personazheve të përfshirë në grupin kriminal që drejtonte Ervin Mata, nisën të dalin në skenë gjatë hetimeve për një sasi kokaine të kaluar në Holandë më 5 janar të vitit 2021. Bëhej fjalë për 446 kilogramë lëndë narkotike. Në dosjen e SPAK që “Gjërat Tona” disponon, rezulton se lënda narkotike ishte porositur nga Eralb Breçani, djali i ish-drejtuesit të lartë të Policisë, Erzen Breçani. Për këtë ngarkesa kishte paguar Ismail Zeneli, i cili sipas komunikimeve të aplikacionin SKY rezulton se thirrej “Daja”.

Më datë 12 tetor të vitit 2023 është administruar informacioni i ardhur nga oficeri i Kontaktit në Ambasadën e Mbretërisë së Holandës, i cili ka informuar se:

Më datë 5 janar 2021 nga autoritetet ligjzbatuese holandeze është kontrolluar kontejneri në zonën e quajtur “Maasvlakte” në portin detar të Roterdamit. Gjatë kontrollit janë zbuluar dhe sekuestruar 446 pako me lëndë narkotike, të llojit kokainë të fshehura në trupin e kontejnerit. Për këtë ngjarje janë arrestuar dy shtetas holandezë: Roelof den Otter dhe Dirk Evert Bujtenhuis. Kontejneri ka qenë i llojit frigoriferik, i kyçur me vula kyçëse. Gjatë kontrollit, autoritetet kanë gjetur ne brendësi të tij edhe një vule kyçëse të pa mbërthyer. Transporti detar i tij, identifikuar si kompania “Maersk”, anije qe ka kryer transportin detar quhej “Brani” dhe kontejneri ishte ngarkuar në portin detar të Guayaquil në Ekuador.

SPAK, me qëllim dokumentimin e këtij fakti ka analizuar komunikimet e kryera në aplikacionin SKY, të dërguara nga autoritetet franceze të drejtësisë. Referuar bisedave të realizuara nga përdoruesit e këtij aplikacioni mes datave 9 janar 2021 – 4 shkurt 2021, konkretisht bisedave të zhvilluara mes Ismail Zenelit me nofkën “Daja”, Dajloki” dhe “Transporter”, Eralb Breçani me nofken “Boli” ose “Toni”, Besmir Murtati me nofkën “Kukës” dhe përdoruesit të paidentifikuar D*P* me nofkën “Elb” ose “Elb Nisan”. Nga komunikimet del në pah bashkëpunimi ndërmjet këtyre personave dhe funksionimi i tyre si një grup i strukturuar kriminal me qëllim trafikimin e narkotikëve. Evidentohen rolet e secilit për realizimin e trafikimit të narkotikëve nga vendet e Amerikës së Jugut në drejtim të portit të Antwerpit, Belgjikë dhe Roterdamit, Holandë. Më konkretisht roli i secilit prej të dyshuarve është si më poshtë:

Ismail Zeneli ka pasur rolin e porositësit dhe financuesit për blerjen e lëndës narkotike në vendin e origjinës. Po ashtu edhe rolin e sigurimit të daljes së lendës narkotike nga porti i Valencias në momentin kur ajo arrin në këtë port e transportuar me kontejner.

Eralb Breçani ka pasur rolin e porositësit dhe financuesit për blerjen e lëndës narkotike në vendin e origjinës. Gjithashtu, për shkak të kontakteve me persona me nacionalitet të huaj dhe kryesisht në Amerikën e Jugut ka krijuar lidhje ndërmjet tyre dhe anëtarëve të tjerë të grupit që kanë udhëtuar në këto shtete me qëllim organizimin e aktivitetit të paligjshëm të trafikimin të narkotikëve.

Besmir Murtati ka pasur rolin e porositësit dhe financuesit për blerjen e lëndës narkotike në vendin e origjinës, Brazil.

Përdoruesi i SKY i pa identifikuar D*P* ka pasur rolin e kontaktimit të personave me nacionalitet të huaj kryesisht nga Amerika e Jugut me qëllim sigurimin e lëndës narkotike; pritjen e shumave të parave të dërguara nga anëtarët e tjerë të grupit në vendet e Amerikës së Jugut; blerjen e sasive të ndryshme të narkotikeve me këto para dhe organizimin e punës për futjen e lëndës narkotike në kontejnerë me qëllim trafikimin drejt vendeve te BE-së.

