Gjërat tona/ Tragjedi nën urën e Bunës, nëna me 3 fëmijët drejt vdekjes dorë për dore

schedule20:36 - 12 Maj, 2024

schedule 20:36 - 12 Maj, 2024

“Ndonjëherë me duket sikur gjithçka është kundër meje…

Madje edhe vetë unë…

Luftoj shumë por nuk mundem.

Kur jam i qetë, dua të jetoj. Filloj bëj plane…

Por kjo zgjat shumë pak…

Sërish më kthehet gjithçka kundër, edhe vetja. Filloj luftoj me veten por nuk ia dal dhe atëherë shkoj deri aty…”

Kjo është dëshmia e një djali pas tentativës së parë për t’i dhënë fund jetës. Një skenar që në fund e realizoi, por la pas këtë shpjegim për atë që kishte përjetuar. Një shpjegim që shumë nuk e kuptojnë. Një motiv që për shumë të tjerë nuk është motiv. Por jo të gjithë janë të fortë mjaftueshëm për të përballuar përjetime të rënda.

Ngjarja që ndodhi nën urën e Bunës në Shkodër mbrëmjen e 2 majit, ishte më shumë se kaq. Ishte një tragjedi. Një nënë 39-vjeçare në vendimin për t’i dhënë fund jetës së saj, tërhoqi me vete edhe 3 fëmijët e mitur. Dy vajzat, Ergesën, 9 vjeçe, Gresin 7 vjeçe dhe djalin, Arditin 3 vjeç.

Të paktën kjo është thënë deri tani zyrtarisht, nisur edhe nga fakti që është regjistruar edhe një procedim për vrasje, pa çka se hetimi do të pushohet, duke qenë se autorja e dyshuar, në këtë rast nëna, ka ndërruar jetë. Por paralelisht me këtë, nuk përjashtohet as mundësia që të jenë fëmijët ata që kanë ndjekur nënën që po shkonte drejt vetëvrasjes. Megjithatë do të jenë provat shkencore, ekspertizat mjeko-ligjore që do të përcaktojnë dinamikën e saktë të ngjarjes.

Për shumë kjo ngjarje i ngjason tragjedive të Greqisë së lashtë. I ngjan hakmarrjes së Medeas, pasi pa se pozita e saj po kërcënohej kur Jasoni e braktis për t’u martuar me një princeshë greke të Korintit. Medea mori hak ndaj Jasonin, duke vrarë bashkëshorten e tij të re, po ashtu edhe dy djemtë e vet.

Edhe veprimi i Alma Arrazit u komentua si një hakmarrje ndaj bashkëshortit. Megjithatë për shumë të tjerë, ngjarja është një fatkeqësi që u krye pasi rastësia solli të gjitha rrethanat bashkë. Alma ishte me tre fëmijët kur pa bashkëshortin në makinë me të dashurën. E ndoshta vetëvrasja ishte mendimi i parë që i kaloi në mendje në ato çaste. E nëse do të kishte edhe pak më shumë rrugë për të bërë, do ishte qetësuar e ky mendim edhe mund t’i ishte larguar. Por para saj ishte ura e Bunës. Urë ku ndër vite kanë ndodhur tragjedi.

Nuk ka dëshmitarë për të treguar. Nuk ka as pamje filmike që të kenë fiksuar momentin e ngjarjes. Por, sipas Policisë, nisur nga raste të mëparshme, edhe Alma Arrazi bashkë me tre fëmijët, dyshohet të jetë hedhur nga kjo urë. Se në çfarë rrethanash, kjo mbase do të mbetet mister. Por fakt është që lumi nxori njëri pas tjetrit 4 trupa të pajetë. Në fillim 9-vjeçarja, që u gjet nga një peshkatar më 4 maj. Dy ditë më vonë, polumbarët e Policisë gjetën trupin e pajetë të vajzës 7-vjeçare. Ndërsa më 7 maj u gjetën edhe dy trupat e tjerë. Fillimisht djali 3 vjeçar e disa orë me vonë edhe nëna e tij, Alma.

