Duhej një përgjigje pas Bajernit. Paris SG është kampione e Europës në fuqi, dhe prej saj kërkohet gjithmonë maksimumi, edhe kur fiton trofe, apo edhe kur mundet në një finale të madhe, siç ndodhi ndaj Çelsit në Kupën e Botës për Klubet.
Përgjigja erdhi, edhe pse suksesi ndaj Totenhemit në Champions nuk ishte aspak I lehtë, me shifrat 5-3 dhe përmbysje, ndërsa mediat europiane theksojnë një tendencë të re.
Në mungesë të yjeve të dëmtuar si Usman Dembele, Due apo Ashraf Hakimi, dhe me ndryshimin e politikës së blerjeve, klubi po u kthehet talenteve të akademisë.
Kundër Totenhemit, titullarë ishin Zaire-Emeri e Enzhatu, ndërsa në stol qendronin Majulu apo Mbaje.
Natyrisht, nuk mund të pretendohet që ata të shënojnë shpesh, duke qenë tepër të rinj.
Në duelin e Championsit ndaj anglezëve, më I miri ishte Vitinja me 3 gola, njërin prej të cilëve me penallti, ndërsa dy rrjeta të tjera u realizuan nga Fabian Ruiz e Uilliam Paço, ndonëse në fund Lykas Ernandez u përjashtua me karton të kuq.
E përditshmja prestigjioze e kryeqytetit, “L’Ekip” vlerëson pikërisht portugezin: Për gjithçka mendon Vitinja!
Për Spërsat, goditën braziliani Risharlison dhe dy herë francezi Randal Kolo Muani, sulmues I PSG-së I huazuar fillimisht tek Juventusi e pastaj tek Totenhemi.
Gjithsesi, të rinjtë kanë qenë protagonistë.
Majulu është më I spikaturi prej tyre, ndërsa realizoi edhe në fushën e Barcelonës në sfidën e Ligës së Kampionëve që francezët e fituan 2-1 me përmbysje.
Në Ligën e Parë të Francës, topin në rrjetë e ka dërguar Zaire-Emeri, në fitoren 3-2 në fushën e Lionit.
Se çfarë peshe kanë aktualisht dhe pritet të mbajnë të rinjtë e Akademisë në të ardhmen e tregon goli I shënuar nga Majulu në finalen e Championsit fituar 5-0 ndaj Interit.

