Partizani e kënaqi trajnerin e tij, Franko Lerda, me lojën që zhvilloi ndaj Karabakut, pavarësisht eleminimit. Tani, skuadra shqiptare do të ndeshet në Ligën e Europës me një klub milioner si Sherifi i Moldavisë.
Humbja nuk e la jashtë Europës. Partizani ka favorin e skemës së UEFA-s, që do të vazhdojë në Ligën e Europës, edhe pse sërish nuk do ta ketë të lehtë. Pas disfatës nga Karabaku në Champions, rivali i radhës quhet Sherif i Tiraspolit, një emër i njohur për futbollin shqiptar, pasi u ndesh me Kukësin dy vjet më parë.
Si e vlerëson veten Partizani në dy duelet ndaj Karabakut? Trajneri Franko Lerda theksoi diferencën financiare të dy klubeve.
Gjithsesi, kryeqytetasit morën vlerësime për lojën e tyre të organizuar në të dyja ndeshjet, pavarësisht epërsisë së kundërshtarit. Për më tepër, duke luajtur thuajse me lojtarët e vjetshëm, pasi përforcimet erdhën me vonesë, ndaj Lerda i vlerëson futbollistët e tij.
Gjithsesi, vëmendja duhet zhvendosur tek Sherifi i Tiraspolit, me të cilin do të ndeshet në 25 Korrik e 1 Gusht. Kundërshtari i Ligës së Europës ishte i suksesshëm kohët e fundit, por Championsi përfundoi me eliminim nga Saburtalo e Gjeorgjisë.
Humbje 0-3 në Tiraspol, dhe fitore 3-1 jashtë fushe. Nëse Karabaku kishte buxhet deri në 15 milionë euro, Sherifi po ashtu është klub i pasur, edhe pse pjesë e një vendi të varfër, si Republika e Transnistrisë, e shkëputur nga Moldavia, dhe e afruar me Rusinë.
Me paratë që vijnë nga Moska, dhe me financim të kompanisë së madhe vendase me të njëjtin emër, Sherif, klubi ka një kompleks futbolli, të përbërë nga stadiumi, fushat stërvitore dhe ambientet e tjera që kushtuan 200 milionë euro, dyfishi i buxhetit të Transnistrisë si shtet.
Pavarësisë shkëputjes nga Moldavia, skuadra merr pjesë në kampionatin moldav, të cilin e ka fituar 10 herë. Sherifi i Tiraspolit do të niset si favorit ndaj Partizanit, por nuk duhet harruar se në 2017, Kukësi fare mirë mund ta kishte eleminuar.
Pas humbi 0-1 në Tiraspol, skuadra e trajnerit Gjoka fitoi 2-1 në “Elbasan Arena”, duke humbur penallti e duke goditur shtyllën në fund./ABC News Albania 24/7