Një tragjedi e ngjashme ndodhi 10 vite më parë në një familje shqiptare që jetonte në Itali. Më 9 mars të vitit 2014, Edlira Dobrushi, në atë kohë 38 vjece, vrau me thikë tri vajzat e saj, Sidni 3 vjeçe, Kesi 10 vjeçe dhe Simona 13 vjeçe. Më pas tentoi të vriste veten, por arriti të shpëtojë.

“I vrava për t’i shpëtuar nga një e ardhme dëshpëruese”. Kështu deklaronte për karabinierët kur u pyet në spital.

Alarmin për Policinë italiane e dhanë fqinjët të tmerruar nga ulërimat që dëgjuan në banesën ku jetonte familja shqiptare. Policia shkoi menjëherë aty dhe gjeti gruan me plagë thike në duar e trup, në gjendje shoku. Ndërkohë që vajzat i kishte vendosur në krevatin e madh, pasi më parë i kishte vrarë. I ati i vajzave, Bashkim Dobrushi nuk ka qenë në shtëpi. Ai ishte nisur drejt Barit, për të hipur në traget, pasi do të udhëtonte drejt Durrësit. U njoftua për tragjedinë sapo mbërriti në Shqipëri.

Çifti Dobrushi ishte ndarë formalisht shtatorin e vitit 2013 në shkurt të vitit 2014 kishin firmosur edhe divorcin zyrtarisht në Gjykatë.  Babai vazhdonte t’i talkonte të bijat duke i shoqëruar në shkollë sa herë që kishte mundësi. Ai jetonte në Itali prej 15 vitesh dhe u kishte thënë kolegëve të punës se ishte ndarë nga gruaja, pasi ajo kishte shfaqur shenja depresioni. Por asgjë nuk e kishte bërë të dyshonte për tragjedinë. Aq sa kishte marrë dy javë leje për të parë nënën e tij të sëmurë në Kukës dhe për t’i sqaruar motivet e ndarjes. Muajt e fundit para ngjarjes, Bashkim Dobrushi ishte transferuar vetëm 300 metra nga banesa e familjes duke i dhënë rregullisht atyre tarifën e caktuar nga gjyqi.

Edlira (Dobrushi) Çopa, u mbyll në psikiatri nga Gjykata italianë, që e konsideroi të paaftë për të gjykuar. Në vitin 2019, pas një rehabilitimi në spitalin psikiatrik, ajo u vendos në një strukturë të mbrojtur në Departamentin e Rehabilitimit të Spitalit Leço.

Kafja e fundit

Alma Arrazi për herë të fundit që është parë e gjallë, ka qenë me kunatën e saj, Valentina Arrazin, bashkëshorten e vëllait të burrit. Mbrëmjen e datës 2 muaj, ato kanë dalë nga shtëpia bashkë me fëmijët për të pirë një kafe në një lokal që ndodhet në anë të lumit Buna. Alma ishte me 3 fëmijët e saj, dy vajzat dhe djalin, ndërsa Valentina me vajzën. Kanë qëndruar në lokal për afro 2 orë. Kur po bëheshin gati të çoheshin, panë që në anë të rrugës, pranë lokalit ku ato ishin, kaloi makina e Ergys Arrazit, bashkëshortit të Almës. Ai ishte në makinë bashkë me të dashurën e tij, e cila mësohet se është një 18-vjeçare, për të cilën Alma kishte dijeni. Në dëshminë që kunata e saj ka dhënë në Polici, ka shpjeguar se në atë moment Alma Arrazi është shtangur dhe nuk ka folur asnjë fjalë. Ajo tregon se në atë moment janë ndarë bashkë dhe Alma i ka thënë se do të qetësohej pak pas asaj që pa dhe nuk mund të kthehej në shtëpi me të. I ka thënë se ka telefonuar të vëllain dhe do të shkonte që ta merrte me taksi dhe do të shkonte ta priste tek ura e Bunës. Gjithashtu ajo i ka thënë Valentinës se nuk do të kthehej në shtëpi për pak kohë, por do të shkonte të rrinte një javë në Tiranë tek familjarët e saj, në mënyrë që të qetësohej.

