Pas Gjilanit, PDK shkëput koalicionin me LVV-në edhe në Podujevë

schedule18:15 - 7 Korrik, 2023

schedule 18:15 - 7 Korrik, 2023

Partia Demokratike e Kosovës ka njoftuar se pas prishjes së koalicionit ditë më parë në Komunën e Gjilanit, ka shkëputur sot koalicionin qeverisës me Lëvizjen Vetëvendosjen edhe në Komunën e Podujevës.

Sipas PDK-së, këto vendim kanë ardhur pas mbledhjes së Këshillit Drejtues, në të cilin është vendosur që të shkëputet çdo lloj komunikimi zyrtar me kryeministrin Albin Kurtin dhe me presidenten Vjosa Osmani.

“Në mbledhjen e Këshillit Drejtues të PDK-së, të mbajtur më 3 korrik, pasi është diskutuar gjatë për situatën në vend dhe sanksionet që tashmë po i vuajnë shteti dhe qytetarët tanë, ishte dakordim i përgjithshëm se Kryeministri Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje janë duke shkatërruar çdo të arritur në Kosovë të këtyre dy dekadave dhe janë duke e dërguar vendin drejt konfrontimit me aleatët që kanë qenë mbështetësit kryesor të lirisë dhe shtetësisë së Kosovës, duke e rrezikuar të ardhmen e shtetit të Kosovës.”, është bërë e ditur nga Partia Demokratike e Kosovës.

PDK ka falënderuar të gjithë përfaqësuesit dhe zyrtarët e saj në komunat e Podujevës dhe Gjilanit, “të cilët gjatë gjithë kësaj periudhe i kanë shërbyer me dinjitet, profesionalizëm dhe vullnet komunave dhe qytetarëve, shërbim të cilin do ta vazhdojnë me përkushtim edhe nga pozicioni opozitar”./KosovaPress

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!