Partia e Putin pëson humbje në Moskë

schedule13:38 - 9 Shtator, 2019

schedule 13:38 - 9 Shtator, 2019

Partia e presidentit Putin ka shënuar një rënie të konsiderueshme në zgjedhjet vendore të së dielës në Moskë, duke humbur një të tretat e vendeve në parlamentin e kryeqytetit. Lideri i opozitës Navalni e konsideroi këtë fakt si një sinjal të mirë për të ardhmen e vendit.

“Rusia e bashkuar”, partia kryesore mbështetëse e presidentit Vladimir Putin në parlament, ka humbur rreth një të tretat e vendeve në kuadër të zgjedhjeve vendore të së dielës në Moskë. Një votë që dhe pse vendore, u transformua nga opozita e Navalnit dhe aleatët e tij një rast për të qenë më të sigurtë në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2021.

Rënia e dukshme e mbështetjes gjithsesi nuk e pengon Rusinë e Bashkuar që të ruajë mazhorancën në parlamentin e qytetit. Pjesëmarrja në votime ka qenë shumë e ulët si dhe ka pasur polemika pasi nuk ka pasur exit poll.

Sipas të dhënave zyrtare, partia e Vladimir Putin ka marrë 25 vende nga 45, ndërsa më parë kishte 40. Opozita tashmë ka 20 vende. Zgjedhjet shkuan shumë mirë për Partinë Komuniste e cila pa të fitonte 13 kandidatët e saj.

Ky proces zgjedhor ku u përfshinë rreth 15 rajone ruse u karakterizua që nga muaji Qershor, nga shumë protesta kundër qeverisë. Autoritetet në fakt përjashtuan nga listat kandidatët e opozitës me arsyetimin se listat me pesë mijë firma që kishin dorëzuar nuk ishin të sakta.

Lideri i opozitës Navalni e ka cilësuar si një votë inteligjente atë të së dielës duke thënë se ky ishte një sinjal i mirë për të ardhmen e vendit./ABC News Albania 24/7