Ndërsa një rast tjetër ku drejtuesit e SPAK, kanë shfaqur mjaft interes për të shkuar në Brazil, lidhet dhe me operacionin e datës  2 Shtator 2019 në Gefron të Brazilit, ku u sekuestruan brenda një kontejneri sasia prej 617 kg kokainë. Të gjitha pakot e kokainës ishin të identifikuara me logon e Futboll Club Elbasanit, duke ngritur dyshime të forta se pronarët e drogës ishin nga Shqipëri dhe logoja e vendosur simbolizonte qytetin e Elbasanit. Ashtu sikurse edhe rezultoi në fakt gjatë hetimeve në vazhdim. Fillimisht, për identifikimin e personave të përfshirë në këtë linjë trafiku, SPAK-ut i shërbeu dëshminë e bashkëpunëtorit të Drejtësisë, Erjon Alibej i cili i ka treguar prokurorëve se sasia prej 617 kg kokainë e kapur në Brazil, i përket një grupi kriminal në qytetin e Elbasanit. Dëshmia e tij u konfirmua më vonë gjatë hetimeve dhe pas zbërthimit të aplikacionit SKY.

Për kokainën që përllogaritej në vlerën e 9 milionë eurove, Prokuroria e Krimeve të Rënda në atë kohë nisi edhe një letër-porosi në Brazil për të marrë më shumë informacion. Hetuesit besonin se 4 personat që u arrestuan më 2 shtator 2019 në Gefron kishin lidhje me anëtarë ose grupe organizatash kriminale që vepronin në Shqipëri. Mes të arrestuarve ishte edhe një grua braziliane dhe dy burra, që kishin rolin e mbikëqyrësve në distancë të kamionit që transportonte mallin, duke udhëtuar pas tij me dy makina “Fiat”. Sasia rekord e kokainës u gjet e fshehur në fundin e dyfishtë të një kamioni që po lëvizte në rrugë rurale. Sipas burimeve të Zyrës Policore të Inteligjencës Gefron në Brazil, policia mundi të bjerë në gjurmët e katër trafikantëve pas informacioneve në rrugë operative. Gjatë marrjes në pyetje të të arrestuarve, njëri prej tyre, që ishte shoferi i kamionit, ka treguar se ai do të merrte 10 mijë dollarë për transportin e drogës.

Në mars të vitit 2023 autoritetet evropiane dhe braziliane ranë në gjurmët e një organizate që trafikonte drogë të llojit kokainë me shtrirje nga Brazili deri në Dubai. Pas dy vite hetimesh u zbulua se organizata kriminale ka trafikuar 17 tonë drogë në Evropë, 12 nga të cilat janë sekuestruar. Përgjimet e publikuara më vonë, nxorën në skenë emrin e një shqiptari të identifikuar me emrin Armando Pacani, 40 vjeç.

Për rreth 10 vite ky grup i shpërndarjes së drogës në Evropë, me në krye Pacanin, është ngjitur në krye të trafikut të drogës. Të gjithë anëtarët e grupit raportohet të jenë shqiptarë. Policia italiane e krahasonte grupin për nga karakteristikat me “Ndragheta”- n. Sipas Policisë atje, nga një rrjet i vogël që vepronte në nivel lokal, tani grupi e kishte zgjeruar sferën e saj të ndikimit në vetë Amerikën Latine. Ata janë të organizuar, kanë para dhe një hierarki të ngurtë të bazuar në lidhjet familjare. Kanë të njëjtat karakteristika të “Ndrangheta”-s, e cila mbetet mafia më e fortë ndërkombëtare”.

Falë aftësive të saj në IT, ky grup kriminal shqiptar ishte ndër të parët që adoptoi sistemin kriptografik SKY, i cili nuk ka nevojë të kodifikojnë mesazhet. Flitet hapur, jepen urdhra, tregohen koordinatat detare të pikave të takimit për dërgesat e ngarkesave. Dhe pikërisht duke thyer aksesin në këtë aplikacion u zbulua se kush e drejtonte grupin që merrej me shpërndarjen e drogës në Evropë.

Policia italiane njoftonte se drejtuesi ishte Armando Pacani, i lidhur me një klan ballkanik. Gjurma e fundit e tij shfaqet në regjistrin e hyrjeve në Brazil në janar 2019. Njëzet muaj më vonë ai ishte nisur me një fluturim që e çoi nga Sao Paulo në Dubai dhe atje u zhduk. Në fakt si shumë të tjerë. Që nga ajo ditë ai u bë një fantazmë.

Sipas përgjimeve të publikuara pas operacionit, rezultoi se shqiptari, i cili tashmë është i shpallur në kërkim, ishte blerësi kryesor i drogës që trafikohej nga organizata ndërkombëtare e kokainës, që u godit në operacionin “Hinterland”.

