Pas helmimit masiv në Krujë, sa i sigurt është uji që pijmë çdo ditë?

schedule15:48 - 1 Nëntor, 2021

schedule 15:48 - 1 Nëntor, 2021

Nga Abc Live

Helmimi masiv i popullsisë në qytetin e Krujës për shkak të ndotjes së ujit të pijshëm ishte një ngjarje që traumatizoi shqiptarët duke ngritur edhe një pikëpyetje të madhe që në këtë rast ka lidhje me vetë ekzistencën:

Sa i sigurt për jetën e qytetarëve është uji në ujësjellësit e Shqipërisë?

Për rastin e helmimit të popullit nga uji i një ujësjellësi të sapoinauguruar, u tha zyrtarisht uji ishte infektuar me fekale bagëtish dhe kjo për shkak të staneve që vendosen në zonën e ujëmbledhjes.

Burime të televizionit ABC thanë gjithashtu se gabimi kishte lidhje me paditurinë apo injorancën e treguar pas rastit të turbullimit të ujit për shkak të një rrebeshi shiu.

Pikërisht ky ujë i turbullt, që kishte në brendësi edhe fekale bagëtish, ishte futur në depozita, në një kohë që sipas procedurës më të thjeshtë, duhet të ishte derdhur jashtë ujësjellësit.

Po sa të kualifikuar janë punonjësit e ujësjellësve shqiptarë?

Në vitin 2016 Këshilli i Ministrave ka miratuar një rregullore të detajuar për trajtimin e ujit të pijshëm, ku parashikohet, madje në formën e një punimi shkencor, se si duhet të trajtohet uji që banorët përdorin për të pirë.

Por, ekspertë të ndryshëm deklaruan për televizionin ABC se kjo rregullore nuk zbatohet në asnjërin nga ujësjellësit e vendit.

Në ujësjellësit që e grumbullojnë ujin, si ai i Krujës, apo ai i Bovillës që furnizon Tiranën – pra në ujësjellësi që nuk e marrin ujin nga burime nëntokësore – punonjësit e trajtojnë ujin me tre preparate kryesore kimike:

Me poliklorur alumini – i cili është një preperat i lëngshëm që bashkohet me turbullirën dhe e dekanton apo e rrëzon atë poshtë në tabanin e depozitave, duke mundësuar ujin e pastër të futet në filtra.

Përdoret acid klorhidrik për të vrarë mikrobet dhe rritur pehashin e ujit.

Ndërsa për dezinfektimin e tubacioneve të amortizuara, që përcjellin ujin te konsumatori, përdoret klor pluhur.

Barriera e fundit në ujësjellës janë filtrat, që presupozohet të mos përçojnë te konsumatori asnjë lloj përqindjeje të këtyre kimikateve.

Duke bërë një afri me këto shpjegime, padituria apo injoranca e punonjësve të ujësjellësit të Krujës mund të ketë lidhje edhe me keqpërdorimin e kimikateve.

Nuk është çudi, që pas turbullimit të ujit për shkak të reshjeve të forta, ndonjë i papërgjegjshëm të ketë shtuar dozat e poliklorurit të alumini dhe acidit klorhidrik në depozita.

Sipas specialistëve helmimi i popullsisë me kimikate është më tepër i rrezikshëm se sa ai nga fekalet. /abcnews.al/