“Pas mbylljes së lojërave të fatit fshihet një lepur i madh”

schedule22:59 - 18 Tetor, 2018

schedule 22:59 - 18 Tetor, 2018

Për Lulzim Bashën, pas mbylljes së lojërave të fatit fshihet një aferë e madhe. Në studion e “Opinion”, në Tv Klan, kreu i PD tha se me mbylljen e lojërave të fatit synohet që t’i jepet monopoli një kompanie online, e cila sipas Bashës ka lidhje me vëllain e Kryeministrit dhe kreun e bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako.

“E keni parë ligjin? Po i jepet monopoli një kompanie online që qartësisht është në duart e Edi Ramës, të Olsi Ramës dhe Vangjush Dakos. Vërtetimin për këtë ne e kemi treguar si opozitë. Personat e lidhur me këtë koncension dhe kontratë, zinxhiri i personave, të çon tek personat e lidhur me Kryeministrin. E njëjta gjë që ndodhi 5 vjet përpara me atë personin që u vra tek Tirana e re, po ndodh sot. Një ndër aksionerët kryesorë të Apex, njeri shumë i afërt i Edi Ramës i ka shitur 4 muaj më parë aksionet e Apex-it austriakëve. Pse them i afërt i Edi Ramës? Çuditërisht ky njeri po merr lejen e ndërtimit tek sahati dhe po ia merr ish-mikut të Edi Ramës, Ilir Matës dhe ka marrë dy kulla në qendër të bllokut”.

Basha tha se edhe atëherë kur Kryeministri Rama propozon një masë gjoja në interes publik, fshihet një lepur i madh mbrapa. Në këtë rast, sipas kreut të PD ky “lepur” është Vangjush Dako dhe vëllai i Kryeministrit, Olsi Rama.

“Unë kam qenë i pari që ka propozuar për zhvendosjen e tyre tek Kombinati i Autotraktorëve. Pra largimin e tyre nga gjithë pikat e qytetit dhe ky propozim u rrëzua për shkak të mungesës së mazhorancës në Këshillin Bashkiak. Absolutisht që PD zotohet që do t’i mbyllë të gjitha, por nuk do të lerë monopolin e vëllait të kryeministrit ndaj basteve. As të atij që është sot dhe as atij që do vijë nesër. Ky është ndryshimi mes meje dhe Ramës, mes PD dhe PS. Edhe atëherë kur propozon një masë gjoja në interes publik, fshihet një lepur i madh mbrapa. Lepuri i madh është Vangjush Dako dhe Olsi Rama”./tvklan.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!