Në muajt e fundit është folur se Milan po kërkon një sulmues të ri dhe alternativat për kuqezinjtë nuk mungojnë. Bordi drejtues fillimisht kërkon të sigurojë shërbimet e Zlatan Ibrahimovic dhe për sezonin tjetër e më pas të hidhet në sulm për partnërin e ri të suedezit.
Mario Mandzukic nuk i përmbushi pritshmëritë që milanistët kishin për të dhe me shumë mundësi ai pritet të largohet në fund të sezonit. Sipas raportimit të “Sportmediaset”, tashmë “Djalli” i ka hedhur sytë nga Arkadiusz Milik.
Sulmuesi i Marseille erdhi me shumë bujë nga Napoli, por mesa duket aventura e tij nuk do të jetë e gjatë as në Ligue 1. Gjithsesi, Milan nuk është i vetëm në garë për shërbimet e polakut, pasi edhe Juventus e Sevilla po e monitorojnë me kujdes situatën e lojtarit. Gjatë verës priten disa oferta në drejtim të tij dhe në fund do të jetë Milik ai që do të vendosë. /abcnews.al