Atmosfera nuk mund të ishte më e mirë. Paris SG rikthehet në Champions vetëm pak ditë pasi fitoi titullin e 13-të në Francë, dhe kjo ndodhi me rekord, pa pësuar asnjë humbje.
Trajneri Luis Enrike duket sikur ka arritur të realizojë një mrekulli, një ekip të bashkuar që tregoi se ka jetë edhe pa yje si Mbape, Mesi apo Nejmar.
Parizienët po ashtu duken ndryshe në Europë, pasi eliminuan me meritë favoritin e këtij Championsi, Liverpulin.
Përballë një tjetër rivali anglez, Aston Vilës, favorit tashmë është PSG.
Gjithsesi, çdo ndeshje fillon 0-0 dhe Luis Enrike e di sesa shpejt ndryshojnë gjërat në futboll.
Kapiteni Markinjos është I pezulluar, një goditje kjo, por që ndoshta parizienët do të dinë ta përballojnë, ndërsa me teknikun asturian e kanë pasur më shumë forcën te kolektivi sesa tek individët.
Mbrojtësi Kimpembe ka luajtur vetëm 67 minuta që kur u kthye nga dëmtimi në shkurt.
Cilësia nuk mungon aspak, sidoqoftë, me Donarumën në portë, Hakimin në mbrojtje si dhe treshen Dembele-Barkola-Kvarackelia në sulm.
Përballë do të jetë një trajner tjetër spanjoll, eksperti Unai Emeri.
“Secili trajner ka mënyrën e tij sesi punon me skuadrën. Nuk ka dyshim se Unai Emeri është një ekspert për të marrë maksimumin nga ekipi I tij, kudo ku ka qenë. Do të përpiqem të bëj zgjedhjet e duhura, por nuk përjashtohen gabimet. Jam I lumtur që nuk kemi dëmtime, kemi vetëm një të pezulluar. Jemi të përgatitur për këtë ndeshje. Nuk dua të flas për rolin e favoritit. Championsi gjithmonë ka pasur skuadra favorite që nuk e kanë justifikuar parashikimin”.
Aston Vila gjithashtu po luan një sezon shumë të mirë.
Trajneri Unai Emeri ka dëmtime të Barklejt dhe Bejlit, por ekipin e ka të freskët sepse në fundjavë la 8 lojtarë pushim në Champions.
PSG ka bilanc pozitiv me anglezët në shtëpi, por jo edhe aq shumë, me pesë fitore dhe katër humbje në 13 ndeshje.
Ekipi nga Birmingami nuk ka fituar asnjë nga pesë ndeshjet që ka luajtur në Francë.