Një deklaratë e Fabio Capellos në lidhje me Nicolo Zaniolon shkaktoi polemika të shumta në Itali. Trajneri i famshëm këshilloi Sebastiano Espositon, 17-vjeçarin e talentuar të Interit, që të mos kopjonte Zaniolon.
Zaniolo pranoi se kritikat e Capellos i kanë bërë mirë, palët u sqaruan, lojtari i Romës po zhvillon një sezon shumë të mirë dhe po shkëlqen me verdhekuqtë dhe kombëtaren italiane. Capello është rikthyer të flasë për 20-vjeçarin në një prononcim për Corriere dello Sport, teksa e krahason me një emër të madh si Dejan Savicevic, i njohur ndryshe si “gjeniu”.
“Fjalët e mia kundrejt Zaniolos ishin si këshilla e një gjyshi për nipin e tij. E falënderoj për fjalët që ka thënë. E ka kuptuar që është një lojtar i rëndësishëm. Pjekuria e tij është në zhvillim e sipër. Keqardhje nëse nuk do të ndodhte kështu, duke pasur parasysh talentin e madh që zotëron.
Roli i duhur në fushë? Mendoj se duhet të luajë i avancuar në krahun e djathtë, aty ku luajti pjesën e parë kundër Armenisë. I njëjti pozicion ku aktivizohej Dejan Savicevic. Zaniolo ngjan me malazezin sa i përket talentit, forcës dhe aftësive teknike. Jam i bindur që Nicolo është një talent i madh“, përfundon “Don Fabio”. /abcnews.al