Partizani beson se do të kalojë problemet e dëmtimeve deri në ditën e ndeshjes në Champions ndaj Karabakut. Tre futbollistë shqetësojnë trajnerin Italian, Franko Lerda.
Shpresa vdes e fundit, por 10 korriku është pranë.
Në atë datë, Partizani do të luajë ndeshjen e parë të Championsit ndaj Karabakut të Azerbajxhanit, dhe problemet nuk mungojnë për trajnerin Franko Lerda.
Tre lojtarë të kampiones së Shqipërisë janë me dëmtime, dhe gatishmëria e tyre në momentin e duhur, nuk është e garantuar.
Ardit Hila dhe braziliani Uilliam Melo u dëmtuan në ndeshjet miqësore të luajtura, ndonëse ky I fundit u aktivizua për disa minuta në përgatitoren e dytë, atë ndaj Murës së Sllovenisë.
Hila u godit pikërisht ndaj sllovenëve, por për fat mjekët përcaktuan se dëmtimi nuk ishte serioz dhe se mesfushori elbasanas mund të kthehet shpejt.
I pamundur për të luajtur në miqësoret e verës, ndaj Sarajevos dhe Murës, ishte sulmuesi Jurgen Bardhi, për të cilin po bëhet ç’mos që të kalojë sa më shpejt lëndimin.
Burime pranë skuadrës bëjnë me dijë se ekziston mundësia që Bardhi të bëhet gati për duelin ndaj azerëve në 10 korrik.
Partizani do të vazhdojë fazën përgatitore verore në Slloveni deri në 2 korrik, dhe pritet të luajë edhe një miqësore të tretë.
Tri miqësore ka luajtur edhe rivali i të kuqve, Karabaku.
Azerët fituan ndeshjen e tretë, atë ndaj skuadrës ruse të Ufës, ndërsa kishin humbur ndaj kampiones së Bullgarisë, Ludogorec, dhe kishin barazuar ndaj rumunëve të Universitateas së Krajovës. /ABC News Albania 24/7