Duke hyrë në mesazhet e SKY, hetuesit gjetën blerësin kryesor të organizatës të drogës në Europë. Armando Pacani përmendet si pronari i ngarkesës së dërguar përmes Afrikës Perëndimore. Europol dyshon se ai ndodhet ende në Dubai, në Emiratet e Bashkuara Arabe. Në një deklaratë, avokati i tij, Eduardo Maurício, deklaroi se klienti i tij është i pafajshëm dhe pretendoi se operacioni “Hinterland”, urdhri i arrestit dhe përfshirja e tij në listën e kërkuar të Interpolit bazohen në prova të paligjshme që burojnë nga mesazhet telefonike në SKY. Sipas Maurícios, kompania SKY pretendonte se autoritetet pushtuan softwerin e komunikimit në një mënyrë të paligjshme dhe abuzive, gjë që paraqet një shkelje të qartë të normave dhe parimeve kushtetuese, duke kërkuar shpalljen e pavlefshme të të gjitha provave. Por duket se ky pretendim tashmë është i pavlefshëm, pasi mesazhet e shkëmbyera në SKY nga grupe kriminale në mbarë botën, tashmë po përdoren si provë nga të gjitha gjykatat.

Gjatë periudhës së hetimit, organizata e trafikut të drogës ka kryer transaksione prej më shumë se 700 milionë dollarësh. Në pranga ka rënë 36-vjeçari, Rodrigo Alvarenga Paredes që ishte prezantuar edhe si biznesmen në fushën financiare dhe atë bujqësore. Biznesmeni është arrestuar për trafikimin e 17 tonëve të kokainës përgjatë 2 viteve dhe që destinacion kishin Evropën. Ndërkohë shqiptari Pacani ishte përgjegjës për shpërndarjen në vende të ndryshme të Evropës.

Në këtë operacion u përfshi Europol, e mbështetur edhe nga policia braziliane. Procedurat e këtij mega-operacioni ndërkombëtar u fokusuan në Asuncion, Paraguaj; Rio Grande do Sul, Santa Catarina, Paraná, Amazonas dhe Rondonia, nga Brazili, gjithashtu në Dubai, nga Emiratet e Bashkuara Arabe. Operacioni Hinterland vendos Rodrigo Alvarenga Paredes si një nga drejtuesit e organizatës së drogës në Paraguaj.

Hetimi që solli operacionin “Hinterland” filloi në mars të vitit 2021, pas një sekuestrimi prej 316 kilogramësh kokainë në Hamburg të Gjermanisë. Pas konfiskimit të drogës, u identifikua një furnizues me kombësi paraguaiane, i cili po merrte kokainën e prodhuar në Bolivi dhe vende të tjera dhe po hynte në Brazil përmes Ponta Pora. Droga më pas transportohej me kamionë në Santa Catarina dhe Rio Grande do Sul, ku ngarkesat ruheshin në kompanitë e organizatës kriminale pranë porteve të Rio Grande dhe Itajai. Nga atje ngarkesat u kontaminuan në dërgesa të ligjshme në bashkëpunim me menaxherët e logjistikës për t’u dërguar në kontinentin evropian.

Këto janë disa nga çështjet kryesore për të cilat ka interes Prokuroria e Posaçme dhe do të bashkëpunojë me autoritetet në Brazil. Por linjat e trafikut të kokainës nga Brazili, prej kohësh po hetoheshin edhe në bashkëpunim me autoritetet ligjzbatuese italiane.

Në tetor të vitit 2022, Policia italiane zbuloi një rrjet të trafikut ndërkombëtar të drogës. Gjatë operacionit të koduar “Magma”, u arrestuan 15 persona, ndërsa për 9 të tjerë gjykata kishte vendosur masë “arrest shtëpie”. Grupi kriminal, i cili përdorte telefona të koduar, komunikonte me organizata që kishin bazat e tyre operacionale në Shqipëri dhe Brazil. Operacioni “Magma”, ishte në fakt vazhdim i një të mëparshmi kundër “Ndrangheta”-s të përfunduar në vitin 2019. Rrjeti italian, i cili përdorte celularë të koduar ose kabina telefonike publike për të komunikuar, lidhej me organizata të ndryshme që kishin bazat e tyre operacionale në Shqipëri dhe Brazil. Trafikantët kishin arritur të sillnin ngarkesa të mëdha kokaine nga Brazili, që fillimisht magazinoheshin në Zvicër, më pas transportoheshin në zonën e Lombardisë dhe për t’u shitur te tregtarët me shumicë, përfshirë edhe një subjekt shqiptar me rëndësi të veçantë kriminale.

