Partneriteti i ardhshëm mes BE-së dhe Britanisë: Vendosen kushte për tregtinë

schedule07:11 - 4 Shkurt, 2020

schedule 07:11 - 4 Shkurt, 2020

Britania të premten u largua nga Bashkimi Evropian (BE) pasi ishte anëtare e bllokut për 47 vjet. Në periudhën e ardhshme të tranzicionit 11-mujor, Britania dhe BE synojnë të bien dakord për kushtet e bashkëpunimit ekonomik. Ndërkohë Komisioni Evropian paraqiti projekt-mandatin e tij të negociatave mbi partneritetin e ardhshëm të BE-së me Britaninë.

“Le të jemi të qartë dhe të mos harrojmë se marrëdhënia më e mirë me BE-në është të qëndroni anëtar”, tha Michel Barnier, kryenegociatori i BE-së, në një konferencë shtypi.

“Britania vendosi të linte tregun e vetëm dhe bashkimin doganor, kështu që nuk mund të ketë më avantazhet e bllokut”, shtoi ai.

Mandati i propozuar i bisedimeve përfshin tre kapituj kryesorë: partneritetin ekonomik dhe të sigurisë, si dhe një kornizë institucionale për qeverisjen e marrëdhënieve në të ardhmen.

Për sa i përket ekonomisë, “BE ofron një marrëveshje tregtare shumë ambicioze me zero tarifa dhe kuota për të gjitha mallrat dhe shërbimet që hyjnë në tregun e vetëm”, shpjegoi Barnier. Ajo mbulon një gamë të gjerë sektorësh, përfshirë biznesin, telekomunikacionin, të drejtat e pronësisë intelektuale dhe aksesin në blerjet publike të BE-së.

Por, si kthim, BE i kërkon Britanisë të mbështesin standarde të larta për çështjet sociale, mbrojtjen e mjedisit dhe rregullimin e ndihmës shtetërore, në mënyrë që të mbajnë një “garë të hapur dhe të drejtë”.

BE gjithashtu insiston për një marrëveshje mbi peshkimin, e cila siguron qasje reciproke në treg dhe ujëra dhe kufizon kapitalin e peshkimit me kuota për hir të qëndrueshmërisë.