Pas 30 vitesh rikthehen ekspeditat e etnografisë në terren

schedule19:20 - 4 Dhjetor, 2022

schedule 19:20 - 4 Dhjetor, 2022

Nga Leontina Nikaj 

Rikthehen pas 30 vitesh ekspeditat në terren , në gjurmët e etnografit Rrok Zojzi, nga Instituti i Antropologjisë dhe Studimit të Artit . Sipas drejtorit të këtij institucioni Nebi Bardhoshi, kërkuesit shkencorë kanë hulumtuar terrenin e 40 fshatrave nga Saranda në Theth.

“ Ne kemi marr në shqyrtim përveç 30 fshatrave turistik të kategorizuara nga qeveria shqiptare edhe 10 fshatra të tjerë në Kosovë.  Ky projekt ndërthur perspektivën antropologjike në konceptimin teorik të kulturës me atë që perceptohet dhe përjetohet si kulturë prej vetë individëve. Në rrafshin shkencor, ky projekt propozon risi metodologjike dhe teknologjike në raport me projektin fillestar të Atlasit Etnografik Shqiptar të viteve 1960, përmes një teknike të re pyetësori dhe metode të re të pranisë së etnografit dhe folkloristit në terren, duke mundësuar një proces më kompleks katalogimi dhe analize të të dhënave. Po në këtë rrafsh, ky projekt i riartikulon perspektivat etnografike dhe foklorike tradicionale nëpërmjet lenteve bashkëkohore shkencore duke iu përmbajtur kriterit të objektivitetit shkencor dhe reflektimit kritik. Së fundmi, materiali empirik i mbledhur do të jetë baza nga ku do të nisë një analizë me fokus studimin e ndryshimeve dhe profilit ekonomik, social, demografik, morfologjik të fshatit shqiptar sot”, tha Barshoshi

Megjithëse shumica e fshatrave janë shpopulluar, mbledhja e të dhënave në terren rezulton mes ruajtjes së riteve shpirtërore dhe zbehjes së kulturës materiale .

Në këtë atlas, vijnë dëshmitë e bartësve të fundit të traditave në fshatrat shqiptare thekson Bardhoshi.

Megjithëse kultura popullore i përket më së shumti muzeologjisë, koleksionistëve dhe arkivave . Si zgjidhje për ta mbajtur gjallë etnografët shohin qendrat komunitare dhe muzet etnografik, si domosdoshmëri Nebi Bardhoshi thotë se është ngritja e një muzeu kombëtar etnografik në Tiranë .

Me atlasin etnografik është krijuar një arkivë i pasur që dëshmon ndryshimet në jetën kulturore, politike, ekonomike dhe sociale të komuniteteve rurale, nga formimi i shtetit shqiptar deri në bashkëkohësi. Mbledhja e të dhënave në terren është në formë dëshmish të gjalla, fotografi, regjistrime filmike, që do ti shërbejë për kërkim të mëtejshëm studiuesve./Abcnews.al/