Pas problemeve të lidhura me pagesën e lëndës narkotike, një anëtar i organizatës braziliane që furnizonte me kokainë grupin, ka udhëtuar drejt Kalabrisë për të takuar kreun e bandës kriminale, në mënyrë që të gjenin një zgjidhje. Hetimi më pas zbuloi se si kjo organizate kriminale prodhonte vetë sasi të mëdha kanabisi, duke u kujdesur për proceset e mëpasshme të përpunimit. Të dyshuarit, për të diversifikuar dhe intensifikuar lulëzimin e aktivitetit të paligjshëm, kanë kultivuar marijuanë në një zonë rurale të Bashkisë Candidon. Ky grup drejtonte gjithashtu një aktivitet të konsoliduar të klasifikimit të drogës nëpërmjet përdorimit të korrierëve të posaçëm Në një rast, një bashkëpunëtor që do të nisej për në Siçili u arrestua në flagrancë.

Në raportin e vitit 2021, EUROPOL shpjegonte se shumica e kokainës së pranishme në Evropë është e importuar dhe se prodhimi vendas është pothuajse inekzistent.  Kolumbia vazhdon të jetë furnizuesi kryesor evropian, me rolin e Brazilit, i cili është duke u rritur gjithnjë e më shumë. Ardhja e kokainës në kontinent është e mundur falë koordinimit midis karteleve të Amerikës së Jugut dhe atyre me bazë në Evropë. Sipas raportit të EUROPOL, roli që u luajt historikisht nga “Ndrangheta” tani po kalon në duart e organizatave të tjera dhe në dhjetë vitet e fundit, grupet shqiptare janë rritur më së shumti.

Ndërsa, siç theksohet në raport, duket se këto organizata tani janë në gjendje të menaxhojnë rrjete të mëdha shpërndarëse në Evropë me një shkallë të caktuar koordinimi transnacional dhe të krijojnë marrëdhënie të drejtpërdrejta me furnizuesit në Amerikën Latine.

Që nga viti 2012, grupet shqipfolëse janë bërë jashtëzakonisht me ndikim në portet kryesore në Amerikën e Jugut, si në Venezuelë, Brazil, Kolumbi dhe Ekuador, por edhe në Evropë, kryesisht Belgjikë, Holandë, Gjermani dhe Spanjë.

Edhe në raportin e SPAK për vitin 2023, theksohet fakti që grupet kriminale janë fuqizuar shumë dhe kanë lidhje të forta edhe në Polici. Sipas SPAK, grupet kriminale shqiptare po përdorin disa porta si pika kyçe hyrëse të kokainës, e cila vjen nga Amerika Latine, për të hyrë në rajon dhe për t’u transportuar më pas në BE. Në hetimet e vitit 2023, është evidentuar se kokaina vjen e fshehur në kontejnerë në ngarkesa të ndryshme, si për shembull plehu organik, e cila transportohet nga Amerika e Jugut drejt Portit të Pireut në Greqi, në drejtim të Portit të Tivarit në Malin e Zi. SPAK thotë në raport se po vihet re se Porti i Durrësit po përdoret tashmë edhe nga grupe kriminale të Maqedonisë së Veriut për trafikimin e drogës drejt Italisë e më pas drejt shteteve të tjera të BE-së.

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar thotë se ka një bashkëpunim të shkëlqyer me autoritetet gjyqësore të huaja në luftën kundër grupeve kriminale të cilët janë dedikuar në trafikimin ndërkombëtar të narkotikëve. Sipas SPAK, krijimi i disa skuadrave të përbashkëta hetimore është një tregues domethënës në luftën kundër këtij aktiviteti kriminal.

Më herët, skuadra të përbashkëta, SPAK kishte ndërtuar në disa vende të Amerikës së Jugut, ku veprojnë grupe kriminale shqiptare. Së fundmi ishte radha e Brazilit, ku Prokuroria e Posaçme ka dy çështje mjaft të rëndësishme në hetim. Por vizita e prokurorëve të Posaçëm atje në fillim të nëntorit 2024 e për më tepër bashkëpunimi edhe me DEA-s amerikane, duket se flet për një panoramë më të gjerë se kaq. Grupet kriminale shqiptare mund të jenë fuqizuar edhe atje, por përveçse disa prej tyre dolën zbuluar nga vetë komunikimet që kishin bërë në SKY, duket se lavdia e tyre po zbehet edhe nga fuqizimi i organeve ligjzbatuese. Për disa, streha e fundit është ende Dubai, por sot po bëhet gjithçka që t’ua heqin nga duart edhe këtë mundësi./abcnews.al