Në atë moment rrugët e tyre janë ndarë. Alma me 3 fëmijët është drejtuar për nga ura e Bunës, me pretendimin se do të priste të vëllain që ta merrte, ndërsa Valentina me të bijën është nisur drejt shtëpisë.

Edison Arrazi: Nusja ime dhe nusja e vëllait atë pasdite kanë dalë si gjithmonë për të pirë kafe bashkë më fëmijët sepse kanë dalë shpesh së bashku. Pasi kanë konsumuar kafen i ka thënë nuses time se do nisem  për në Durrës dhe do vijë të marrë vëllai. Nuk ka shfaqur asnjë problem gjatë qëndrimit në kafe dhe është sjellë krejt normalisht. I ka thënë se kam folur me burrin për vëllain tim dhe se do iki për Durrës sepse më merr vëllai.

Megjithatë, edhe veprimet e Valentina Arrazit po verifikohen nga grupi hetimor, si personi i fundit që ka biseduar dhe ka takuar 4 viktimat. Ajo po hetohet në gjendje të lirë dhe deklarimet e saj janë ende në fazë dyshimesh, pasi mund të mos ketë qenë plotësisht e sinqertë. Pamjet e kamerave të sigurisë, ku shfaqen dy kunatat me fëmijët e tyre duke dalë nga lokali ku kishin qëndruar për afro dy orë, po analizohen me kujdes nga grupi hetimor. Pasi dy kunatat ndahen dhe marrin drejtime të kundërta, Alma Arrazi vazhdon rrugën me 3 fëmijët të kapur për dore, ndërsa Valentina ndalon për nje moment dhe duket në pamje që shkruan në celular. Se me kë ka komunikuar, kjo po verifkohet nga grupi hetimor.

Nga ana tjetër, në hetim është edhe vajza me të cilën kishte lidhje të paktën prej 7 muajsh, Ergys Arrazi, bashkëshorti i Almës. Por ajo ende nuk është pyetur, për shkak se ka pretenduar se është në gjendje të rënduar psikologjike.

Po ashtu, përmes kompanive celulare, po verifikohet edhe telefoni i Ergys Arrazit, për të kuptuar se ku ndodhej ai në kohën kur ka ndodhur ngjarja, ndonëse ai vetë ka deklaruar se ishte në dyqanin e celularëve që ka në pronësi, që ndodhet shumë larg vendit të ngjarje. Deri në përfundim të hetimeve asgjë nuk mund të thuhet me siguri.

Denoncimi për zhdukjen

Më datë 3 maj, rreth orës 17:30, në Komisariatin e Policisë së Shkodrës është paraqitur Ergys Arrazi, i cili ka denoncuar largimin nga banesa të bashkëshortes së tij, Alma Arrazi, bashkë me tre fëmijët e tyre të mitur.

Nga deklarimet e personave që kanë dijeni për ngjarjen, rezulton se më datë 2 maj 2024, , në orët e pasdites, Alma Arrazi, bashkë me tre fëmijët e mitur, ka shkuar për të pirë kafe me kunatën, Valentina Arrazi, në lagjen “Iliria”, në Shkodër. Nga administrimi i pamjeve filmike, pasi është ndarë nga kunata, Alma Arrazi, bashkë me fëmijët, ka ecur në trotuarin e rrugës që të çon tek ura e vjetër e Bunës, në drejtim të “Kishës së Zojës”. Sipas pamjeve, ajo ka dalë nga lokali në orën 20:10.

Por më tej nuk është dokumentuar me pamje filmike apo me dëshmitarë asnjë lëvizje e saj. Në zonën ku ka kaluar nuk ka pasur kamera sigurie.

