Partizani i Demit ende në krize, larg emrit të madh

schedule18:38 - 6 Nëntor, 2017

schedule 18:38 - 6 Nëntor, 2017

Shkarkimi i Mark Iuliano ishte i 10-ti tek Partizani që nga viti 2013. Klubi i shquar kryeqytetas nuk po gjen qetësi me stolin, ndërsa shpenzimet e mëdha të verës nuk po justifikohen.

Kanë kaluar katër vjet pa qetësi.
Tek Partizani erdhi shkarkimi i radhës për trajnerin, por kanë qenë kaq shumë në pak kohë, saqë thuajse nuk habit më kënd.
Mark Iuliano e mbylli aventurën e tij tek të kuqtë pas disfatës në fushën e Kamzës, që e la skuadrën në gjysmën e poshtme të renditjes së Superligës.
Italiani 44-vjeçar rezistoi në stolin ndoshta më të vështirë në Shqipëri vetëm 102 ditë, që nga 26 korriku deri në 5 nëntor, me bilancin aspak për t’u pasur zili, 3 fitore, 1 barazim e 4 humbje në Superligë.
E gjitha kjo, me një skuadër që bëri shpenzime të mëdha në verë, dhe që ofroi ish-sulmuesin e kombëtares, Edgar Çani.
Nuk dihen me saktësi shifrat, por besohet se Iuliano merrte 6 mijë euro në muaj, edhe pse flitej edhe për 8 000.
Po ashtu, besohet se presidenti Demi ka bërë një sforcim të madh për drejtorin e përgjithshëm të klubit, Luçiano Moxhin, të cilit sipas burimeve pranë klubit, i jep 180 000 euro në vit.
Duke iu shtuar këtyre edhe drejtorin teknik, italianin tjetër Antonelo Preiti, kostoja vërtet që rritet shumë.
Po ashtu, sezoni nisi me bujë, me afrimin si bashkëpunëtor të kampionit të botës nga Brazili, Bebeto.
Gjithsesi, pavarësisht milionave, në fushë ka qenë një skuadër thuajse mediokre.
A mund ta kthejë për mbarë këtë situatë, njeriu që do të ulet tani në stol, Sulejman Starova?
I mbiquajturi Bobi e ka për herë të tretë këtë detyrë në 3 vitet e fundit, gjithnjë duke pasur rezultate, por duke mos arritur të fitojë titullin.
Vitin e kaluar akuzoi Federatën dhe presidentin e saj, Duka, se ia hoqën me qëllim titullin nga duart Partizanit.
Jo pak përshtypje bënë akuzat e Starovës ndaj Iulianos e Moxhit, duke qenë këshilltar i Partizanit, ndërsa pikërisht Moxhi dhe Demi i kërkuan ndihmën përsëri.
Nuk do të kishte asnjë habi nëse ruleta e stolit do të vazhdonte edhe në të ardhmen.
Që nga viti 2013 kur Partizani u kthye në Superligë, kanë ardhur dhe janë larguar 10 trajnerë, ndërsa nuk është fituar asnjë trofe.
U nis me Hasan Likën, që u largua shpejt, u vazhdua me përgatitësin atletik, Marsio Sampaio.
Sezoni u mbyll nën drejtimin e drejtorit të sotëm të akademisë, Genc Tomori, por Europa nuk u arrit.
Më pas ishte radha e Shpëtim Duros, që e udhëhoqi ekipin në një sezon të plotë, 2014-2015, duke e kualifikuar për në Ligën e Europës.
Kjo nuk mjaftoi të mbante postin, dhe presidenti Demi e largoi duke zgjedhur Starovën.
Që aty duket se filloi edhe armiqësia mes tyre.
Starova rezistoi vetëm disa muaj, pavarësisht se arriti një fitore të madhe ndaj Skënderbeut.
Pas humbjes në shtëpi me Teutën, ia la vendin Andrea Agostinelit, që u prezantua në janar.
Italiani mundi Skënderbeun në Korçë, por e humbi titullin në javën e fundit.
Sërish nisën ndryshimet dhe shpresa e re ishte italiani i dytë, Rodolfo Sormani.
Me të, u eleminua Ferenc Varoshi në Champions, dhe u arrit deri në plej ofin e Ligës së Europës, ku Partizani u mund nga Krasnodari i Rusisë.
Sormani nuk pati jetë të gjatë te kryeqytetasit, me tifozët dhe ndoshta edhe lojtarët që ishin kundër.
Besohet se edhe klubi nuk e mbështeti sa duhet.
Starova u rikthye përsëri dhe arriti dy fitore impresionuese ndaj Skënderbeut, 2-1 e 1-0, por sërish titulli nuk u fitua, ndërsa erdhën akuzat e Starovës për Federatën.
Etapa e fundit e trajnerit ishte në Europë, me eleminimin nga Botevi i Plovdivit nga Bullgaria, ndërsa historia më pas është e njohur./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!