Jamie Lynn Spears ndihet krenare për motrën e saj të madhe, Britney pas dëshmisë që dha në gjykatë javën e kaluar ku kërkoi t’i jepej fund kujdestarisë ligjore të së atit. 30-vjeçarja theu heshtjen përmes disa videove në rrjete sociale, duke thënë ndër të tjera se “nëse i jep fund kujdestarisë…ose çfarëdo gjëje tjetër që ajo dëshiron të bëjë për të qenë e lumtur. Unë e mbështes atë.”
“Ndihesha sikur derisa motra ime të fliste vetë dhe të thoshte atë që mendonte se duhej ta thoshte publikisht, nuk ishte vendi im dhe gjëja e duhur për të bërë. Por tani që ajo ka folur qartë dhe tha atë që duhej të thoshte, unë ndihem sikur mund të ndjek shembullin e saj dhe të them atë që ndjej se kam nevojë të them.“, tha Jamie Lynn.
Aktorja 30-vjeçare madje duket se distancohet nga babai i saj, duke theksuar se ajo “nuk është familja e saj”. “Unë jam unë, po flas për veten time. Nëse i jep fund kujdestarisë, nëse fluturon në Mars, apo çfarëdo gjëje tjetër që ajo dëshiron të bëjë për të qenë e lumtur … unë e mbështes atë 100 përqind. Sepse mbështes motrën time. Unë e dua motrën time.”, tha ajo.
Ajo mbrojti vendimin e saj për të mos adresuar publikisht problemet e së motrës. “Ndoshta nuk e mbështeta në një mënyrë si do të donte publiku – me një hashtag në një platformë publike – por e kam mbështetur motrën time shumë më përpara se të kishte një hashtag dhe do ta mbështes atë dhe më vonë.”, tha ajo.
Britney tha në seancën dëgjimore javën e kaluar se ndihej e detyruar të kryente, të merrte ilaçe dhe të ndiqte terapi kundër vullnetit të saj nën kujdestarinë që është në fuqi që nga viti 2008. Spears ndër të tjera deklaroi se nuk i lejohej as të martohej dhe të bënte fëmijë. /abcnews.al