Policia nis verifikimet, fillimisht me dyshimet se Alma Arrazi me fëmijët mund të ishte larguar drejt Tiranës, tek familjarët e saj, ashtu sikurse i ishte shprehur kunatës. Telefonohen dy motrat dhe vëllai i saj, por ata deklaruan se nuk kanë pasur asnjë kontakt me të.

Më datë 4 maj 2024, rreth orës 22:00, shërbimet e Policisë u njoftuan se në anë të lumit Buna, në fshatin Darragjat, Njësia Administrative Dajç, është gjetur trupi i pajetë i një fëmije të mitur, që më pas u identifikua se ishte vajza 9-vjeçare e Alma Arrazit. Trupi i pajetë i vajzën 9-vjeçare ishte gjetur nga një peshkatar. Nga ekzaminimi mjeko-ligjor, rezultoi se vdekja kishte ardhur nga mbytja dhe se në trupin e të miturës nuk kishte shenja dhune.

Nga ky moment u kuptua se nuk bëhej me fjalë për largim nga banesa. Policia ishte përballë një ngjarje që më pas u zbulua se kishte përmasa shumë të rënda, të një tragjedie.

Nisën kërkimet në shtratin lumit Buna, pasi u krijuan dyshime të arsyeshme se nëna dhe 3 fëmijët mund të ishin mbytur. Në këtë kohë, Prokuroria e Shkodrës ka regjistruar procedimin, mbi bazën e materialeve procedurale të përcjella nga Komisariati i Policisë Shkodër, referuar për kryerjen e veprës penale “Shkaktimi i vetëvrasjes”, në ngarkim të shtetasit Ergys Aarrazi.

Çifti u njoh në Tiranë

Alma Arrazi ishte njohur me Ergysin 10 vite më parë në Tiranë, përmes një të afërmes së saj dhe kishin nisur një lidhje dashurie. Ata kishin një diferencë prej afro 8 vitesh. Alma ishte 39 vjeçe, ndërsa i shoqi 31 vjeç. Pasi nisën lidhjen e dashurisë, ata u martuan dhe emigruan në Gjermani, ku qëndruan 5 vjet si azilantë. Atje lindën edhe dy vajzat e tyre. Më pas vendosën të kthehen në Shqipëri. U vendosën në banesën dy katëshe, ku jetonin bashkë me vëllain e Ergysit, Edisonin, bashkëshorten dhe vajzën e tij.

Problemet në çift nisën pikërisht pas kthimit në Shqipëri. Pak kohë pas lindjes së djalit, martesa e tyre nisi të tronditej nga lidhjet jashtëpartesore të Ergys Arrazit. Për të paktën 3 lidhje të tij me vajza të tjera, Alma ka pasur dijeni. Këtë ua kishte bërë të ditur familjarëve të saj, madje u kishte treguar se në celularin e tij kishte gjetur video, foto dhe mesazhe të të dashurave, në periudha të ndryshme kohore.

Azem Bushati, babai i Alma Arrazit: I thashë vajzës sime, ti po e shikon që ai nuk të do më. Lëre të vazhdojë jetën e tij dhe ti vazhdo tënden. Por ajo më tha se nuk mundej ta merrte një vendim të tillë, pasi nuk vijmë nga një familje që ja bëjmë merr një e lësho një. Ne jemi mësuar që të vdesim me atë që martohemi. I thashë që bën mire të marrësh një hap sa nuk është vonë, pasi histori të tilla, nuk përfundojnë mirë.

Për këtë arsye, për shkak të tradhëtisë së bashkëshortit, ajo ka tentuar të divorcohet. Ka marrë fëmijët dhe është larguar nga shtëpia në periudha të ndryshme, ku ka qëndruar tek të afërmit e saj. Ndërsa në janar të këtij viti, ajo ka shkuar në Itali, ku ka punuar si sanitare. Qëllimin ua kishte shprehur njerëzver të saj më të afërt, të cilevë u ka thënë se po përpiqej të mblidhte para që të përfundonte katin e dytë të shtëpisë, pasi aty donte të jetonte me fëmijët kur të divorcohej. Ajo i frikësohej mendimit se bashkëshorti nuk do e lejonte të merrte fëmijët, pasi edhe kur u largua për të punuar në Itali, ai nuk i dha prokurë.

