Parlamenti i Kosovës dështon të miratojë projektligjin për rimëkëmbjen ekonomike

schedule14:54 - 8 Tetor, 2020

schedule 14:54 - 8 Tetor, 2020

Vetëm 58 deputetë të parlamentit 120 vendesh të Kosovës votuan të enjten në favor të projektligjit për rimëkëmbjen ekonomike nga pasojat e pandemisë së Covid-19, e cila deri tash ka prekur 15 mijë e 938 persona.

Projektligji i cili parashihet të jetë në fuqi deri në dhjetor të vitit të ardhshëm, është hedhur për votim edhe pesë herë të tjera, por nuk ka siguruar votat e mjaftueshme. I miratuar nga qeveria e Kosovës me 22 korrik, projektligji parasheh një mbështetje për bizneset e vendit në vlerë prej 385 milionë eurosh.

Votimi u bojkotua nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike të Kosovës.

Zëdhënësi i lëvizjes Vetëvendosje, Përparim Kryeziu, i tha Zërit të Amerikës në një përgjigje me shkrim se projektligjit i mungon analiza dhe qëllimi.

“Ai nuk ndihmon as prodhuesit vendor, as eksportuesit, as bizneset e vogla, dhe as kategoritë e cenuara e shtresat e varfra. Në të parashihen tre masa kryesore: tërheqja e 10 për qind nga trusti i (kursimeve pensionale), , ulja e TVSH-së në disa raste dhe mundësia e shfrytëzimit të mjeteve të Agjencisë së Privatizimit. Të tria këto janë kontraverse dhe shumë të dëmshme”, tha zoti Kryeziu.

Partia Demokratike, ishte shprehur më parë e gatshme të votojë vetëm pjesën për tërheqjen e mjeteve nga trusti pensional.

Në anën tjetër, Skender Krasniqi nga Oda e Afaristëve të Kosovës, i tha Zërit të Amerikës se përfaqësues të komunitetit të biznesit janë shumë të shqetësuar nga trajtimi i projektligjit nga parlamenti i Kosovës.

“Dje kemi pasur takim me bizneset dhe e kemi shqyrtuar situatën, ata kanë kërkuar nga ne të takohemi me shefat e grupeve parlamentare. Ne si institucion kemi kërkuar një takim me shefat e grupeve për sot në orën nëntë për t’i shprehur shqetësimet tona, por ata nuk kanë pranuar të takohen, disa me arsyetimin e agjendave të ngarkuara e disa thjeshtë nuk janë përgjigjur”.

Nëse vazhdon situata e njëjtë, thotë zoti Krasniqi, shumë biznese rrezikojnë të shuhen.

“Ne po kërkojmë ndihmë më shumë me infrastrukturë ligjore sesa ndonjë lloj ndihme financiare, por kemi nevojë të evitojmë largimin e punëtorëve nga puna dhe falimentimin e bizneseve. Në Kosovë vetëm 350 mijë njerëz janë të punësuar dhe atë 250 mijë në sektorin privat, derisa Maqedonia ta zëmë me numër të njëjtë të popullsisë ka arritur të punësojë rreth 800 mijë njerëz, dhe kjo vjen si rezultat i përkrahjes me ligje dhe forma të tjera”, thotë ai.

Përfaqësuesit e bizneseve në Kosovë vazhdimisht kanë tërhequr vërejtjen për pasojat në ekonominë edhe ashtu të rënduar të vendit, nga pandemia dhe vonesat në miratimin e këtij projektligji.

Qeveria e Kosovës në muajin që po e lëmë pas ndau rreth 87 milionë euro për bizneset private, në përpjekje për të lehtësuar përballjen e tyre me humbjet që kanë pësuar nga pandemia COVID-19./VOA/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!