Partizani do të vazhdojë të mbështesë trajnerin Franko Lerda, edhe pas konflikteve të fundit. Gjithsesi, burime në klub pohojnë se presidenti Demi është i shqetësuar, dhe se dëshira e tij kishte qenë për të marrë si trajner Ilir Dajën.
Ishte janari i vitit 2013 dhe një ndryshim kishte ndodhur tek Partizani.
Biznesmeni Gazmend Demi kishte blerë aksionet dhe menjëherë afroi trajnerin Shpëtim Duro, për ta ngjitur ekipin nga Kategoria e Parë në Superligë.
Ato ditë, dikush i kishte propozuar një tjetër emër për stolin, Ilir Dajën.
Demi nuk u bind pasi trajneri kampion i Shqipërisë me Dinamon dhe Elbasanin kishte disa kohë i tërhequr nga futbolli I Superligës, duke u marrë me akademinë e tij, por duket se fati I afroi palët këtë verë.
Daja mbylli një aventurë të vështirë me Flamurtarin në Vlorë, ndërsa kryeqytetasit u ndanë nga trajneri Skënder Gega, menjëherë pasi siguruan titullin kampion, pas plot 26 viteve.
Burime në klubin e kuq bëjnë të ditur për ABC News-in, se Demi kishte mendimin që të merrte pikërisht Ilir Dajën, teknikun që shkëlqeu sidomos me Skënderbeun duke fituar titullin kampion e duke u kualifikuar për në fazën e grupeve të Ligës së Europës.
Gjithsesi, drejtori sportiv Olsi Rama e bindi se ishte më mirë të merrej një I huaj për stolin, dhe zgjodhi përfundimisht Franko Lerdën.
Kjo histori fare e afërt vlen të kujtohet tani, menjëherë sapo trajneri italian pati një konflikt serioz me ndihmësit e tij Dritan Mehmeti dhe Korrado Sakone, ndërsa duket se edhe marrëdhëniet me lojtarët i ka të acaruara.
Presidenti Demi ka qenë në Sarandë në fundjavë, larg zhurmave, dhe i mërzitur seriozisht pas humbjes ndaj Sherifit në Ligën e Europës, sidomos për lojën e dobët të zhvilluar nga ekipi.
Njerëz të afërt të tij tregojnë se Demi është dëshpëruar nga lëvizjet e shumta në formacion dhe mungesa e dëshirës së lojtarëve, veçse numri 1 i klubit është i vendosur që të mbështesë trajnerin, që u mor vetëm pak javë më parë.
Tek Partizani kanë ende shpresë se gjendja do të normalizohet.
Klubi është shumë pranë Valdet Ramës, ish-lojtarit të Kukësit sezonin e kaluar, i cili kërkon 8 000 euro në muaj, por kjo shifër nuk duket se është problem për Partizanin./ABC News Albania 24/7