Azem Bushati, babai i Alma Arrazit: Ai nuk ia jepte fëmijët. Fëmijët janë të mijtë, i thoshte. Madje i thoshte që edhe kur të ndahen me gjyq, nuk kishte për t’i marrë fëmijët, sepse sipas tij vajza ime nuk kishte shtëpi, ndërsa ai kishte dhe për këtë arsye do t’i mbante ai fëmijët. Ajo pa fëmijët nuk ikte dot. Edhe atë e donte.

Ajo vendosi të kthehej nga Italia pas një muaji, pasi bashkëshorti e telefonoi, duke iu betuar që do të ndahej nga e dashura dhe do t’i përkushtohej familjes. Megjithatë premtimi nuk u mbajt. Vështirësitë u bënë edhe më të mëdha e përjetimi emocional edhe më i rëndë. Alma kishte mësuar se e dashura e bashkëshortit po takonte edhe fëmijët e saj. Ajo i kishte gjetur një foto në telefonin e Ergysit, ku kishte dalë e dashura e tij me të birin. Në këtë moment ajo nisi të kishte dyshime të vazhdueshme se mund të ndodhte gjithçka. Vajza që kishte lidhje me burrin e saj, mund t’i merrte edhe fëmijët.

Të afërmit e Alma Arrazit, përveç tradhëtisë, kanë dëshmuar edhe për dhunë psikologjike. Madje sipas tyre, disa javë para ngjarjes, në kohën kur ajo kishte ikur nga shtëpia, bashkëshorti i saj i kishte nxjerrë rrobat e saj në oborr dhe u kishte vënë flakën. Madje, ajo kishte folur me të afërmit e saj edhe për vështirësitë ekonomike që po haste, pasi Ergysi nuk sillte më para në shtëpi.

Motra e Alma Arrazit: Ishte ora 22 e datës 2 maj, kur Eri (Ergysi) më mori në telefon dhe më pyeti nëse im vëlla ka marrë Almën për të shkuar në Durrës. E pyeta pse a nuk ka ardhur Alma në shtëpi. Më tha jo. Menjëherë mora tim vëlla dhe mu përgjigj nipi. E pyeta nëse ka ardhur halla dhe më tha jo. Pyeta edhe vëllain nëse kishte folur me të. Provova ta merrja në telefon dhe telefoni i dilte i fikur. Nuk ka ndodhur asnjëherë që Alma të rrijë gjatë pa folur me mua. Vetëm atë ditë kemi folur më pak se çdo here tjetër. Vetëm atë ditë kemi folur më pak se çdo herë tjetër. Qëndrova më kontakt të vazhdueshëm me kunatin. Pyetëm këdo nga të afërmit tanë dhe askund nuk kishte shkuar. Insistova të bëhej kallëzim, por ai nuk donte. “Lëre se do të bëhemi gazi i botës më tha”. Unë nuk duroja dot më. Vesha këpucët dhe u nisa për Shkodër. Ai nuk donte të bënte kallëzim. Dhe nuk e kuptova gjendjen e ftohtë të tij. Mirë motrën time nuk e donte, po për fëmijët. Ne në atë moment duhet të ishim të bashkuar, jo të ishim si armiq me njëri tjetrin. Motra ime dhe fëmijët kanë ikur të pangopur me bukë. Sa herë që flisja më thoshte se po hamë këto që kanë ngelur nëpër rrënza raftesh. Ndërsa ai vetë rrinte në lokalet më të shtrenjta të Shirokës.

Frika për denoncimin e dhunës

Kur një ngjarje e rëndë ndodh dhe si motiv përcaktohet jo rrallë herë dhuna në familje, përveç autorit të dhunës shpesh gjykohet edhe e dhunuara, me pretendimin pse nuk e denoncoi. Por para se t’u drejtohet gishti viktimës, çdokush duhet të ndalet disa minuta dhe të mendojë arsyet që e kanë detyruar atë të heshtë.

