Paris Sen Zhermeni mbeti brenda të gjithë objektivave në Francë duke arritur kualifikimin e radhës. Me Nejmarin në fushë, kryeqytetasit arritën në gjysmëfinalen e Kupës së Ligës.
Epërsia ishte e plotë edhe pse fitorja erdhi vonë.
Paris Sen Zhermeni megjithatë vazhdoi sezonin e tij shumë të mirë, duke mbetur brenda të gjitha objektivave, me kualifikimin për në gjysmëfinalen e Kupës së Ligës.
Në fushën e Amiensit triumfoi 2-0, pavarësisht se kishte luajtur vetëm tri ditë më parë, dhe ndonëse dy prej lojtarëve më të mirë, Kavani e Pastore, ishin të dënuar.
Vetë klubi i pezulloi për kthimin me vonesë nga pushimet, por në fushë kishte aq shumë talent sa suksesi të mos vihej në dyshim.
Parizienët patën edhe një favor, pasi portieri i vendasve, Gurtner, doli me karton të kuq që në pjesën e parë, duke e lënë skuadrën në inferioritet numerik.
Portieri ndërhyri rëndë ndaj sulmuesit të ri, Mbape, i cili për fat mundi ta vazhdonte lojën.
Gjithsesi, duhej pritur pjesa e dytë për të shënuar golat.
Fillimisht, Nejmar fitoi një penallti të cilën e ktheu në gol po vetë, dhe kjo ishte rrjeta e 20-të e brazilianit për PSG-në në këtë edicion.
Më pas, Adrien Rabio dyfishoi shifrat kur kishin mbetur vetëm 12 minuta deri në përfundim.
Skuadra e trajnerit Emeri tregoi sërish lojën e saj të rrjedhshme, falë talentit të madh të futbollistëve të saj dhe besohet se nuk do të ketë rival në Francë këtë sezon.
Paris Sen Zhermeni është I shkëputur në kampionat, pretendon të fitojë Kupën e Francës dhe Kupën e Ligës, ndërsa sfida e vetme shumë e vështirë është në Champions.
Në Europë, parizienët do të ndeshen me Realin e Madridit në turin e dytë që zhvillohet në muajin shkurt./abcnews.al