“Pas Alibeajt qëndron Basha”, Vangjeli: Rama duhet të mendojë rilindjen e opozitës, nëse Berisha fiton betejën e jetës

schedule13:10 - 21 Qershor, 2022

schedule 13:10 - 21 Qershor, 2022

Gazetari Lorenc Vangjeli ka qenë i ftuar në “Abc Live”, ku ndër të tjera ka folur edhe për situatën në Partinë Demokratike, për të cilën thotë se ka një grup parlamentar që nuk e kontrollon dot.

Vangjeli deklaroi gjithashtu se pas Enkelejd Alibeajt qëndron Lulzim Basha, ndërsa analizoi skenarët që i parashtrohen Sali Berishës në kontrollin e partisë.

“Ka ndërruar partitura por avazi është i njëjtë. Ka ndërruar avazi, por sazet janë të njëjta.  Në PD ka një grup parlamentar që s’ka parti dhe ka një parti që nuk kontrollon dot grupin e  saj parlamentar”, tha Vangjeli.

Mendoni se Basha është pas Alibeajt?

Vangjeli: Po

Kjo zhdukja nga skena publike, ka diçka?

Vangjeli: Kjo është e frikshme. Sa kohë pretendohej të ishte sazeja e parë dhe papritur zhdukesh nga skena, ose ke tentuar diçka të pamundur ose është përdorur.

Çfarë qëllimi ka?

Vangjeli: Në Shqipëri urrejtja është ajo që na çon përpara. Ne bëhemi bashkë në funerale po nxjerrim koburet në dasmën e të afërmit tonë. Edhe zoti Basha është mbushur me një lloj karburanti të tillë, ndërkohë cisternë është Berisha. Është Meta që mezi po pret të veshë tutat e politikanit të opozitës.

Edi Rama duhet të mendojë rilindjen e opozitës përballë tij, nëse Berisha fiton betejën më të madhe të jetës.

Cila është?

Vangjeli: Ai mundi fillimisht Bashën, mundi Ibsenin dhe unë e kam kuotuar fitoren e tij që do ndodhë nga vjeshta. Berisha duhet të mundë Berishën brenda partisë. Zgjedhjet lokale janë mbas dere, unë do ja këshilloja Berishës që në humbjen e paralajmëruar të PD në këto zgjedhje të përpiqet t’i shmanget atij votëbesimi poshtërues në Këshillin Kombëtar, siç thuhet në statut.

Do jetë Meta ai që udhëheq opozitën?

Jo, ka shumë mënyra për t’u tërhequr. Ti mund të largohesh e të jesh përsëri aty, por jo në atë lloj karrigeje. Shanset e tij shtohen vetëm duke notuar në ujërat e këtij lumi. Ndryshe do i duhet të kopjojë Bashën kur thotë ne humbëm një betejë por jo luftën. Berishës nuk i duhet një humbje tjetër. Berisha të largohet, mund të jetë president nderi, kryetar nderi, çfarë të dojë. Modeli i PS kur kishte kryetarin në burg, me 4 nënkryetarë, një prej të cilëve ishte Ilir Meta rezultoi i sukseshëm.

Kjo është rruga. Ndryshe do të shikojmë Ramën në konferencë me kryeministren e Finlandës. Tre kryeministre do ketë ndërruar Finlanda. Do ketë ardhur një zonjë tjetër e paqtë, me vajzë, me bashkëvuajtës siç tha Rama, dhe ai do të jetë akoma këtu. /abcnews.al