Parlamenti britanik miraton amendamentin për “Planin B”

schedule18:53 - 9 Janar, 2019

schedule 18:53 - 9 Janar, 2019

Ligjvënësit britanikë po ia vështirësojnë terrenin kryeministres Theresa May në prag të votimit final për marrëveshjen e Brexit. Të enjten anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve miratuan një amendament që i hap rrugën një “Plani B” në rast se akordi i negociuar nga May dështon, që përfshin edhe një referendum të dytë.

Ligjvënësit rebelë në radhët e konservatorëve kanë bashkuar forcat me laburistët, duke i dhënë një tjetër goditje kryeministres së Britanisë së Madhe, Theresa May. Një amendament i ri mbi Brexit, i votuar të mërkurën në Dhomën e Përfaqësuesve, detyron kryetaren e qeverisë të hartojë brenda tre ditësh plane të reja nëse marrëveshja rrëzohet në votimin e javës së ardhshme.

Gjithashtu, amendamenti i hap dyert alternativave të tjera, mes të cilave mbajtjen e një referendumi të dytë mbi Brexit. Për 11 vota, mazhoranca britanike nuk mundi të hidhte poshtë amendamentin e propozuar nga konservatorët rebelë, të cilët kundërshtojnë marrëveshjen e negociuar me Brukselin.

Fillimisht ekzekutivi kishte në dispozicion 21 ditë nga votimi final për të prezantuar një “Plan B” në rast dështimi, por pas lëvizjes së muajit të kaluar, kur nga frika e dështimit May shtyu votimin, për rebelët dhe opozitën kjo periudhë kohore është e tepërt.

“Nëse marrëveshja e kryeministres dështon javën e ardhshme, atëherë ajo duhet të kthehet sa më parë në Parlament dhe të sqarojë ligjvënësit se çfarë do të ndodhë më pas”, ka deklaruar Sir Keir Stermer, sekretar i Brexit nga radhët e opozitës.

Stermer ka theksuar se, vendimi i qeverisë për të shtyrë votimin final ka rritur rrezikun për një Brexit pa marrëveshje. Kjo është humbja e dytë në 24 orë që kryeministrja May pëson në Dhomën e Përfaqësuesve në lidhje me marrëveshjen për Brexit. Mbrëmjen e së martës, ligjvënësit miratuan një tjetër amendament që e vështirëson largimin e Mbretërisë së Bashkuar nga BE-ja pa një marrëveshje./abcnews.al