Jovan Viqentijeviç, një nga vëllezërit e akuzuar për sulmin me rreth 20 kilogramë eksploziv në kanalin e Ibër–Lepencit një vit më parë, ka rrëfyer se në tetor të vitit 2024 ishte planifikuar një sulm tjetër në territorin e Kosovës.
Ai nuk ka dhënë detaje për natyrën e operacionit, por ka thënë se plani u ndalua nga terroristi Milan Radoiçiç, i cili është në kërkim ndërkombëtar për sulmin në Banjskë në shtator të vitit 2023, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.
Sipas rrëfimit të Viqentijeviç, Radoiçiqi e ndaloi sulmin për shkak të zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe pritjes për fitoren e Donald Trumpit. Madje, ai thotë se Radoiçiç financoi fushatën e Trumpit me 30 milionë euro përmes lobit serb.
Të gjitha këto janë pretendime të të akuzuarit, zbardhur në akzuën e Prokurorisë Speciale.
Jovan Viqentijeviq përveç akuzës për veprën terroriste, po hetohet edhe për spiunazh, ndërsa në dosje figuron edhe një kartelë e inteligjencës ushtarake.
Viqentijeviç ka pohuar gjithashtu se një ditë para sulmit të armatosur në Banjskë, ai ndodhej në një bazë ushtarake në Serbi, ku – sipas tij – ishte duke u trajnuar grupi i Radoiçiç.
Aktakuza për sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit përfshin vëllezërit Jovan dhe Dragisha Viqentijeviç, që akuzohen për “cënim të rendit kushtetues me shkatërrimin apo dëmtimin e instalimeve dhe pajisjeve publike”, dhe për terrorizëm. Ata dhe Igor Dimiç akuzohen edhe për armëmbajtje pa leje.
Prokuroria ka zbardhur po ashtu disa lëvizje të fundit të Viçentijoviç. Ai ka Fotografuar bazën e Njësive Speciale të Policisë në Zubin Potokut, ka vëzhguar dhe regjistruar lëvizjet e forcave amerikane të KFOR-it, ka siguruar një dokument të klasifikuar prej 66 faqesh për operacione në terren, ka krijuar materiale të manipuluara për të paraqitur ekzistencën e një organizate fiktive anti-kosovare, duke përdorur edhe fotografi të ish-eprorëve të UÇK-së.
Sipas Prokurorisë, përmes këtyre aktiviteteve, i pandehuri ka pasur synim të krijojë një narrativë të dëmshme për Kosovën në raport me partnerët ndërkombëtarë, duke cenuar rëndë sigurinë dhe rendin kushtetues të vendit. / abcnews.al /

