Situatë shumë e tensionuar në kryeqytetin francez për shkak të grevës dhe protestave kundër reformës së pensioneve. Policia përdori gaz lotsjellës ndërsa manifestuesit reaguan me sharje dhe kërcënime.
Nga data 5 dhjetor Franca është përfshirë në një krizë sociale të shkaktuar nga vendimi i presidentit Macron për të reformuar sistemin e pensioneve në vend. Një reformë që i dëmton të gjithë sipas manifestuesve e sidomos brezat e ardhshëm.
Shumë nga manifestuesit që merrnin pjesë në këtë protestë të katërt të madhe kundër reformës së pensioneve mbanin veshur jelekun e verdhë, i cili përfaqëson zemërimin që nisi dhe një nga lëvizjet sociale më të mëdha që kanë parë rrugët e Francës dhe që nuk është shuar ende.
Protestuesit shprehen se përveç kundërshtimit të reformës së pensioneve duan dhe një jetë më të mirë.
Numri i lartë i personave që protestuan në rrugët e Parisit mund të rrisë kërkesat në negociatat me qeverinë, me shpresën që më në fund situata të zhbllokohet dhe të përfundojë kriza e cila deri tani i ka kushtuar me miliona euro francezëve./abcnews.al