Partizani dhe Egnatia në Evropë, “gjigantët” e Superiores synojnë kualifikimin për në raundin tjetër

schedule15:56 - 25 Korrik, 2024

schedule 15:56 - 25 Korrik, 2024

I kemi ende dy ekipet në kontinent.

Partizani dhe Egnatia zbresin sot në fushë për ndeshjet e para të turit të dytë kualifikues të UEFA Confernce League, me “Demat e Kuq”, që do të sfidojnë gjeorgjianët e Iberia 1999, ndërsa Egnatia përballet me islandezët e Vikingur.

“Të Kuqtë” e Orges Shehit do të luajnë në orën 18:00 transfertën gjeorgjiane, me skuadrën nga kryeqyteti ka shkuar dy ditë më parë në vendin në malet Kaukaze, duke u aklimatizuar siç duhet.

Deri më tani tekniku i nënkampionëve të Shqipërisë e ka mbajtur sekret formacionin, teksa priten ndryshime të vogla në krahasim me ndeshjet e raundit të kaluar ndaj maltezëve të Marsaxlokk, por nuk ka ende asgjë të konfirmuar.

Partizani u ndesh dy vjet më parë me të njëjtën skuadër, sërish në Conference League, duke fituar 1-0 në Gjeorgji e duke u mundur 0-1 në shtëpi, për t’u eliminuar më pas me penallti, megjithatë shpresa është që të ketë herë përfundimi të jetë pozitiv.

Në krahun tjetër, Egnatia luan në Islandë ndaj Vikingurit në orën 20:45, një ndeshje aspak e lehtë për skuadrën nga Rrogozhina, e cila gjithsesi ka shanset e saj.

Kampionia e Shqipërisë ka mjaft ndryshime, me largime të rëndësishme dhe afrime lojtarësh, ndaj trajneri Tetova e ka më të vështirë.

Egnatia vjen në Conference League nga Champions League, ku luajti ndaj kampiones së Bosnjë-Hercegovinës, Borac Banja Luka duke u eliminuar me penallti. Në Bosnjë fituan vendasit 1-0, ndërsa në “Elbasan Arena”, ia doli ekipi rrogozhinas 2-1, mirëpo në fund boshnjakët u treguan më të saktë nga pika e bardhë e penalltisë. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!