E tillë duket se është edhe tragjedia e Shkodrës. Sot familjarët e Alma Arrazit shprehen se ajo ishte dhunuar nga bashkëshorti. Megjithatë deri më sot as ata nuk e kishin denoncuar këtë dhunë. Vetë Alma mund të ketë qenë edhe e frikësuar. I shoqi, Ergysi, por edhe kunati i saj, Edisoni, kishin një të shkuar që i lidhte me krimin, por edhe me struktura policore.

Azem Bushati, babai i Alma Arrazit: Të them të vërtetën unë nuk e di për dhunë fizike. Ndoshta edhe mund të ketë pasur, por mua s’më ka thënë gjë. Ndërsa për sa i përket dhunës psikologjike, atë e ka pasur të vazhdueshme. Që nga momenti që ai ka krijuar një lidhje jashtëmartesore, dhuna psikologjike ka arritur kulmin, derisa e detyroi të flijonte jetën e vet dhe të tre engjëjve. Alma më thoshte që fëmijët e saj nuk donte t’i gëzonte një tjetër. Këto dy muajt e fundit, Alma nuk ka pasur asnjë lloj komunikimi me të shoqin. Më shprehej mua dhe motrës së saj, që dy muajt e fundit gjendja ishte përkeqësuar në një mënyrë që nuk mbante më.

Sot, pasi Alma Arrazi dhe fëmijët e saj nuk jetojnë më, Ergys Arrazi ndodhet në paraburgim për “shkaktim vetëvrasje”. Ai u arrestua menjëherë pasi u gjet trupi i parë i pajetë në lumin Buna dhe Gjykata e Shkodrës caktoi ndaj tij masën e “arrestit në burg”. Por akuzat që sot hidhen nga familjarët për dhunë ndaj Almës, mbeten për t’u verifikuar, ndonëse tashmë është e vështirë për t’u provuar.

Emri i Ergys Arrazit u bë i njohur për herë të parë në vitin 2021, kohë kur vëllai i tij, Edisoni u ndalua në Shkodër, me dyshimet se kishte lidhje me vrasjen e Endri Mustafës.

Ai u gjet i vrarë më 17 maj të vitit 2021, në zonën e Livadheve në Shkodër. Kjo ngjarje vijon edhe sot të jetë e mbuluar me mister, ndonëse fillimish Policia atje shoqëroi si person të dyshuar që e kishte nxjerrë në pritë, Edison Arrazin, i cili më pas u la i lirë. Megjithatë familja Mustafa besonte se vrasja ishte porositur nga Astmer Bilali dhe realizuar nga vëllezërit Ergys e Edison Arrazi, pa çka se nuk u provua asnjëherë.

Policia shpalli në kërkim për ngjarjen Ibrahim Licin, ndaj të cilit është vendosur masa “arrest me burg” në mungesë për veprën penale “Vrasje me paramendim” kryer në bashkëpunim. Për këtë ngjarje është dënuar me 12 vite burgim Ergys Malja, në atë kohë vetëm 15 vjeç, me dyshimet se e nxori në pritë viktimën natën e krimin, më 15 maj 2021.

Por familja Mustafa asnjëherë nuk e besoi këtë version. Megjithatë grupi hetimor i verifikoi pretendimet e familjes së Endri Mustafës dhe shoqëroi Edison Arrazin, i cili mohoi përfshirjen në krim, duke pretenduar se ka prova që ndodhej në shtëpi në kohën kur kishte ndodhur ngjarja.

Dosja e Prokurorisë: Shtetasi Edison Arrazi, që akuzohet nga shtetasja Fahrije Alija, se ka qenë ai që ka shoqëruar djalin e saj Endri Mustafa ditën e ngjarjes për në zonën e Livadheve, si dhe ka marrë pjesë në vrasjen e tij, për llogari të shtetasit Astmer Bilali, i ka mohuar këto akuza. Ai sqaron se nuk e njeh shtetasin Ergys Malja, si dhe natën e ngjarjes, pas orës 22:00, ai ka qenë në shtëpinë e tij. Dhe se me Endri Mustafën ka patur njohje rreth 6 muaj përpara ngjarjes, kur Endri ka blerë një tokë në zonën e Bypass-it, pranë një sipërfaqeje së tij të tokës.

