Parlamenti Europian voton sot për t’i dhënë Ukrainës statusin e vendit kandidat për në BE

schedule13:53 - 1 Mars, 2022

schedule 13:53 - 1 Mars, 2022

Parlamenti Europian do të votojë sot për t’i dhënë Ukrainës statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Evropian.

Votimi do të zhvillohet gjatë seancës së ditës së sotme në orën 16:30. Fillimisht do të votohet për pranimin e Ukrainës si kandidate për anëtare të  BE e më pas vjen rrugëtimi për pranimin e saj në BE.

Të hënën, pas një bisede telefonike me Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky i bëri thirrje bllokut që t’i japë vendit të tij anëtarësimin e menjëhershëm në BE, pasi ai lufton pushtimin e Rusisë.

Në fillim të seancës së Jashtëzakonshme të Parlamentit Evropian për krizën në Ukrainë, presidentja e këtij institucioni, Roberta Metsola, ka falënderuar të gjithë popullin e Ukrainës për qëndresën e fortë ndaj rusëve. Ajo njoftoi se, “kandidatura e Ukrainës për BE do të shqyrtohet, duke thënë se do të punojnë për të arritur këtë qëllim”.

Kurse Presidenti ukrainas Zelensky u bëri thirrje liderëve evropianë që të “dëshmojnë” solidaritetin e tyre me vendin e tij, vetëm një ditë pasi nënshkroi një kërkesë zyrtare për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian.

“Ne kemi dëshmuar forcën tonë. Ne kemi vërtetuar se, të paktën, jemi njësoj si ju. Pra, provoni se jeni me ne. Provoni se nuk do të na lini të shkojmë. Provoni se jeni me të vërtetë evropianë”, tha Zelensky në një fjalim në Parlamentin Evropian.

Bërja anëtare e bllokut është një procedurë komplekse dhe Ukraina nuk është aktualisht një kandidat zyrtar për anëtarësim në BE.

be.k/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!