Nuk po bind që nga 26 nëntori. Paris SG vazhdon të jetë gjithmonë kampioni i Europës në fuqi, veçse forma e gjigandit francez nuk dihet se ku ka përfunduar. Skuadra e miliarderëve nga Gjiri Persik dhe e trajnerit spektakolar, Luis Enrike, pësoi një tjetër disfatë, këtë herë në Portugali nga Sportingu.
Kjo ishte humbja e dytë në Champions, e padyshim që kualifikimi direkt nis të rrezikohet. Në një sfidë në stadiumin “Zhoze Alvalade”, PSG bëri më shumë, por as nuk ishte konkret sa duhet, as nuk pati fat.
Në një ndeshje të ashpër, me raste dhe me sulme nga të dyja anët, golat u shënuan pranë fundit. Luis Suarez kaloi vendasit në epërsi në 74’, por vetëm pak minuta më vonë Kviça Kvarackelia barazoi për parizienët.
Ylli gjeorgjan është kthyer në ekip dhe në formë, por kontributi I tij nuk vlejti kur sërish Luis Suarez shënoi golin e fitores në sekondat shtesë. Sulmuesi kolumbian ishte vendimtar.
Kjo ishte ndeshja e dytë radhazi pa fitore në Champions për kampionët e kontinentit dhe nënkampionët e botës, pas barazimit pa gola në Bilbao.
Po ashtu, humbja erdhi pak ditë pas eliminimit të hershëm dhe të papritur nga Kupa e Francës pasi humbi derbin ndaj ekipit shumë më të vogël, Paris FC.
Nuk dihet seë çfarë po ndodh me të besuarit e Luis Enrikes. Ndoshta, sezoni ka qenë tepër i ngarkuar bashkë me Kupën e Botës për klubet, me Superkupën e Europës dhe me Superkupën e Francës.
Rreziku është që yjet parizienë të jenë të rraskapitur ndërsa afron fundi I edicionit dhe të mbeten pa trofe. Jo më kot, Ligën e Parë të Francës e kryeson Lensi, edhe pse vetëm me një pikë më shumë se PSG./abcnews.al


