Gjendja shëndetësore e kryeministrit britanik Boris Johnson po vazhdon të përmirësohet. Johnson vazhdon të ndodhet në njësinë e kujdesit intensiv ndërsa po monitorohet nga afër prej stafit mjekësor.
Downing Street zbuloi se nga shëndeti i kryeministrit ka shenja pozitive duke shtuar se kreu i qeverisë “kaloi një natë të mirë edhe pse vazhdon që të jetë të oksigjeno-terapi.”
Zëdhënësi nga zyra e qeverisë u shpreh:
“Kryeministri kaloi një natë të mirë dhe vazhdon të përmirësohet në njësinë e kujdesit intensiv në spitalin Shën Thomas. Ai është me humor të mirë.”
Gjithsesi, nuk ka shenja që të sygjerojnë se Johnson do të marrë pjesë në vendimet lidhur me menaxhimin e epidemisë në vend pasi dje u konfirmua se ai nuk është duke punuar.
Thuhet gjithashtu se Johnson ka pasur mundësinë që të flasë edhe me partneren e tij shtatzënë Carrie Symonds, edhe pse ky lajm nuk është konfirmuar zyrtarisht.
32-vjeçarja pret fëmijën e saj të parë dhe pritet që të jetë gati për të lindur për disa javë ndërsa qëndron ende të izolim pasi ka pasur simptoma të virusit. /abcnews.al/