Pas 10 tetorit e detyrueshme për punonjësit, si mund të pajisesh me “Pasaportë Jeshile” në Itali

schedule16:20 - 15 Shtator, 2021

schedule 16:20 - 15 Shtator, 2021

Pas datës 10 tetor punonjësit në sektorin privat dhe atë publik në Itali mund të jenë të detyruar që të tregojnë “Pasaportën Jeshile” për të pasur mundësi të jenë të pranishëm fizikisht në punë.

Por si mund të marrësh një “Pasaportë Jeshile” në Itali dhe si funksionon ajo?

Uebsajti Certificazione Verde në Itali u krijon mundësinë qytetarëve që të aplikojnë për një “Pasaportë Jeshile”, që veç gjuhës italiane është e disponueshme edhe në anglisht, frëngjisht dhe gjermanisht.

Lexo edhe: Italia bën të detyrueshme “Pasaportën Jeshile” për çdo punëmarrës, çfarë duhet të dini

Për t’u pajisur me këtë certifikatë është e nevojshme që të kesh plotësuar të paktën një nga kushtet që vijojnë: certifikatë vaksinimi, dokumente që vërtetojnë se e ke kaluar Covid-19, ose një test negativ të bërë rishtazi.

Personat e vaksinuar në Itali njoftohen me email ose mesazh me tekst me një kod QR të skanueshëm që u jep qajse për të shkarkuar formularin Green Pass në një kompjuter, tabletë ose smartphone.

Kjo lëshohet në përgjithësi 15 ditë pas dozës së parë të vaksinës.

“Green Pass” i fundit, që tregon se jeni plotësisht të vaksinuar me njërën nga katër vaksinat e njohura në Itali – Pfizer, Moderna, AstraZeneca ose Janssen (Johnson & Johnson) me një dozë – lëshohet brenda dy ditëve nga doza e dytë.

Për sa kohë është e vlefshme “Pasaporta Jeshile”?

-Për ata që e kanë marrë pas vaksinimit, “Pasaporta Jeshile” është e vlefshme për 270 ditë, pra rreth nëntë muaj.

-Për ata që  e kanë marrë pas kalimit të virusit, është e vlefshme për 180 ditë ose rreth 6 muaj.

-Për ata që e sigurojnë me anë të një testi të antigenit apo molekular ka vlerë vetëm për 48 orë.  /abcnews.al/