Partitë shqiptare në Maqedoni janë kundër dy propozimeve të palës greke për emrin e ri të Maqedonisë. Gora Makedonia – maqedonia e sipërme dhe Severna Makedonia – Maqedonia Veriore janë dy variantet që i janë servirur Shkupit.
Sipas mediave maqedonase në tryezën e bisedimeve për emrin e ri të Maqedonisë tashmë janë dy propozime, dhe njëri prej tyre mund të jetë kompromisi që do arrihet mes Shkupit dhe Athinës. GornaMakedonija – Maqedonia e Sipërme apo SevernaMakedonija – Maqedonis veriore janë propozimet që do duhet të shkruhen në formë origjinale në sllavisht me gërma cirilike pa përkthim. Për këtë kompromis këmbëngul edhe pala greke.
Burime pranë ministrisë së jashtme maqedonase konfirmuan për agjencinë e lajmeve Ina se këto janë dy nga propozimet përfundimtare e njëri prej tyre mund të çojë drejt zgjidhjes.
Mediat greke javët e fundit kanë paralajmëruar se emri GornaMakedonija ngjitur apo i ndarë i shkruar në sllavisht pa përkthim do të jetë propozimi i fundit që do të mbyllë çështjen e emrit mes dy vendeve fqinje.
Megjithatë edhe pse thuhet se marrëveshja mbi emrin konsiderohet e përfunduar sipas dakordësisë për emrin “GornaMakedonija”, partitë shqiptare që mbështesin qeverinë e Zaev janë kundër këtij opsioni.
Kryetari i partisë Aleanca për Shqipërinë, Zijadin Sela u shpreh se emri i propozuar për përdorim në kushte të përkthyeshme nuk është i pranueshëm për shqiptarët. Kjo sepse ka një tendencë për ndikim sllav në miratimin e këtij emri.
Artan Grubi, përfaqësues i BDI theksoi se emri duhet të pasqyrojë karakterin multietnik të vendit.
Edhe një grup intelektualësh ka dalë me qëndrim të kundërt përmes një memorandumi, duke theksuar se emri i ri i shtetit duhet të pasqyrojë realitetin kulturor, historik dhe shumetnik të Maqedonisë. /abcnews.al