Edhe vëllai i tij, Ergys Arrazi, bashkëshorti i Almës, ka treguar të njëjtën gjë para kamerave, kur priste pranë Gjykatës së Shkodrës, kur zhvillohej masa për Edison Arrazin, që po ashtu u dyshua edhe për posedim droge.

Ergys Arrazi: Vëllai im nuk ka lidhje me atë vrasje, as me drogën që policia thotë se ka gjetur. Atë natë ai ka qenë në banesë dhe nuk ka lëvizur që aty.

Pak kohë pas arrestimit, grupi hetimor nuk gjeti prova që ta lidhnin Edison Arrazin me vrasjen e Endri Musfatës, megjithatë ai qëndroi në burg për drogën që iu gjet në shtëpi.

Të gjitha këto të dhëna penale, mund të kenë qenë një arsye që e kanë stepur Alma Arrazin të denoncojë bashkëshortin në Polici. Por kjo mbase nuk do të zbulohet kurrë. Ashtu sikurse edhe motivi i vërtetë i vëtëvrasjes së saj, duke mbytur edhe fëmijët mbrëmjen e 2 majit.

Pa çka që për të shpjeguar këtë veprim, u nxorr nga sirtarët një recetë e para dy viteve, me qetësues për ankthin. Një recetë që në fakt nuk dihen rrethanat se si mund të jetë ruajtur për aq kohë. Si procedurë, një recetë ilaçesh mbahet nga farmacisti në momentin që të jep medikamentin e shënuar në të. Por në këtë rast, ose është pakujdesi e farmacistit, ose Alma nuk ka shkuar kurrë për t’i marrë ato ilaçe të lëshuara nga mjeku neoropsikatër, Gjon Preçi.

Mjeku shpjegon ecurinë e mjekimit, që në fakt ka qenë ambulator dhe dëshmon se Alma Arrazi, nuk ka pasur probleme të shëndetit mendor.

 Gjon Preçi, mjek psikiatër: Nuk ka qenë paciente me probleme të shëndetit mendor. Para pak vitesh ka marrë shërbim për çrregullim të humorit me ankth. Nuk ka qenë paciente me probleme madhore psikiatrik se po të ishte e tillë do ndiqej nga ne dhe do kishte kartelë dhe do trajtohej. Ajo ka marrë një shërbim për një problem të caktuar siç mund të marrë çdo kush dhe nuk ka qenë paciente kronike me probleme madhore të shëndetit mendor. Patjetër që ka gjithmonë zhvillime të papritura por dy vjet më përpara që kam pasur një kontakt më të nuk e di se si janë zhvilluar gjërat tek ajo dhe nuk është konfirmuar nga shërbimet tona se mund të ketë pasur probleme që e kanë çuar drejt atij vendimi. Para dy vitesh ka marrë shërbimin e fundit dhe këtë ma kanë kujtuar familjarët sepse unë nuk e mbaj mend si paciente. Mjekimi që ka pasur nuk ka qenë i karakterit të një sëmundshmërie kronike. Duhet që të kalojë një periudhë e caktuar që një person të quhet kronik.

