Partizani, të vështirë me Luftëtarin, Lerda: Nuk i di ende rivalët

schedule17:40 - 27 Gusht, 2019

schedule 17:40 - 27 Gusht, 2019

Partizani nuk mendon se do ta ketë të lehtë në fushën e Luftëtarit në Superligë. Trajneri Lerda synon fitoren, ndërsa flet për rivalët për titull, dhe përforcimet e mundshme.

Në letër është ndeshja më e lehtë e mundshme.

Luftëtari që u pa ndaj Tiranës nuk u duk ndonjë rival për të prishur punë, as kur luan në fushën e tij, por trajneri I Partizanit, Franko Lerda, nuk ka dëshirë të nxitohet për duelin e Superligës.

Jo më kot, të kuqtë kanë 22 vjet pa fitore në Gjirokastër.

“Është e vështirë, e dimë. Por, çdo ndeshje ka historinë e saj. E kemi harruar ndeshjen ndaj Kukësit, dhe tani jemi optimistë, duam të mendojmë pozitivisht dhe jemi përqëndruar tek kjo ndeshje që, siç e thamë, nuk është e lehtë. Urojmë ta prishim këtë tabu, që nuk fitojmë atje prej 22 vitesh, aq më tepër sepse kemi nevojë për pikë”.

A ekziston presioni tek Partizani pas humbjes me Kukësin?

“Jo. Në çdo ndeshje ka presion, dhe në çdo ndeshje ne duam që të japim maksimumin, por jemi të qetë, jo të shqetësuar. Duhet të kemi motivimin e duhur, sepse presioni mund të sjellë gjëra negative. Kampionati sapo ka nisur, duhet të kemi durim, besim, por jo presion të tepruar”.

Lerda nuk pranoi të fliste për rivalët për titull, si edhe për transferimet e mundshme.

“Jo, është shumë shpejt. Sipas meje duhet të presim mbylljen e fazës së parë, që të shohim kush do të jenë pretendentët, pasi skuadrat janë ende duke ndryshuar, ka ende transferime për t’u bërë. Përsa i përket shitblerjeve, nuk dua të merrem me Tiranën, pasi ne shohim shtëpinë tonë, dhe me këtë merret klubi. Olsi Rama do të vijë në Shqipëri këto ditë dhe do të arrijmë në një konkluzion”.

Nuk mungoi edhe një krahasim me fatin e trajnerëve të kaluar italianë tek Partizani, që u larguan shpejt.

“Ndoshta e mendoni ju, unë jam optimist për veten. Mendoj për ndeshjen e radhës, ndërsa se çfarë vjen më pas nuk mund ta di. Në fund të fundit, nuk varet prej meje”. /ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!