Nga Erblina Mile
Blerja e ushqimeve tashmë kushton më shumë. Që prej disa javësh në tregje e supermarkete çmimet janë rritur me rreth 20-30 lekë. Midis produkteve që janë shtrenjtuar përmendim bukën, qumështin vezët apo makaronat.
E njëjta situatë paraqitet edhe në tregjet e fruta-perimeve. Tregtarët shprehen se rritja e çmimeve ka ardhur si pasojë e prodhimit të ulët bujqësor në vend.
“Më shumë domatja, spinaqi i fshatit. Janë rritur me 20 lekë më shumë.”
Pensionistët janë shtresa më e prekur nga shtrenjtimi i ushqimeve. Pensionet e ulta I detyrojnë që të blejnë më pak e të kërkojnë ato produkte që janë më të lira. Shumë prej tyre e përballojnë jetesën falë ndihmës së fëmijëve.
“Ishte ngrit veza, makaronat e vaji, të gjitha. Nuk e di ku do shkojmë. Rrofshin kalamajtë që kemi jashtë. Se me 150 mijë lekë ia del?”
Vetëm pak ditë më parë kryeministri ka paralajmëruar edh nisjen e një krize energjitike.Kjo pritet të rëndojë edhe më shumë gjendjen financiare të qytetarëve shqiptarë ndërsa aktualisht ka nisur rritja e naftës dhe e gazit. /abcnews.al/