Partizani rregullon golaverazhin me Lushnjen

schedule21:15 - 28 Shkurt, 2018

schedule 21:15 - 28 Shkurt, 2018

Partizani mundi Lushnjen 6-0 në “Selman Stërmasi” duke lënë pas krizën e rezultateve. Jurgen Bardhi ishte lojtari më i mirë i kryeqytetasve, duke realizuar dy herë.

Nuk mund t’i thonë se nuk di të shënojë.
Edhe pse ndaj Lushnjes, sërish Partizani mund të mburret se e gjeti shumë herë rrugën e rrjetës, duke shënuar gjashtë herë.

Fitorja 6-0 në “Selman Stërmasi” i vlejti jo për kthesën, por thjesht për pikët, sipas shprehjes së vetë trajnerit Starova para takimit.

Gjithashtu, i vlejti për të rregulluar golaverazhin, dhe për të rritur disi moralin e për të qetësuar nervat e futbollistëve të kuq.

Njeriu i ndeshjes ishte i riu Jurgen Bardhi, autor i dy golave, ndërsa Belica, Progni, Kardozo e Ramadani ishin realizuesit e tjerë.

Momenti i vetëm negativ i takimit ishte dëmtimi në fund i portierit Hoxha, ndërsa shpresa është që të mos jetë gjë e rëndë.

Partizani tani ka bilanc pozitiv të golave, një nga herët e rralla këtë sezon që i ndodh, ndërsa ngjitet një vend, në të gjashtin, duke qenë pranë Kamzës e Laçit.

Gjithsesi, Europa është ende larg për ekipin e Starovës, pasi vendi i tretë është në distancë prej 6 pikësh.

Lushnja, ndërkaq e ka të sigurt rënien nga Superliga, por enigmë është se kush do ta shoqërojë.

Kandidat kryesor ishte Teuta, por kjo prognozë sikur ndryshoi pas fitores së durrsakëve në fushën e Kamzës me shifrat 2-1.

Beqja e Latif ishin autorët e golave për miqtë, ndërsa Raçiç ngushtoi diferencën me penallti për kamzalinjtë, por pa shmangur humbjen.
Fitorja bëri që Teuta të ketë tani 21 pikë, vetëm një më pak se Vllaznia që u mund 0-1 në fushën e Laçit.

Fati i takimit u vendos nga rrjeta e Uzunit në fund të pjesës së parë, gol i quajtur i parregullt nga trajneri i shkodranëve, Ernest Gjoka./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!