Do të kremtohet një përvjetor i veçantë.
Parisi do të presë Lojrat Olimpike këtë të premte, ndërsa mbushen 100 vjet që nga Olimpiada e mbajtur në kryeqytetin e Francës e gjithashtu mbushen 100 vjet që nga krijimi I Lojrave Olimpike Dimërore.
Vendi i madh dhe krenar europian numëron 6 Olimpiada gjithsej, tre verore e tre dimërore, e padyshim që krenaria është e madhe se gjithçka do të jetë gati.
Padyshim që Parisi i ka të gjitha, jo më kot është njohur si kryeqyteti i botës. Ka infrastrukturën, kulturën sportive, burimet njerëzore, përvojën dhe jo më kot Presidenti Emanuel Macron ndihet i plotësuar në ambicien e tij franceze.
“Një nga takimet e para pas zgjedhjes sime si president, ishte me zotin Bach. U takuam me Komitetin Olimpik që të përgatisnim gjithçka për atë që në atë kohë ishte një ëndërr. Ne bëmë gjithçka që Parisi të kthehej në një teatër të hapur në lumin e Senës. Zemrën e Teatrit.
Njerëzit mund të notojnë në Senë, dhe ky është një investim i veçantë për Lojërat Olimpike dhe Lojërat Paraolimpike. Gjithsesi, ky investim do t’u vlejë për një kohë të gjatë njerëzve që banojnë në këtë qytet”,- u shpreh Macron.
Nga afër çdo gjë që ka ndodhur në metropolin e madh e ka ndjekur edhe Presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Thomas Bach, i cili është shprehur se gjithçka është gati për nisjene Lojërave Olimpike.
“Unë kam një javë që jam këtu. Ju e shihni që semaforët janë të ndezur me ngjyrë të blertë. Përgatitjet po shkojnë shumë mirë. Skena është gati”,- theksoi Bach.
Lojërat Olimpike në Paris nisin këtë të premte dhe janë të 33-at në histori. Në Olimpiadë do të marrin pjesë 206 shtete me 10 714 sportistë të ndarë në 32 sporte dhe 329 gara gjithsej, teksa pritet që Franca të shpenzojë 9 miliardë euro për organzimin. /i.m /abcnews.al