Nëse ka ankth, pagjumësi apo të tjera si këto dhe fakto se ka një recetë nuk presupozohet se ka qenë me një paaftësi të rëndë rreziku për veten apo të tjerët. Në gjithë botën tentohet t’i fshihet dokumentacioni zyrtar për një shërbim të caktuar kur nuk është kronik, kjo edhe nga rreziku i stigmatizimit në shoqëri ku mund ti thonë ik se je i marrë, apo e marrë. 50% apo 60% e rasteve nuk dokumentohen në gjithë botën dhe kjo është statistikë. Ne i regjistrojmë në raste të tjera kur kërkojnë të punësohen, për një biznes apo kërkesa të tjera atëherë ne i themi prit se ka këtë kusht. Natyrisht që palët paraqesin në gjykatë dokumente që mendojnë se vlejnë. Kam patur një telefonatë nga prokurori dhe i kam thënë më jep kohë sa ta sqaroj dhe në bisedat me stafin tim nuk është konfirmuar si person i regjistruar dhe i trajtuar nga ana jonë dhe ja kam dhënë këtë përgjigje.

Misteri i vëtëvrasjes

Në kushtet kur nuk ka asnjë dëshmi, asnjë pamje, por thjeshtë dyshime për vendin e ngjarjes, mund të ngrihen dyshime edhe mbi vetë ngjarjen. Ndonëse të gjitha të dhënat e çojnë grupin hetimor drejt vëtëvrasjes, po verifikohet edhe mundësia e një vrasjeje, ndonëse shihet disi e pamundur. Pavarësisht se nuk ka kamera dhe dëshmitarë, i takon Policisë Shkencore dhe Mjekëve Ligjorë që të përcaktojnë saktësisht mënyrën e kryerjes së veprimeve, dinamikën e ngjarjes dhe kronologjinë e veprimeve nga ana e nënës. Si i ka hedhur fëmijët në lumë dhe a mund të kenë qenë ata nën efektin e ndonjë qetësues apo jo. Por edhe në rast se kjo ngjarje nuk është kryer nga nëna, por nga ndonjë person tjetër, mund të përcaktohet vetëm nga ekspertët e Policisë Shkencore dhe mjekët Ligjorë.

Ende nuk dihet me saktësi nëse janë hedhur nga ura, apo kanë rënë në ujë, kur po qëndronin poshtë saj. Por sa kohë kanë qëndruar aty, kjo nuk mund të thuhet me siguri nga askush. Asnjë dëshmitar nuk i ka parë të qëndrojnë aty dhe mbase Alma Arrazi ka pritur momentin që në atë zonë të mos ketë kalimtarë, pasi aty ka vazhdimisht lëvizje, deri vonë.

Efektivët e Policisë së Shkodrës gjetën poshtë urës së Bunës kukullën, e cila dyshohet se i përkiste njërës prej dy vajzave të mbytura. Kukulla e gjetur në breg poshtë urës, bëri që forcat RENEA nga fshati Darragjat ku u gjet vajza 9 vjeçe të përqendrojnë kërkimet e tyre përgjatë gjithë lumit.

Vetëm pak metra më larg, u gjet trupi i pajetë i vajzës 7-vjeçare. Në një largësi prej afro 2-3 kilometër, në afërsi të Oblikës, u gjet edhe trupi i djalit 3-vjeçar dhe rreth 35 kilometër nga aty përballë fshatit Pentar në ujërat që i përkasin Malit të Zi u gjet edhe trupi i pajetë i Alma Arrazit.

Në thelb, vetëvrasja shpjegohet si një lloj akti ndëshkimi për të gjallët. Një veprim që kryhet për t’u lënë një peng e një barrë të rëndë atyre që do të vazhdojnë të jetojnë. Fakti që nëna, nuk i dha fund vetëm jetës së saj, por mori me vete edhe fëmijët, është një tregues që ajo donte të merrte hak ndaj bashkëshortit. Kjo, me qëllim që pesha e fajit për ata që nuk e ndihmuan sa ishte gjallë, të ishte edhe më e rëndë. Që bashkëshorti i saj të vuante edhe më shumë se ç’e bëri të vuante atë kur ajo jetoi.

Por ky është një vendim që s’ka kthim prapa. Kur nëna dhe fëmijët pushuan së marri frymë, për ta gjithçka mbaroi. Ndërsa babai, ai që Alma u hakmor në këtë mënyrë, edhe pse është i burgosur përkohësisht, do të vazhdojë të jetojë./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!