Partizani, më në fund si pretendent për titull

schedule17:51 - 22 Shtator, 2018

schedule 17:51 - 22 Shtator, 2018

Partizani mund të quhet pa frikë pretendent për titull, pas paraqitjes që bëri ndaj Flamurtarit. Suksesi i skuadrës së trajnerit Gega u arrit falë dominimit me lojë.

Duhej të vinte java e pestë për t’u bindur sado pak. Partizani, po, që mund të quhet pretendent për titull në këtë kampionat, siç u pa qartë në fitoren ndaj Flamurtarit në kryeqytet.

Formacioni i trajnerit Skënder Gega tregoi një dominim kaq të madh, ndaj një ekipi padyshim të fortë, saqë nuk mund të mos e mendosh si konkurrent për Skënderbeun apo çdo ekip tjetër që synon kurorën.

Lojë sulmuese, harmoni mes reparteve dhe lojtarë që luajtën për njëri-tjetrin. E qartë që ky nuk është Partizani i vjetshëm, me egot e shumta si Moxhi, Iuliano apo Starova.

Flitet për ekipin e një trajneri që, edhe pse nuk e dimë nëse do të bëhet i madh, është padyshim një autoritet që i jep seriozitet postit të tij.

Ai e bëri një parashikim para ndeshjes. Kryeqytetasit nuk e patën problem që lojtarë si Batha apo Torasa janë larguar, madje ishin kundërshtarë këtë të premte, ndërsa të rinjtë luajtën me besim.

A mund të quhet ky sezoni i Partizanit?

Është e parakohëshme ta vlerësosh kështu, pas vetëm një ndeshjeje shumë të mirë, sidomos me një Skënderbe që mbetet në krye.

Sidoqoftë, mund të thuhet pa frikë se gabon, se kryeqytetasit nuk do të jenë sërish një zhgënjim. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!