Sali Berisha u rikthye serish në SPAK, rrugë të cilën do ta përshkojë dy herë në muaj, në zbatim të vendimit të Apelit të Posacëm, i cili vendosi ndaj tij masën “detyrim paraqitje”..
Në dallim nga një vit më parë kur refuzoi të paraqitej , këtë të hënë, kreu i partisë demokratike iu bind gjykatës, para derës së cilës kishte thirrur militantët në mbështetje. Paradoksalisht, atyre u bën thirrje për mosbindje ndërsa akuzat nuk i kursen për prokuroret e gjyqtaret.
“Organizata kriminale kërkojnë nga gjykatësi kukullë që Sali Berishës ti rikthehet arresti në shtëpi. Sali Berisha i ka sulmuar dhe do ti sulmojë të gjithë ata që bashkëpunojnë me krimin dhe kurrë njerëz të ndershëm. Sali Berisha do faktojë se si Altin Dumani fle me dosje krimi. Se si ai deklaron që e ka blerë apartamentin dhe ekspertëve të tij i ka thënë që ta vlerësojnë si të vjetër. Altin Dumani është një kriminel se ka mbyllur të gjitha dosjet e krimit elektoral”
Edhe pse është marrë i pandehur për vepren penale të korrupsionit për privatizimin e ish kompleksit Partizani, Berisha thotë se paraqitjet në Spak nuk do e dobësojnë.
“A mund të mposhtet kurrë zëri i Sali Berishës ndaj këtyre kriminelëve? Kurrë, kurrë. Këta çfarë do mase që do marrin, do të damkosen në llumin e historisë.”
Përpara militantëve të tij, të paktë në numër, Berisha hodhi akuza edhe në drejtim të Taulant Ballës, duke e lidhur emrin e tij me dosjet Sky.
“Tao është fiks Taulant Balla, është një kriminel që është vetëm njëri nga të shumtat të dhëna që ka në dosjen e vet. Përgjigja është se ne garantojmë votat në qoftë se ti arreston listën që të kemi dhënë për të arrestuar. Sipas këtij premtimi u arrestuan Çapjat me kërkesë të Çelëve. Kjo është e vërteta. Ata shkuan në burg në mars të vitit 2021, para zgjedhjeve, në mënyrë që Tao të dilte kampion i votave në Elbasan.”
Masa e sigurisë “detyrim paraqitjeje” ndaj ish kryeministrit Berisha u rikthye tre ditë me parë nga gjyqtari I apelit të posaçem Engert Pellumbi. Ndërsa masa e pare detyrim paraqitjeje që iu caktua në tetor të 2023 nga gjyqtarja Irena Gjoka nuk u zbatua nga Berisha, cka bëri që SPAK të kërkonte ashpërsimin e masës, duke e lënë berishen për 11 muaj në arrest shtëpie./abcnews.al