Partizani më të njëjtët lojtarë ndaj Karabakut

schedule15:05 - 14 Korrik, 2019

schedule 15:05 - 14 Korrik, 2019

Partizani pritet të mos ketë shumë ndryshime në ndeshjen e dytë të Championsit ndaj Karabakut. Skuadra shqiptare ka shpresë për kualifikim, ndërsa trajneri Lerda punon mirë taktikisht, por shpesh është i nervozuar.

Ndeshja e parë dha shpresë, por vështirësia do të jetë e madhe. Partizani do të ketë të mërkurën serinë e dytë në “Misionin Champions”, pasi do të luajë në Azerbajxhan ndaj Karabakut, me synim kualifikimin, ndërsa trajneri Lerda nuk mund të ketë shumë alternativa.

Burime brenda skuadrës kampione të Shqipërisë bëjnë me dijë për Abc Neës-in se italiani do të jetë i detyruar të mbështetet sërish tek lojtarët me të cilët luajti në “Selman Stërmasi”, pasi ata që janë afruar nuk janë gati.

Futbollistët e marrë së fundmi, në të gjithë repartet, janë cilësorë dhe me vlera të rëndësishme, por përgjithësisht jashtë formës, pasi kanë ardhur direkt nga pushimet.

Lerda do të presë deri pas stërvitjes së fundit në Baku, të martën në mbrëmje, për të vendosur formacionin, por ndryshimet pritet të jenë të vogla, ndoshta me Trashin titullar në të majtë, dhe Braunin në sulm.

Trajneri, sipas burimeve të mësipërme, ka meritë për punën taktike të zhvilluar, tipike kjo për shkollën italiane, veçse ka një problem jo të vogël. Tekniku, që mbush 52 vjeç në Gusht, ka ndryshime të mëdha në humor, duke kaluar nga momente qetësie në shpërthime nervash.

Kjo krijon probleme në komunikim me lojtarët dhe me stafin, si dhe me punonjësit e tjerë të Partizanit, ndërsa burimet theksojnë se sjellja e tillë është sepse italiani e ka të vështirë të mbajë presionin.

Gjithsesi, me Lerdën në stol, ekipi luajti mirë në duelin e parë të turit të parë të Championsit, kjo edhe për shkak se nuk pati shumë ndryshime në krahasim me mbylljen e sezonit të kaluar.

Stërvitjet po zhvillohen në orën 10:00 paradite, duke nisur nga e shtuna, me synim forcimin e kujdesit në mbrojtje, dhe realizimin më mirë të kundërsulmit.

Kryeqytetasit e dinë se në Baku do të jetë e vështirë, për shkak të pranisë së tifozëve kundërshtarë, por edhe sepse do të luajnë në një fushë më të mirë sesa në “Selman Stërmasi”, diçka që do të ndihmojë Karabakun, një ekip më cilësor sesa ai shqiptar.

Nisja është parashikuar për të martën në mëngjes në orën 07:00, ndërsa ndeshja do të luhet të mërkurën në orën 19:00./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!