Ecim nëpër kufijtë e Shqipërisë, nga veriu në jug, duke shijuar male, lumenj, dete, njerëz të mirë, shqiptarë që jetojnë në të dyja anët e kufirit. Sot jemi nisur drejt juglindjes, në një nga zonat më piktoreske të Shqipërisë. Do të shkojmë në pikën kufitare të Kapshticës dhe do të flasim me banorët në dy qytetet kryesore pranë kufirit, Korçë dhe Kostur, apo Kosturia, siç e quajnë grekët.
Qyteti i Korçës ndodhet 181 kilometra larg Tiranës. Shtrihet rrëzë të malit të Moravës, në lartësinë 869 metra mbi nivelin e detit, i ka të gjitha, bukurinë, historinë, kulturën, të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen. Qyteti i Mësonjëtores së parë shqipe, qyteti i patriotëve të mëdhenj, i serenatave, gëzimit, haresë, birrës dhe çfarë të të dojë zemra. Korça është qendra më e madhe administrative e Shqipërisë juglindore, e themeluar në shekullin 15-të.
Ka disa data të rëndësishme historike për qytetin. Iliaz Bej Panariti ndërtoi në vitin 1496 pazarin e Korçës. Me 10 dhjetor 1916, si rezultat i përpjekjeve të patrioteve korçarë me në krye Themistokli Germenjin u shpall Krahina Autonome e Korçës. Në tetor të vitit 1917 u cel Liceu i Korçës i cili pergatiti breza intelektualesh që lanë gjurmë në historinë dhe kulturën kombëtare.
Sahadete Luzhnica nga Kosova ka ardhur në Mësonjetoren e Korçës, grupi I saj po zhvillon një vizitë studimore në juglindje.
“Korça fenomenale, si gjithnjë,” na thotë.
Ndërkohë, çifti Evro nga Korça, jetojnë gjysmën e vitit në Greqi dhe gjysmën në Shqipëri. Në Greqi punojnë në një tavernë. Qyteti dhe zona përreth vuajtën dekadat e diktaturës ndërkohë që kufiri i hekurt ishte më shumë një rrjet bunkerësh që kishin mbirë si çibanë në të gjithë zonën kufitare. Jani (Luan) Qaja, në Kapshticë na tregon se për të hyrë në tokat pranë kufirit, bëhej një listë dhe ushtari lexonte emrat ndërsa Yllson Topçi, na thotë se po të kaloje piketat e bardha të kufirit, të fusnin në burg.
Pothuaj i gjithë fshati ka qenë në emigracion. Luan Qaja ndërroi emrin në Greqi dhe u be Jani.
“Nuk e flisnin dot ata, thoshim, nuk e themi dot (Luan)”, na thotë. Ndërsa Yllson Topçi nuk e ka ndërruar emrin. Na thotë se në Greqi “nuk kish problem me popullin,” por “këtu është politika në mes”. Myqerem Kutrolli na thotë një histori të ngjashme duke qeshur, grekët nuk ia thoshin dot emrin Myqerem dhe e thërrisnin Miqi.
Shumë afër, sapo kalon kufirin dhe hyn në Greqi, qyteza e parë kufitare është Kosturi, që shtrihet buzë liqenit me të njëjtin emër, me qytetin e vjetër, kalanë dhe vilat e bukura deri lart në kodër. Qyteti është themeluar nga Perandori Justinian në mes të shek.VI, me emrin Justinianopoli. Në shek VIII quhet Kostur, ndërsa disa shekuj më vonë, në shek XI, historianët bizantinë e shënojnë qytetin dhe liqenin me emrin Kastorias. Kosturi dhe fshatrat përreth ishin nën sundimin e Despotit Andrea II Muzaka. Më pas bëhet një nga zotërimet e Balshajve. Në vitin 1385 qyteti bie në duart e osmanëve. Prefektura e Kosturit në fillim të shek XIX udhëhiqej nga bejlerët shqiptarë të cilët gëzonin mbështetjen e fortë të Ali Pashë Tepelenës dhe në vitin 1870, është nën juridiksionin e Prefekturës së Korçës. Osmanët kontrollojnë qytetin deri në fund të vitit 1912. Më pas e marrin grekët.
Orgest Xhacka, është një student shqiptar në Kostur që jeton këtu me familjen. “Kemi arat tona ketu, kemi blere toka…Me merr malli per shtepine, e dua vendin tim…E tregoj qe kam gjak shqiptari”, na thotë me krenari. Ndërsa Erald Steli që ka ndërruar emrin në Joani, na thotë se “ndjehet si në vendin e tij” dhe se nuk i mungon asgjë.
“Njerëz, si ne, si këta, thjesht të jesh njeri”, na thotë. Grekët e Kosturit nuk dëshirojnë të na I thonë mbiemrat e tyre. Irini na tregon për shoqen e saj shqiptare, Mimoza. “Ata janë si familje për ne, janë emigrantë ekonomikë,” na thotë.
Djali I saj Angjelos, nuk ka shokë shqiptarë edhe pse studiojnë në një klasë. Nikos është një tjetër banor i Kosturit, që ka vizituar Sarandën dhe Ksamilin. “Fshatrat atje ishin si fshatrat këtu,” na thotë. Dajana është një tjetër banore që na thotë se shqiptarët janë njerëz shumë të mirë, shumë socialë.
Njerëzit në të dyja anët e kufirit, kanë dhënë e kanë marrë, dhe përtej politikës, bashkëjetojnë me një kufi në mes, që ndan jo vetëm Shqipërinë dhe Greqinë, por edhe Ballkanin Perëndimor me Bashkimin Evropian, në këtë pjesë të gadishullit./abcnews.al